Arbëri

Hoxhaj: Të këqijat që e presin Kosovën nga Osmani e Kurti janë alarmante

Descriptive Text

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se dyshja kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë të vendosur për të shkatërruar e kapur secilin institucion kredibil dhe të pavarur në Kosovë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se sot Osmani me urdhrin e Albin Kurtit shkarkoi nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Sipas tij, viteve të fundit, KQZ-ja ka qenë një prej institucioneve më të besueshme dhe me profesionale në Kosovë, duke qenë përgjegjëse dhe meritore për zgjedhjet më të mira në rajon vit pas viti.

“Ky vendim i një kinse presidente, në shërbim të një kinse kryeministri, është një prej goditjeve të radhës e të rënda që po i bëhet demokracisë të vendit tonë. Shumica e arsyetimeve që janë dhënë për shkarkimin e saj nuk kanë të bëjnë fare me kompetencat e kryetares së KQZ-së. Për më tepër, ky vendim përbën edhe shkelje kushtetuese sepse Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare nuk mund të shkarkojë asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve. E faktin se vendimi ishte kryekëput personal e hakmarrje politike, e vërteton që vendimi u mor në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale duke vendosur në pikëpyetje organizimin e tyre”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se mëria dhe inferioriteti Kurti e Osmani kanë ndaj zhvillimeve historike e shtetformuese në Kosovë, nuk do ta ndalet me këto veprime.

“Me këtë udhëheqje, inat e amatorizëm qeverisës, rreziqet që e presin Kosovën janë të shumta dhe alarmante. Ndaj kësaj keqqeverisje dhe ndaj këtyre vendimeve të shëmtuara nuk duhet të heshtë askush”, ka thënë ai.