Arbëri

Arifi: Ekziston një traditë e mosmbajtjes së premtimeve nga kryetarët e komunave

Hulumtuesi në Iniciativën për Progres (INPO), Qëndrim Arifi, ka thënë se tek zgjedhjet lokale vërehet mosmbajtje e premtimeve të kryetarëve të cilët arrijnë të zgjedhen.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se shpesh kryetarët e zgjedhur nuk arrijnë të përmbushin premtimet bazë që ua kanë premtuar votuesve.

“Kryesisht ekziston një lloj tradite e mosmbajtjes për fjalët e premtimeve. Kryetarët vetëm japin premtime qoftë reale apo imagjinare, por kur vijnë në pushtet nuk e kanë shumë parimore t’i plotësojnë ato. Janë të gatshëm madje ka raste kur bëjnë premtime krejt jashtë programit qeverisës, ndërsa nuk arrijnë t’i përmbushin disa premtime bazë që është jo e drejtë karshi votuesve sepse besimi i votuesit është arritur nga premtimet që ke premtuar në fushatë”, ka thënë Arifi.

Arifi ka thënë se mospërmbushja e premtimeve më shumë vjen si pasojë e paaftësisë në buxhet dhe aspekte të tjera të cilat pengojnë realizimin e tyre.

"Një përqindje shumë të ulët e kisha lënë tek dëshira, më shumë është paaftësi, por jo gjithmonë është paaftësi profesionale, është paaftësi buxhetore apo aspekte të ndryshme gjatë realizimit të premtimeve. Kemi të bëjmë edhe me premtime imagjinare pasi dihet që buxheti i komunës nuk është i asaj mase që të arrijë ta përmbushë pa ndihmën e ndonjë donatori apo niveli qendror”, ka thënë ai.