Dy agjenci që veprojnë në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe ajo për Mbrojtën e Mjedisit, kanë mbetur pa kryeshefa.
Avni Ahmeti dhe Ilir Morina kanë dhënë dorëheqje nga këto pozita. Kërkesa për lirim nga pozita nga ana e të dyve thuhet se ka të bëjë me arsye personale.
Megjithatë, KOHA merr vesh se ndaj Ahmetit ka qenë duke u zhvilluar një procedurë disiplinore, me pretendime për shkelje ligjore gjatë ushtrimit të detyrës si kryeshef.
Sipas burimeve brenda MMPHI-së, Ahmeti dyshohet për keqpërdorime në projektin e aerofotografimit në territorin e Kosovës, skenimin e dokumenteve arkivore dhe në atë për matjet relative gravimetrike.
Lirimin nga detyra të Ahmetit e ka konfirmuar edhe MMPHI-ja. Në një përgjigje me shkrim thuhet se arsyet që Ahmeti ka përmendur në letrën e dorëheqjes janë të natyrës personale.
“Arsyet e përmendura në letrën e dorëheqjes, gjithmonë sipas ish-drejtorit z. Avni Ahmeti, janë për shkak të disa obligimeve personale, familjare dhe profesionale, me theks të veçantë “përfundimi i studimeve master shkencor në Universitetin Politeknik të Tiranës, e më pas fillimi i studimeve të doktoratës në njërin nga universitetet e rajonit. Dorëheqja e parashtruar nga Avni Ahmeti është aprovuar nga Liburn Aliu, më 03.06.2021, duke u bazuar në nenin 93, paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 10 dhe nenit 11 të Ligjit Nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore”, thuhet nw pwrgjigjen e MMPHI-sw.
Por, nga Ministria nuk janë përgjigjur në pyetjen pse Ahmeti ka qenë në komision disiplinor.
Pozitën e u.d. së drejtorit të AKK-së do ta ushtrojë Afërdita Thaçi, drejtoreshë e Drejtorisë për Teknologji të Informacionit në këtë agjenci.
Nga detyra është liruar edhe kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina. Ka thënë se arsyeja për dorëheqjen e tij është se dëshiron t’i përkushtohet jetës akademike si profesor.
Morina në tetor të vitit të kaluar ishte pezulluar nga pozita pasi, siç thuhet, kishte ushtruar presion ndaj zyrtarëve të MEA-së dhe kishte neglizhuar bashkëpunimin me menaxhmentin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
Por, ky vendim më pas ishte anuluar dhe Morina ishte kthyer në pozitë.