2 perditesime
23:19

Sqarohet Abrashi: U bazova në raportime të mediave

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, është sqaruar për deklaratën se kryeministri Albin Kurti ka refuzuar ta nënshkruajë deklaratën në Samitin e krerëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Ai ka thënë se deklaratën e ka bërë duke u bazuar në raportime të mediave dhe se s’e ka parë demantin që i ka bërë Qeveria.

“Në fakt unë para se të futem në studio e kam parë në disa media dhe nuk kam arritur të shoh demantin që Qeveria i ka bërë lajmit për të cilin unë ju kam referuar. Kësisoj nuk ka asnjë kundërthënie”, ka thënë ai pas emisionit “Desku” në KTV.

Abrashi gjatë emisionit u shpreh se Kurti ka refuzuar nënshkrimin e deklaratës pasi “nuk ishte njohur subjektiviteti juridik i Republikës së Kosovës”. Ndërkaq, një orë para se të niste emisione, Qeveria u shpreh se raportimet se Kurti ka refuzuar nënshkrimin ishin të pavërteta.

21:22

Vetëvendosje e Qeveria me arsyetime të ndryshme për dështimin e deklaratës në Samitin e Tiranës

Me arsyetime të ndryshme kanë dalë Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje për dështimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët të krerëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Tiranës.

Qeveria e Kosovës i quajti të pavërteta raportimet e mediave në Serbi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ta nënshkruajë deklaratën “pasi aty nuk ishte shkruar Republika e Kosovës”. Megjithatë, deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi ka thënë, sikur u raportua, se Kurti ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin pasi “nuk ishte njohur subjektiviteti juridik i Republikës së Kosovës”.

“Lajmi për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i pavërtetë. Deklarata është tërhequr nga vetë nikoqiri i takimit, pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Qeveria të enjten pasdite.

Ndërkaq, në emisionin “Desku” në KTV, duke lavdëruar paraqitjen e Kosovës në këtë Samit dhe propozimin e saj për “bashkëpunim rajonal”, Abrashi ka folur edhe për deklaratën e përfolur.

“Bëri propozime përfituese për të gjitha vendet e painkuadruar në BE. Kjo nuk i pëlqeu Serbisë dhe pati një incident të vogël, që krejt në fund kur është pa marrëveshja e liderëve, me vetë faktin që nuk i është njohur subjektiviteti juridik i Republikës së Kosovës, me emrin e vet Republika e Kosovës, kryeministri Kurti refuzoi ta nënshkruajë atë dokument. Kemi të bëjmë me konsistencë të dëshmuar të një lideri vendas”, ka thënë ai.

18:34

Në Samitin e Tiranës dështoi miratimi i deklaratës, shkak raportet Kosovë-Serbi

Në Samitin e Krerëve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur të enjten në Tiranë, ka qenë e paraparë të nënshkruhej edhe një deklaratë, por që në fund ka dështuar.

Fillimisht mediat në Serbi raportuan se ajo është tërhequr për shkak se kryeministri i Kosovës në minutat e fundit ka kërkuar që në dokument të shkruhej Republika e Kosovës dhe ka refuzuar ta nënshkruajë. Megjithatë, kjo është mohuar nga Qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja Rozafa Kelmendi ka thënë se ky lajm është i pavërtetë teksa ka theksuar se deklarata është tërhequr nga nikoqiri i takimit.

“Lajmi për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i pavërtetë. Deklarata është tërhequr nga vetë nikoqiri i takimit, pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo duke mos dhënë detaje tjera.

Samiti i sotëm u dallua edhe për polemizimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me atë të Serbisë, Ana Bërnabiq. Teksa Kurti ka thënë se mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë është pengesa kryesore për bashkëpunimin rajonal, Bërnabiqi i ka quajtur provokime pikëpamjet e Kurtit.

Në anën tjetër, rreth 30 miliardë euro i ka zotuar Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor në projektet infrastrukturore, hekurudhore, të energjisë e digjitalizimit. Por zyrtarë të BE-së kanë kërkuar prej shteteve të Ballkanit t’i eliminojnë barrierat që ekzistojnë dhe të mundësohet liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit e shërbimeve.

E Kurti ka propozuar një Marrëveshje të Evropës Juglindore për Tregti të Lirë (SEFTA) si kornizë të re bashkëpunimi për të ardhmen në Ballkanin Evropian.