Arbëri

Tenderi i vlerësuar 66 mijë euro i kushtoi buxhetit mbi 800 mijë euro

Autostrada

Tre persona kanë përfunduar në aktakuzë, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim në tenderin për dislokimin e varrezave të vjetra në autostradën “Arbën Xhaferi”. Tenderi i nënshkruar më 2016-n kishte vlerën e 66 mijë eurove, ndërsa nga buxheti dy vjet më vonë janë paguar mbi 800 mijë euro. Prokuroria Speciale ka njoftuar për ngritjen e kësaj aktakuze, por nuk kanë dhënë detaje. Por, siç është informuar KOHA, bëhet fjalë për aktakuzat e ngritura ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Besim Tahiri e Gëzim Osmani, si dhe Hajredin Hajrës, pronarit të “Eurokod”, kompanisë që ishte angazhuar për zhvendosjen e varrezave

Dislokimi i disa varreve të vjetra, me qëllim që të mundësohet vazhdimi i ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, i ka kushtuar shteti mbi 800 mijë euro.

Në vitin 2016, nga Ministria e Infrastrukturës ishte hapur tenderi për largimin e 40 varreve që pretendohej se ishin përgjatë hapësirës ku duhej të shtrihej autostrada. Në vitin 2018 nga 66 mijë euro detyrime bazuar në kontratën e nënshkruar, vlera e pagesën ka arritur sipas hetuesisë në afro 830 mijë euro.

Të martën Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër tre personave për korrupsion. Siç ka mësuar KOHA, ky rast ka të bëjë pikërisht me këtë tender.

Në aktakuzë nuk jepen detaje se në cilin institucion janë të punësuar zyrtarët dhe për çfarë procesi të prokurimit bëhet fjalë, por sipas burimeve, të ngarkuarit me vepra penale janë dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, Besim Tahiri që në vitin 2016 ka qenë përgjegjës i prokurimit në këtë institucion, Gëzim Osmani, menaxher i kësaj kontrate, si dhe Hajredin Hajra pronar i kompanisë ”Eurokod” që ka bërë dislokimin e varrezave.

KOHA ka siguruar kontratën e vitit 2017. Por në këtë kontratë përveç çmimit për një zhvarrim nuk janë të dhëna detaje të tjera.

Për dislokimin e një varri të vjetër sipas kësaj kontrate, kompania “Eurokod”, paguhej në vlerë të 1700 eurove.

KOHA ka provuar të kontaktojë, të tre të akuzuarit. Besim Tahiri nuk ka qenë i qasshëm. Zyrtari tjetër i Ministrisë se Infrastrukturës, Gëzim Osmani, që është po ashtu i akuzuar, ka thënë se ka qenë menaxher i kësaj kontrate, ndërsa ka pohuar se ishte në dijeni se po hetohej.

”Jo, jo punë të tjera janë ato... Ato kanë qenë punë që u desht me i disloku varrezat. Nuk është ditë sasia. Mundeni me marrë të dhëna në prokurim, aty. Nuk u ditë sasia. Sa varreza janë kan’, janë hekë krejt çka u kan’, edhe krejt qajo është”, ka thënë Gëzim Osmani zyrtar i MI-së.

Hajredin Hajra pronar i kompanisë “Eurokod”, që sipas hetuesisë ka përfituar mbi 800 mijë euro, nuk ka pranuar të deklarohet për këtë çështje me arsyetimin se është i zënë.

“Nëse ban mem thirrë ma vonë, se jam pak nxanë”, ka thënë ai. Por me pas nuk ka qenë i qasshëm.

Shkelje në këtë tender tre vjet më herët kishte konstatuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

“Vlera e kontratës bazë, përfshirë edhe aneks-kontratën e vitit 2016 ishte 66,000€, numri i varrezave 40, çmimi për njësi i kontraktuar 1,711€. Si pasojë e tejkalimit të sasive të parashikuara me kontratën bazë, MI-ja kishte bërë pagesa për zhvarrosjen dhe rivarrosjen edhe të 434 personave të tjerë në vlerë prej 766,235€. Sasitë e tejkaluara ishin paguar duke iu referuar kontratës së vitit 2016. Prej shumës totale të paguar, 353,589€ janë pagesa të kryera për vitin 2018”, thuhej në këtë raport.

Ministria e Infrastrukturës është kampione me zyrtarë me aktakuza. Një pjesë e madhe e zyrtarëve që kanë pozita drejtuese në këtë institucion ose po përballen me akuza për korrupsion, ose janë nën hetime për të njëjtat dyshime. Tre sekretarët paraprakë të kësaj Ministrie kanë aktakuza. Aktakuzë ka edhe menaxheri i prokurimit, ndërsa i dënuar për korrupsion është ish-shefi i prokurimit i këtij institucioni, por që është kthyer në këtë institucion me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, me vendim të datës 4 dhjetor të vitit të kaluar, përmes të cilit aprovohet si e bazuar ankesa A.nr.77/2019. e datës 7 shkurt të vitit 2019, e parashtruar nga Nexhat Krasniqi, i dënuar me vendim të formës se prerë për korrupsion. Sipas këtij vendimi, ishte Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës që ankuesin Nexhat Krasniqi ta kthejë në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurorimit në MI, me të gjitha të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës, duke i kompensuar pagat nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.