Arbëri

Gjyqtari Laban i dyshuar se punoi për llogari të Listës Serbe

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, për të cilin Serbia kishte lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për shkak të një dënimi për korrupsion, është subjekt hetimi edhe në Kosovë. Sipas burimeve të KOHËS, Radomir Laban është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale me dyshimin për ushtrim presioni mbi votuesit në komunat e populluara me shumicë serbe, për llogari të Listës Serbe. Zyrtarë të Prokurorisë nuk e kanë pohuar e as mohuar nëse Laban është pjesë e manipulimit me zgjedhjet

Hetimet e organeve ndjekëse për manipulim me vota në komunat e populluara me shumicë serbe mund të implikojnë edhe zyrtarë të lartë institucionalë. Mbështetur në informata që ka siguruar KOHA, Prokuroria Speciale është duke e hetuar edhe anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban. Dyshimi ka të bëjë për ushtrim presioni mbi votuesit në komunat veriore, që popullohen me shumicë serbe, për llogari të interesave të Listës Serbe në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në organin e akuzës nuk e kanë mohuar e as pohuar nëse subjekt i hetimit është edhe Laban, që në Serbi është dënuar për korrupsion.

“Nuk mund t’ju them asgjë. Nuk mundem kurrgjë me pohu e as me mohu”, ka thënë Blerim Isufaj, kryeprokuror special.

Isufaj ka folur në përgjithësi për rastet që janë duke i hetuar për manipulimet me zgjedhje dhe, sipas tij, shumë shpejt do të bëhet i ditur epilogu i tyre.

Me dyshimin se zgjedhjet në komunat ku udhëheq Lista Serbe janë orkestruar duke votuar një iniciativë rome dhe një tjetër boshnjake, organet përgjegjëse kishin anuluar mijëra vota në ato komuna. Po ashtu, Prokuroria kishte nisur hetimet.

Gazeta ka provuar të marrë një qëndrim nga gjyqtari Laban, por nuk është përgjigjur. Sqarime nuk kanë ofruar as nga Lista Serbe, subjekt ky që kishte mbështetur Labanin për t’u zgjedhur anëtar i Kushtetueses në vitin 2018. Ky subjekt në zgjedhjet e fundit dhe ato paraprake është akuzuar për ushtrim presioni mbi votuesit serbë, gjë e cila është konfirmuar edhe nga raportet e vëzhguesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

Gjyqtarëve u ndalohet të merren me aktivitete partiake, derisa Kushtetuta e rregulloret e Gjykatës Kushtetuese parashohin edhe masa sanksionuese për ata që ushtrojnë veprimtari të tilla.

E në institucionin që merret me interpretimin e aktit themeltar të shtetit kanë thënë të mos jenë në dijeni për rastin.

“Gjykata nuk është njoftuar nga Prokuroria e Shtetit përkitazi me këto informata tuaja, të pakonfirmuara zyrtarisht. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 118 të saj, saktësisht përcakton rastet në të cilat mund të ndërmerren masa ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykata nuk ndërmerr veprime jashtë fushëveprimit të kornizës ligjore që e rregullon këtë çështje”, ka thënë Veton Dula, zëdhënës në Gjykatën Kushtetuese.

Neni të cilit i është referuar Kushtetuesja thotë se “gjyqtarët mund të shkarkohen vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave”.

e Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Republikës së Kosovës me propozimin e dy të tretave (2/3) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave”, shkruan në këtë nen.

Kurse Kodi i mirësjelljes për gjyqtarë specifikon se “gjyqtarët nuk duhet të jenë anëtarë të ndonjë partie ose organizate politike dhe nuk duhet të marrin pjesë në aktivitete politike”.

Kushtetuesja në të kaluarën ka ndëshkuar gjyqtarët që janë zënë duke punuar për llogari të subjekteve.

Në gusht të vitit 2014, Kadri Kryeziu ishte përjashtuar nga rastet e mëdha të Gjykatës Kushtetuese pas publikimit të një fotografie ku ai shihej duke marrë pjesë në një tubim parazgjedhor të PDK-së.

“Në përputhje me propozimin e vetë gjyqtarit Kryeziu dhe me raportin e Komisionit të Gjyqtarëve, Gjykata vendosi që publikisht ta qortojë gjyqtarin Kryeziu për këtë shkelje dhe ta përjashtojë atë nga pjesëmarrja si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në çdo rast tjetër që mund të ketë kontekst politik, e ku, ndër të tjera, si palë para Gjykatës mund të paraqiten: presidenti i Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Avokati i Popullit dhe komunat”, thuhej në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Radomir Laban ishte propozuar në vitin 2018 për postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Lista Serbe. Ai ishte dekretuar nga presidenti Thaçi pavarësisht thirrjeve të organizatave të shoqërisë civile dhe opozitës që të mos e bëjë këtë për shkak të kaluarës së tij.

Laban, një ish-zyrtar i doganave në Serbi, ishte dënuar në vitin 2012 me gjashtë vjet burgim, si pjesë e një grupi prej shtatë doganierësh dhe dhjetë afaristësh të akuzuar për kontrabandë milionëshe.

Të gjithë ata ishin arrestuar në vitin 2006. Pas shpalljes së dënimit, Laban i ishte shmangur vuajtjes së dënimit duke ikur në Kosovë.