Arbëri

Vdes ish-ambasadori Pardew, zëri i fuqishëm kundër ndryshimit të kufijve

James William Pardew, ish-ambasador i SHBA-së në administratat Clinton dhe Bush dhe një oficer i karrierës së ushtrisë amerikane, ka vdekur të mërkurën më 2 qershor, por që është bërë e ditur sot.

Ai ishte 77-vjeçar dhe arsyet e vdekjes janë ende të panjohura.

Pardew ka lindur në Memphis dhe është rritur në Jonesboro, ka diplomuar në shkollën e mesme të Nettleton dhe në Universitetin e Arkansasit.

Pas diplomimit, për 28 vjet ai ka shërbyer si oficer i inteligjencës ushtarake, për t’u graduar më vonë si kolonel.

Në vitin 1997, presidenti Bill Clinton, e kishte emëruar Pardew si përfaqësues të SHBA-së për stabilizimin ushtarak në Ballkan me gradën e ambasadorit në Departamentin e Shtetit.

Presidenti George W. Bush, e kishte emëruar Pardew ambasador të SHBA-së në Bullgari në vitin 2002. Pardew shërbeu në atë rol deri në vitin 2005.

Pardew ishte negociatori i SHBA-së për Marrëveshjen Kornizë në Maqedoni në vitin 2001 dhe shërbeu si zëvendëskëshilltar special i presidentit dhe sekretarit të shtetit për demokracinë në Ballkan gjatë konfliktit në Kosovë dhe zbatimit të paqes nga viti 1999 deri në vitin 2001. Ai gjithashtu drejtoi Programin e Trenave dhe Pajisjeve Ushtarake për Bosnjën nga viti 1996 deri në vitin 1999, dhe përfaqësoi Sekretarin e Mbrojtjes në ekipin negociator të SHBA-së mbi Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë, sipas biografisë së tij në Departamentin e Shtetit.

Ai së fundmi ka qenë i zëshëm kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës. Ai në një shkrim për KOHËN pati thënë se ridefinimi i kufijve në Ballkan është kthim i një ideje të keqe.

Botimet KOHA së shpejti do ta botojnë librin e tij.