Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka presion nga Bashkimi Evropian e as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rinisur dialogu në mes Kosovës e Serbisë, derisa konfirmoi se një takim i tillë do të mbahet në mes të qershorit.
Ai këto deklarata i ka bërë gjatë një vizite në Prizren. "Do të ketë një takim kah mesi i qershorit, sot është 1 qershori, nuk është mesi i qershorit... Presion nuk ka, ka diskutime të vazhdueshme, dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë po është palë në bisedime dhe me dijen, programin tonë dhe me ndërgjegjen e përgjegjësinë që kemi treguar ngaherë do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës për interesat e Republikës së Kosovës", u shpreh ai.
I pyetur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, raporton Kosovapress.
"Unë më duket se ju përgjigja se çka do të ndodhë me asociacionin. E ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare e qe besa edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, pra është e domosdoshme që t'i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata", ka shtuar ai.
Më herët gjatë ditës, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, u shprehën se për çështjen e Asociacionit u takon palëve në dialog që të gjejnë zgjidhje.