Arbëri

Hasani: Vendimi i Osmanit – shkelje e pastër kushtetuese

Foto: Driton Paçarada / KD

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka vlerësuar jokushtetues vendimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për të shkarkuar kryesuesen e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Hasani në një prononcim për KOHËN, ka numëruar disa arsye pse ky vendim i Osmanit është jokushtetues. Po ashtu e ka cilësuar si mesazh frikësimi për organet tjera të pavarura.

“Kjo është shkelje e pastër kushtetuese dhe atë për disa arsye. Në rend të parë, Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare me sistem republikan nuk mund të shkarkojë krye në veti asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo prerogativë iu takon autoriteteve emëruese. Vetëm atëherë kur këto autoritete dështojnë, atëherë Presidenti i Republikës, në konsultim edhe me to, mund të bëjë zgjedhjen dhe emërimin e kandidatit të përshtatshëm. Në të gjitha rastet tjera, Presidneti ka vetëm të drejtën e emërimit, jo të zgjidhjes. Kjo sepse Presidenti duhet të bëjë konsultimet e duhura për një gjë të tillë me autoritetin emërues të anëtarit të KQZ”, ka thënë Hasani për KOHËN.

Sipas tij, presidentja e Kosovës dhe çdo president që i takon një demokracie kushtetuese parlamentare, nuk ka vendimmarrje autonome.

“Çdo emërim dhe shkarkim (secilin dekretim) e bën si pjesë e një vendimmarrje zingjrore. Kështu është edhe më KQZ (që në vendet tjera ka emërtime të ndryshme, por funksioni është tërësisht i njëjtë me KQZ në vendin tonë). Së dyti, në krye të KQZ gjendet një profesionist që për autoritet zgjedhës e ka një organ gjyqësor që është instanca e apelit apo instanca më e lartë në gjyqësorin kosovar. Kështu është edhe jashtë Kosovës, në vendet tjera. Për këtë arsye në Kushtetutën e Kosovës (neni 84.26) Presidentit ia jep të drejtën vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, ka shtuar Hasani.

Ai thotë se Presidenti i Republikës nuk është organ apo institucion i faktit dhe nuk ka as mekanizma e as autoritet kushtetues për të gjykuar mbi dinamikat dhe ndodhitë brenda KQZ, e aq më pak sipas tij, të vlerësojë integritetin dhe punën e anëtarëve të KQZ-së, përfshirë të kryesuesit të tij.

“Presidenti nuk është organ ligj-zbatues, por zbatues i Kushtetutës. Analizën e fakteve për punën e KQZ e bëjnë vetë anëtarët e KQZ dhe autoritetet emëruese. Presidenti duhet me ta të konsultohet vetëm në rastet kur autoritetet në fjalë propozojnë ndërprerjen e mandatit, asnjëherë duke iu pri me vlerësimet e veta autoriteteve emëruese (në këtë rast Gjykata Supreme si autoritet emërues i zonjës Valdete Daka)”, është shprehur Hasani.

Ai ka kritikuar edhe përmbajtjen e vendimit për shkarkimin e Dakës. Thotë se është përdorur gjuhë jokushteteuse.

“Së fundi, teksti i vendimit përdor shprehje dhe gjuhë jokushtetuese e jo ligjore, siç janë vlerësimet për procese politike që nuk janë dhënë me shkrim në kohën kur kanë ndodhur dhe kjo përbën arbitraritet të kulluar. Përveç kësaj, as Kushtetuta e as Ligji për Zgjedhjet askund nuk flasin për lirim nga detyra, njëjtë siç nuk falsin në asnjë vend për të drejtën e Presidentit për të bërë vlerësime për punën e KQZ. Kështu është çdokund në vendet fqinje me Kosovën dhe gjetiu në Evropë, që kanë demokraci kushtetuese parlamentare”, tha ai.

Profesori Hasani thotë se me vendimin e sotë u është dërguar mesazh frikësues edhe organeve të tjera të pavarura.

“Kjo përfaqëson një arbitraritet politik që prish sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit sepse përçon një mesazh frikësimi te organet tjera të pavarura të sistemit kushtetues, në veçanti te organet e drejtësisë dhe gjyqësori se kjo i pret nëse nuk bëhen të dëgjueshëm”, tha Hasani për KOHËN.

Sot, presidentja Osmani shkarkoi Dakën pas një takimi që pati me të, me arsyetimin se ka nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur brenda KQZ-së. Në vend të saj, Osmani ka emëruar Kreshnik Radoniqin për kryesues të ri.

Shkarkimin e Dakës e kanë kritikuar edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile.