Gjykata e Apelit e ka refuzuar propozimin për shtyrje të ekzekutimit të lejeve për tri hidrocentralet e kompanisë “Kelkos” në Grykën e Deçanit. Me këtë e ka lejuar rifillimin e prodhimit të energjisë në këto hidrocentrale, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata
Tri hidrocentralet e kompanisë “Kelkos” në Grykë të Deçanit do të rifillojnë me prodhimin e energjisë.
Kjo pasi Gjykata e Apelit i ka lënë në fuqi vendimet e lëshuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ZRRE-së, duke e refuzuar kërkesën për pezullim të përkohshëm lejeve dhe licencave.
Themelorja dy herë radhazi kishte pezulluar ekzekutimin e lejeve ujore dhe mjedisore për hidrocentralet “Deçani”, “Bellaja” dhe “Lumbardhi 2”, pas padisë së Vetëvendosjes në Deçan dhe shoqërisë civile.
Por, në vendimin e Apelit, të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se Gjykata Themelore gabimisht ka aplikuar të drejtën materiale, kur ka vendosur që ta aprovojë kërkesën e paditësve-propozuesve dhe t’ua shtyjë ekzekutimin e vendimeve kontestuese të të paditurave.
“Paditësit-propozuesit në asnjë rrethanë nuk e kanë bërë të besueshme kushtin e parë të kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar, se cili do të ishte dëmi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë që do t’u shkaktohej paditësve-propozuesve në rast të ekzekutimit të vendimit të kontestuar”.
Në vendim përmendet se paditësit kanë përmendur faktin se me ekzekutimin e këtij vendimi do t’u shkaktohej dëm i pariparueshëm, pasi të njëjtëve po u cenohet prona ku është ndërtuar termocentrali dhe po u reduktohet uji që furnizon familjet e tyre, po pa provuar konkretisht ndonjë provë konkrete se në çfarë mase të njëjtëve u reduktohet furnizimi me ujë.
“Termocentrali për prodhimin e energjisë është ndërtuar për nevojat e furnizimit me energji elektrike për një pjesë të banorëve të Deçanit, andaj shtyrja e ekzekutimit të vendimit të të paditurave në rastin konkret do të shkaktonte dëm direkt të pariparueshëm për palën e interesit juridik, “Kelkos Energy”në Deçan, pasi që investimi për ndërtimin e termocentralit është i madh dhe ky dëm në mënyrë indirekte do të ndikonte te një pjesë e qytetarëve të Deçanit që furnizohen me energji elektrike”, thuhet në vendim.
Vendimet e Themelores, apeluar nga MMPHI-ja, ZRRE-ja dhe “Kelkosi”. Megjithatë, ministri i ri, Liburn Aliu, kishte shkruar një shkresë edhe ZRRE-së se është tërhequr nga ankesa. Por, kjo duket të jetë bërë me vonesë.
E nga ZRRE-ja kanë thënë për KOHËN se më 24 maj kanë pranuar vendimin e Apelit që ka aprovuar ankesën e Ministrisë së Ambientit, ZRRE-së dhe palës së interesit.
“Sipas Aktvendimit AA. Nr.320/21, është ndryshuar Aktvendimi A.2081/20 i dt. 11.02.2021 dhe çështja është gjykuar si në vijim: REFUZOHET propozimi i paditësve me të cilën është kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i vendimeve të Ministrisë dhe ZRRE-së. Praktikisht kanë mbetur në fuqi vendimet (lejet e Ministrisë) dhe vendimet për Licenca të Bordit të ZRRE”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Sipas saj, për ZRRE-në Aktvendimi i Gjykatës së Apelit është i plotfuqishëm dhe i obligueshëm për ekzekutim.
Ndërkohë, avokati i kompanisë “Kelkos”, Arianit Koci, ka shkruar se Apeli vendosi përfundimisht në favor të lejeve dhe licencave të “KelKos Energy” .
“’Kelkos Energy’ ka kënaqësinë të vazhdojë prodhimin 24/7 të Energjisë së Gjelbër për qytetarët e Kosovës, që ofron rrymë për më shumë se 50.000 amvisëri në baza ditore – 100% të liruar nga emetimet e dëmshme”, ka shkruar Koci.
KOHA në vazhdimësi ka raportuar për dyshimet mbi licencimin e hidrocentraleve të “Kelkosit” në Grykën e Deçanit.