2 perditesime
20:42

Federici flet për siguri të përmirësuar të objekteve fetare serbe, por veçon atë në Deçan

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici, ka thënë se situata me sigurinë e objekteve fetare ortodokse është shumë më e mirë se në të shkuarën.

Ai në një intervistë në Deskun e KOHËS, ka thënë se sot KFOR-i ruan vetëm Manastirin e Deçanit, disa objekte të tjera ruhen nga Policia e Kosovës e shumë të tjera fare.

Sipas tij, kjo tregon për situatë të përmirësuar të sigurisë në vend.

“Më lejo ta ritheksoj se përgjatë viteve gjendja e sigurisë, e dini, ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe kjo e përfshin edhe gjendjen e objekteve fetare ortodokse serbe. Jam i sigurt që jeni në dijeni se KFOR-i ka filluar t’i ruajë dhe t’i mbrojë mbi tetë objekte fetare, objekte fetare ortodokse serbe në të kaluarën... Por, për shkak të ndryshimit të situatës, aktualisht KFOR-i ruan vetëm manastirin “Visoki Dečani”. Kishat e tjera ortodokse serbe ruhen nga Policia e Kosovës apo s’ruhen fare. Mendoj se ky është indikacion shumë i rëndësishëm se gjendja është shumë më e mire se në të kaluarën, por sigurisht ne besojmë dhe unë besoj se të gjitha monumentet fetare dhe trashëgimia kulturore janë të vlefshme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Federici.

Ai nuk ka dashur të flasë shumë nëse çështja e objekteve fetare është bërë politike, por ka thënë se politika gjithsesi ka ndikim në terren.

Federici ka thënë se objekti i Manastirit të Deçanit dallon paksa prej objekteve të tjera.

“Por, çfarë mendoni se duhet të ndodhë që të themi: e po, në rregull, po ia lëmë policisë që ta ruajë edhe Manastirin e Deçanit? Pse është më ndryshe për shembull me atë të Graçanicës”, është pyetur Federici, për t’u përgjigjur: “Janë dy çështje që janë ende në ajër në atë fushë dhe besoj se pa u bërë i mundshëm rregullimi i këtyre dy çështjeve është me rëndësi që KFOR-i ta mbajë pozicionimin e tij ashtu siç është tani”. Me këtë, Federici iu referua zonës së sigurisë dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

20:38

Komandanti i KFOR-it: E mbështesim mandatin fillestar të FSK-së

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici ka thënë se NATO dhe KFOR-i e njohin mandatin fillestar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, atë si forcë e mbrojtjes civile.

Ai në Deskun e KOHËS ka thënë se KFOR-i po bashkëpunon me FSK-në, teksa shtoi se kjo e fundit po tregon kapacitete shumë të mira.

“Pozicioni i NATO-s dhe ai i KFOR-it lidhur me FSK-në ka qenë i qartë e konsistent që nga fillimi. NATO-ja dhe KFOR-i mbështesin zhvillimin e FSK-së brenda mandatit të saj fillestar, të një force të mbrojtjes civile. Po flasim për katër qëllimet kryesore që njihen nga NATO-ja, ku hyjnë: zjarrfikja, kërkim-shpëtimi, aktivitetet deminuese dhe trajtimi i materialeve të rrezikshme. Në këtë kuptim, KFOR-i po bashkëpunon në vazhdimësi me FSK-në dhe do të thosha se po tregojnë kapacitete shumë të mira në këto fusha”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur urën në Kamenicë të cilën e ka ndërtuar FSK-ja së fundmi pas vërshimeve para ca muajsh, duke e quajtur operacion të suksesshëm. Operacionet në fusha të tilla, Federici tha se tregojnë kapacitete të mira dhe fusha ku KFOR-i po bashkëpunon me FSK-në.

Gjeneral Majori ka thënë se NATO-ja do ta themelojë një trup tjetër në Prishtinë e cila do të merret vetëm me zhvillimin e FSK-së.

“NATO-ja ka vendosur që ta themelojë një trup tjetër të NATO-s këtu në Prishtinë, që nuk merret me siguri, por me zhvillimin e FSK-së që është NALT-i apo Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s, që është i ndarë nga KFOR-i, krejtësisht i ndarë dhe që i përgjigjet direkt Brukselit, selisë së NATO-s”, ka thënë Feredici.

