Arbëri

Urgjenca e dialogut me Serbinë, pritet të jetë mesazhi i dyshes Palmer-Lajçak

Mesazh për koordinimin ndërmjet tyre lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, janë duke e konsideruar njohësit e këtij procesi vizitën e përbashkët të zëvendësndihmësit të sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer, dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak. Palmeri dhe Lajcaku, gjatë vizitës në Kosovë, në fillim të javës së ardhshme, përveç krerëve shtetërorë do të takohen edhe me përfaqësues të subjekteve politike në vend

Vizita e dy përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë javës së ardhshme është duke u konsideruar si insistim i tyre për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, do të qëndrojnë në Kosovë për një vizitë dyditore, që nis të hënën.

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se me vizitë të përbashkët, pak javë para nisjes së bisedimeve në Bruksel, dyshja do të përçojë mesazhin e rëndësisë dhe urgjencës së procesit të dialogut.

Sipas Serwerit, SHBA-ja dhe BE-ja nuk ishin të koordinuar gjatë administratës së drejtuar nga Donald Trumpi. Serweri thotë se që të dy partnerët kanë një problem sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

“Ata po përpiqen të projektojnë një mesazh, se BE-ja dhe SHBA-ja janë tani në të njëjtën faqe. Sigurisht që amerikanët dhe evropianët nuk e pranuan kurrë se ishin në faqe të ndryshme, por ata ishin gjatë administratës Trump. Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë shumë nga ato që unë di, por sigurisht që po përpiqen shumë të projektojnë imazhin se janë duke e mbështetur Bashkimin Evropian. Por, problemi që BE-ja dhe SHBA-ja kanë në të vërtetë është se Beogradi nuk është i gatshëm të vazhdojë me njohjen e Kosovës. Kjo do të kufizojë gatishmërinë e Prishtinës për t’iu përgjigjur pozitivisht Serbisë për çështje të rëndësishme”, thotë Serweri, derisa shton se përkundër kësaj në çështjet si “personat e zhdukur dhe pretendimet financiare përparimi është i mundur”.

Në anën tjetër, Augustin Palokaj, korrespodent i KOHËS nga Brukseli, thotë se BE-ja ka nevojë për rolin amerikan, në mënyrë që ta rrisë besimin e palës kosovare në këtë proces.

“Ndonëse në BE thonë se kanë qëllimin e njëjtë me SHBA-në, një dallim është se Bashkimi Evropian nuk mund të pohojë se qëllimi i dialogut është njohja e ndërsjellët përderisa amerikanët e thonë një gjë të tillë. Siç dihet, BE-ja nuk mund të këtë qëndrim të qartë për statusin e Kosovës përderisa 5 vendet anëtare nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Palokaj.

E nga Bashkimi Evropian, derisa kanë konfirmuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, thonë se mezi presin takimin e ardhshëm të nivelit të lartë mes dy shteteve.

“Dialogu Beograd - Prishtinë është një proces i lehtësuar nga BE-ja, i cili është i lidhur me rrugën e BE-së, të Kosovës dhe Serbisë. BE-ja është mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së për ta lehtësuar dialogun për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më pranë Bashkimit Evropian. Partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, e respektojnë atë. Lehtësuesi i BE-së bashkëpunon ngushtë me partnerët tanë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare mezi po e presin takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut në qershor”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Gjatë vizitës së tyre, të hënën dhe të martën, zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, do të takohen me krerët shtetërorë, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe dy zëvendësit e tij, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla.

Përveç tyre, Palmeri dhe Lajçaku do të do të takohen edhe me liderët e partive opozitare në vend. Në ditën e fundit të vizitës së tyre, të martën, përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen gjatë muajit qershor, duke shënuar kështu vazhdimin e bisedimeve me Serbinë në kuadër të dialogut.

© KOHA Ditore

Folegjnda: Vizita e përbashkët e Palmerit dhe Lajçakut pak javë para nisjes së bisedimeve në Bruksel, sipas njohësve të këtyre proceseve, ka si synim të përçojë mesazhin e rëndësisë dhe urgjencës së procesit të dialogut Kosovë-Serbi