Arbëri

Gjobat e pandemisë rrezikojnë parashkrimin

Një udhëzues i lëshuar muaj më parë nga Gjykata Supreme në lidhje me ekzekutimin e gjobave nga Kundërvajtja rrezikon parashkrimin e tyre. Në këtë kategori hyjnë edhe gjobat për pandeminë. Ky udhëzues përgjegjësinë për ekzekutimin e tyre ua ka lënë ekzekutorëve të gjykatës që në numër janë shumë pak, ndërsa deri tani ka qenë përgjegjësi e përmbaruesve privatë

Një pjesë e madhe e gjobave të kundërvajtjes, përfshirë edhe ato të shqiptuara gjatë pandemisë, e rrezikojnë parashkrimin. Kjo për shkak të një udhëzuesi të Gjykatës Supreme, i cili përgjegjësinë e ekzekutimit të vendimeve ua ka lenë ekzekutorëve të gjykatës e jo përmbaruesve privatë.

“Organ kompetent për ekzekutimin e gjobave të dhëna për kundërvajtje është gjykata që e ka shqiptuar dënimin”, thuhet në paragrafin e tretë të këtij udhëzuesi.

Por zbatimi i dënimeve është i ulët për shkak të numrit të vogël të ekzekutorëve në gjykata. Një pjesë e madhe e gjykatave kanë vetëm nga një, siç është rasti i Gjykatës së Pejës. Ekzekutimi prej anës së përmbaruesit privat ka kosto financiare, por kjo kosto bartet nga personat e gjobitur e jo nga institucionet.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se nuk pajtohet me këtë udhëzues, sepse shumica e lëndëve do të parashkruhen.

“Për mu është shumë problematike kjo që nuk mundën me u ekzekutu. Nga dita e kryerjes së kundërvajtjes ose një veprimi kundërvajtës, është afati 2 vjet ku arrihet parashkrimi absolut. Kështu që këtu problemi është që shumë lëndë do të parashkruhen, sepse do të zgjatë edhe në procedurën që pret të gjykohet, por edhe kur kemi të bëjmë me vendimet e mandatuara”, ka thënë Shala.

Problemi me ekzekutimin e gjobave ka filluar kur është amendamentuar Ligji për Kundërvajtje dhe ka pasur dy nene kundërthënëse. Njëri nen thoshte që ekzekutimin e vendimeve të gjykatës e bënte përmbaruesi privat, ndërsa neni tjetër thoshte së e bën gjykata.

Për juristin Isuf Zejna, gjykatat nuk kanë kapacitete humane që vetë ta bëjnë një gjë të tillë, e për këtë arsye rreziku që këto gjoba të mos paguhen për shkak të vjetërsimit të lëndëve është i madh.

“Gjykatat nuk kanë kapacitete të mjaftueshme që ta bëjnë zbatimin e të gjitha vendimeve për kundërvajtje, rrjedhimisht ajo çfarë po ndodh është qe shumë vjet, vendimet vetëm në mënyrë vullnetare po ekzekutohen, përderisa përmbarimi i detyrueshëm nuk është duke ndodhur ose po ndodh në raste shumë të rralla. Rrjedhimisht ne po humbim para që do të derdheshin në buxhetin e shtetit”, ka deklaruar ai.

Që nga viti i kaluar ka numër të madh të gjobave të shqiptuara shkaku i mosrespektimit të masave anti-Covid. E, javën e kaluar ka pasur debat parlamentar nëse të tillat duhet të falen ose jo.

AAK pati iniciuar kërkesë për një gjë të tillë.

“Në tekstin që kam pranuar thuhet që thirret ministri i Financave për faljen e gjobave të pandemisë. Pastaj në fjalim Tahiri thotë se duhet falur edhe gjobat e ATK-së, që s’kanë të bëjnë me pandemi. Çështja tjetër janë gjobat e Inspektoratit që s’kanë të bëjnë me ministrinë”, pati thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Sipas tij, gjobat janë për shkelësit e ligjit dhe ato nuk mund të falen.

“Çështja se a duhet të falen borxhet: Gjobat janë për një arsye, për të ndëshkuar shkelësit e ligjit. Nëse hiqet ky mjet, krijohet anarki dhe kaos. Për qeverinë tonë, ligjshmëria është prioritar. Nuk ka përjashtime nga ligji. Nëse flasim për ATK-në, janë dy lloj tatimesh për të cilën kanë obligime. Pra, është TVSH-ja dhe tatimi në fitim. Pra, nuk është e hyrë biznesore dhe as nuk i takon biznesit”, pati thënë Murati.

Më 7 gusht ishte miratuar Ligji anti-COVID. Dënimet më të shpeshta janë dhënë për mosmbajtjen e maskës.

Policia e Kosovës në muajin mars kishte bërë të ditur se brenda një viti janë shqiptar afro 150 mijë gjoba.