Arbëri

Premtohet bashkëpunim mes prokurorive të Kosovës e Shqipërisë

Prokuroria e Shtetit të Kosovës dhe Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se kjo ngjarje shënon rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë për ta luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

“Sot kemi nënshkruar memorandumin që ka të bëjë me luftimin e dukurive negative në Kosovë dhe Shqipëri. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me shtete të tjera të rajonit sepse kemi parë që krimi është përtej kufijve. Edhe më herët kemi pasur bashkëpunim të mirë më Shqipërinë dhe e kemi parë të rëndësishme të nënshkruajmë edhe memorandum. Duke u udhëhequr nga parimet e barazisë e sovranitetit kemi bërë hap të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bashkëpunimi ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve e provave për të zbardhë raste e për të marrë dënimin e merituar shkelësit e ligjit”, thuhet në njoftim.

Ai ka shtuar se ky bashkëpunim do të jetë edhe një hap përpara për liberalizim të vizave e bashkim në familjen evropiane për Kosovën e Shqipërisë

Ndërkaq kreu i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë ka thënë se krimi i organizuar dhe korrupsionit janë të shtrira përtej kufijve dhe ky bashkëpunim është i rëndësishëm.

“Ne ishim dje në Shkup, nënshkruam edhe atje një memorandum bashkëpunimi me idenë se duhet të njohim njëri tjetrin e të luftojmë këto dukuri”, ka thënë ai.

Tutje është folur edhe rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë në Lipjan. Lumezi ka thënë se rasti është në fazën e hetimeve dhe nuk mund të japin më shumë detaje.

“Vetë fakti që kemi pasur bashkëpunim të tillë tregon se jemi në bashkërendim me Shqipërinë e shtetet e tjera. Ekskluzivisht është duke u marrë Prokuroria e Kosovës”, ka thënë ai.