Arbëri

Qorrolli e Xhemajli në “finale” për gjyqtar të Kushtetueses

Vigan Qorrolli dhe Haxhi Xhemajli janë dy kandidatët që janë në garë të drejtpërdrejtë për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Të dy ishin pjesë e listës së ngushtë të kandidatëve që të enjten iu prezantuan deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nga tre kandidatë që ishin në garë sot, Qorrolli i priu garës në raundin e parë me 50 vota. Nga 18 vota patën Hilmi Jashari dhe Haxhi Xhemajli. Pasi Jashari e Xhemajli kishin rezultat të barabartë, Komisioni i Kuvendit propozoi votim të dytë për të caktuar kandidatin rival të Qorrollit në garën finale.

Në raundin pasues, Xhemajli mori 44 kundrejt 29 sa mori Jashari.

Tash deputetët do të votojnë në raundin e tretë për të zgjedhur mes Qorrollit e Xhemajlit për pozitën e gjyqtarit në Kushtetuese.

Në propozimin që Komisioni i posaçëm për shqyrtim të kandidatëve për emërim si gjyqtarë të Kushtetueses, Qorrolli u prezantua si emri me më së shumti pikë nga testimi me shkrim dhe intervistimi me gojë.

Fillimisht ishin katër emra në listën e ngushtë, por Visar Morina u tërhoq para seancës së Kuvendit.

Garës për gjyqtar ia kishin mësyrë 11 persona.