20:29

KFOR-i ka kontakte të rregullta me kryetarët e komunave veriore dhe patrulla me ushtrinë serbe

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Franco Federici, në Desk të KTV-së ka treguar se KFOR-i ka kontakte të rregullta me kryetarët e komunave veriore dhe patrulla me ushtrinë serbe.

Federici ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile.

“Që nga fillimi ka pasur dhe ka ende bashkëpunim me të gjitha institucionet e Kosovës. Dhe mendoj se që nga ardhja ime këtu, marrëdhëniet tona kanë qenë gjithherë shumë profesionale dhe të lidhura në mënyrë strikte me të mirën e njerëzve në Kosovë dhe, e dini, të orientuara drejt një sigurie gjithnjë e më të mirë në terren. Po. Pra, absolutisht marrëdhënie të mira. Dua ta ritheksoj: gjendja e sigurisë është stabile, është e mirë dhe nuk bëj kurrfarë dallimi ndërmjet veriut, perëndimit, jugut e kështu me radhë. Në terma të përgjithshëm, mund të vlerësoj se gjendja është stabile. KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën, jemi të gatshëm, çfarë do të doja të theksoja është se KFOR-i që nga fillimi e bën këtë dhe e kemi vazhduar këtë proces. Dhe ka ndërtuar bashkëpunim me të gjitha institucionet në nivel qendror, por edhe në nivel lokal. Po flas për shembull për nivelin komunal. Kam shumë kontakte me kryetarët e komunave. Komandantët nën udhëheqjen time kanë kontakte të rregullta me kryetarët e komunave, duke i përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, vetëm për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe përsëri po e them, komunat e veriut nuk përbëjnë përjashtim”, ka deklaruar Federici. “Situata aktuale është stabile. Më lejoni të shtoj se unë kam kontakte të rregullta me shefin e forcave ushtarake serbe që është edhe, të themi, partner shumë i rëndësishëm i KFOR-it sepse kemi patrulla bashkë përgjatë vijës administrative kufitare dhe është me rëndësi, t’i mbajmë këto marrëdhënie edhe sa u përket komunave veriore”.

Federici ka folur edhe në lidhje me kritikat që janë bërë për patrulla të përbashkëta në disa zona kufitare, në disa komuna. Ndër to edhe në Karaçevë.

“E di se në të kaluarën ka pasur disa çështje kundërthënëse. Qëkur kam ardhur mund të vlerësoj se nuk ka ndodhur kurrë do të thosha po ashtu, aksidentalisht, që të kalohet vija administrative kufitare. Ka pasur dyshime në dy raste. Por, kemi mundur t’i identifikojmë se nuk kanë qenë forca serbe, por patrulla të KFOR-it”, tha Federici, i cili ka treguar edhe arsyen pse janë të domosdoshme patrullat e përbashkëta.” Logjika është që të garantohet mostensionimi në vijën kufitare administrative. Meqë ra fjala, këto aktivitete parashihen në Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake apo Marrëveshjen e Kumanovës, ka trup të dedikuar në selinë e KFOR-it që është Këshilli i Përbashkët Zbatues që merret rregullisht me palën serbe, por objektivi apo qëllimi kryesor është stabiliteti përgjatë vijës administrative kufitare. Duhet të them se bashkëpunimi me forcat serbe është mjaft i mirë tani për tani”.

Federici ka folur edhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Ndërlidhës Monitorues (LMT).

“E dini KFOR-i e monitoron gjendjen vazhdimisht në nivel lokal për ta ndier atmosferën lokale, për ta kuptuar nëse ka probleme të caktuara. Siç thashë më herët, siguria është temë shumë e gjerë që ndikohet nga plot e përplot faktorë. Dhe është me rëndësi që KFOR-i ta vëzhgojë në vazhdimësi situatën dhe më lejoni ta theksoj edhe rolin e rëndësishëm, shumë të rëndësishëm të Ekipit Ndërlidhës Monitorues (LMT), që janë vazhdimisht në terren. Flasin rregullisht me njerëzit, me kryetarë të komunave dhe kjo është mënyra për ta kuptuar dinamikën në terren dhe të jemi të informuar rreth problemeve dhe telasheve”, tha Federici.