Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se projeksionet e ekspertëve shëndetësorë për situatën me pandeminë, në fillim të muajit prill ishin të frikshme. Sipas tij, ekspertët në atë kohë patën parashikuar se me trendin e rasteve të reja me koronavirus, Kosova rrezikon që shumë shpejt të mos kishte shtretër për pacientët me virus.
Duke arsyetuar marrjen e masave të mbylljes për dy javë, pasi mori postin e ministrit të Shëndetësisë, Vitia në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se këto dy javë kanë ndikuar në uljen e rasteve të reja.
“Me të marrë mandatin, më 2 prill nëse s’gaboj, kam marrë draftin e parë të analizës epidemiologjike kur numri i rasteve ditore ishte jashtëzakonisht i madh e projeksioni i IKSHPK-së ishte i frikshëm, në kuptimin që brenda pak javës pritej që numri i pacientëve do të tejkalonte numrin e shtretërve. S’do të kishim më shtretër për pacientët me COVID. Ishim në dilema deri më 3 prill kur morëm analizën zyrtare e në takim ishin identifikuar katër kategori si supershpërndarës dhe me propozimin e tyre duhej të merrnim masa ndaj këtyre kategorive që të ndërpritej zinxhiri i përhapjes së infeksionit. Ishte vendim i shpejtë që duhej marrë. Pas konsultimit edhe me ekspertët edhe brenda Qeverisë sepse ekonomia kishte pësuar mjaft dëme, erdhëm në përfundimin që duhet marrë masa restriktive, por në raport me ruajtjen e shëndetit të ekonomisë”, ka thënë ai. “Erdhëm në përfundim që për dy javë bizneset e afektuara mund të subvencionoheshin deri në një masë sado pak që t’u lehtësoheshin humbjet gjatë masave restriktive. Ishim të obliguar dhe të detyruar të merrnim masa që treguan efektin, përveç faktorëve tjerë. Sepse në kurbën e rënies së rasteve koincidon, edhe është vërtetuar, që pas 14 ditëve të vendosjes së masave, mes 19 dhe 21 prill kemi rënie të numrit ët rasteve dhe vazhdon rënia e vazhdueshme”.
Në ditët e fundit në Kosovë numri i rasteve të reja me COVID-19 është më i ulët. Aktualisht janë 1652 raste aktive.