11 perditesime
17:07

Kuvendi shkarkon Bordin e AKP-së

Me 65 vota Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar të enjten Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Dy vota ishin kundër e nuk pati asnjë abstenim në votim.

Tani Qeveria duhet të dërgojë në Kuvend propozimet për bordin e ri.


Shtyhet seanca, debati për arsimin zhvillohet të enjten e ardhshme

Kuvendi i Kosovës ka mbyllur seancën plenare ende pa nisur me debatin parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në situatën me pandeminë COVID-19, e cila në rend dite ishte e fundit.

Ky debat do të zhvillohet të enjten e ardhshme.

Debati parlamentar në lidhje me gjendjen në arsim gjatë pandemisë është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

16:43

Haxhiu: Do të iniciojmë proces hetimor ndaj Qeverisë për manipulim me numrin e vdekjeve nga COVID-19

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka paralajmëruar Qeverinë se do të inicojë proces hetimor ndaj saj se ka manipuluar me numrin e vdekjeve nga COVID-19.

Ai ka thënë Qeveria Kurti ka manipuluar me numrat e të vdekurve.

“Kryeministër dhe këta deputetë tu prej datës 22 mars kur e ke marrë qeverinë, duke e manipuluar numrin prapë kanë vdekur 480 qytetarë të Kosovës, duke e manipuluar numrin e rasteve të vdekjes duke u përpjekur ta fshehin. Do të iniciojmë proces hetimor”, ka thënë ai.

16:18

Kurti: S’ka nevojë që disa krime të quhen të tilla vetëm pas vendimeve të gjykatave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka kryer krime përmes procesit të privatizimit. Në seancën ku në rend dite është futur shkarkimi i bordit të AKP-së, Kurti ka thënë se për të quajtur krime të privatizimit nuk ka nevojë që të quhen krime vetëm pas vendimeve të gjykatave.

“Pse duhet të shuhet AKP? AKP duhet të shuhet sepse duhet të ndërtohet Fondi Sovran nuk mundemi edhe AKP-në. Në zgjedhje ka fituar Fondi Sovran dhe banka zhvillimore prandaj ne duhet ta shuajmë AKP-në. Kuvendi ngarkon Kuvendi shkarkon, Kuvendi ngarkon sërish, AKP shuhet e Fondi Sovran ngrihet. Sa i përket privatizimeve, nuk ka nevojë për disa krime që të quhen krime vetëm pas vendimeve përfundimtare të gjykatave. Kur privatizimi i distribucionit të energjisë bëhet vetëm për 26 milionë nuk duhet me prit vendim të gjykatave me quajt krim. Çka ka ndodhur me fabrikën e amortizatorëve pikërisht nga AKP-ja, me fabrikën e gypave, nuk duhet me prit vendim nga gjykata”, ka thënë ai.

Kurti ka komentuar edhe ankesat e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, se po i ndalohet fjala. Sipas tij, Vetëvendosje ka ardhur në qeverisje “për të ndalë hajninë e jo fjalën e lirë”.

“Flisni sa të doni, seanca shpesh sa të mundeni, s’ka kurrfarë problemi absolutisht. Është interesante qysh njerëzit që flasin tërë kohën ankohen që s’kanë liri të fjalës. Ai që s’ka liri të fjalës ai s’mund të flasë hiq. Duhet të flasë dikush për të. Flet tërë ditën e thotë nuk po kam liri të fjalës. S’po di ai person a e dëgjon veten qysh e dëgjojmë ne”, ka thënë Kurti.

15:44

Besnik Tahiri: Kurti tregoi arrogancë të madhe kur tha se nuk më duhen votat e opozitës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar arrogancë të madhe kur sot më herët gjatë seancës tha se nuk i duhen votat e opozitës.

Tahiri i ka thënë kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca se është kthyer në një sekretar të ëndrrave dhe të veprimave “që i shohin natën Qeveria”.

“Arben Gashi foli për ty se sa i mirë je e sa kolegial je në Kryesi, me të thënë të drejtën je shumë kolegial në Kryesi. Mirëpo, ke kthy në një sekretar të ëndrrave dhe të veprimeve që i shohin natën Qeveria e na i bjen këtu në Kuvend me procedura që ti e din që i ki. Ti gjithashtu e di që për një vendim si ky na duhen analiza. Kurti tha sot nuk më duhen votat e opozitës. Kjo është arrogancë më e madhe e tij, kur po i duhemi për tema si dialogu po ka nevojë për ne, e kur po don me kap institucione nuk po i duhemi. Pranda kryetar mos vepro kështu, mos lejo me na ardh në këtë formë propozimet në Kuvend për të cilat duhet analizë. Këtë temë duke qenë se duhet amandamentohen dy ligjet kërkojmë një raport dhe një analizë të thukët dhe të marrim vendimin, por jo në këtë formë, sepse kjo e kthen Kosovën prapa, ndërsa për investitorët e jashtëm është një porosi që ne jemi këtu, ne jemi baba”, ka thënë Tahiri.

E kryetari i Kuvendit, Konjufca ka thënë se pozita e tij nuk është në atë nivel të arbitrimit që të heqë e të shtojë pika sipas qejfit të vet, dhe nuk është fuqia e tij, pasi nuk parashihet me rregullore.

E Besnik Tahiri i tha Konjufcës se e ka autoritetin dhe fuqinë ta thërrasë Kryesinë e Kuvendit.
“E ke pas këtë mundësi, sepse e ke ditë këtë punë, sepse i ke kolegë të partisë. Me na e pri ti neve me mocion procedural të lutem këtë nuk e blej”, tha Tahiri.

E Konjufca ka thënë se ka shpërputhje të madhe me atë që po pretendohet dhe atë që rekomandon Komisioni.
“Në debatim për këtë çështje me të thënë të drejtën, sa ju përcolla me vëmendje, ka pasur një shpërputhje mes asaj që po pretendoni dhe asaj që e rekomandon Komisioni. Komisioni përkatës ju drejtohet juve me këto rekomandime, e këto janë tema të ditës, është të mos miratohet Raporti, të shkarkohet Bordi dhe Qeveria të propozojë anëtarë të rinj. Këto janë temat sa i përket konstatimeve të kryeministrit që po lidheni shumë, ajo u përket veprimeve të tjera të pastajme të Qeverisë. Por sa i përket relacionit që e keni krijuar me shuarjen edhe kësaj që po diskutohet, këtu unë besoj që është një shpërputhje e madhe”, tha Konjufca.

15:31

Pasojat e shuarjes së AKP-së sipas LDK-së: Kosova humb qindra miliona euro

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se me shuarjen e AKP-së rrezikohen 20 mijë lëndë në dhomën e posaçme që kanë të bëjnë me këtë agjenci, e sipas tij, Kosova mund të humbasë qindra miliona euro.

“Janë disa probleme, është e vërtetë që ka probleme në AKP ka pasur në vazhdimësi edhe kur është drejtuar nga ndërkombëtarët edhe kur janë bartur te vendorët. Ajo që po prezantohet këtu nuk është asgjë. Ajo që tha kryeministri në seancë nuk reflektohet në propozim. Ai tha që duan ta shuajnë AKP-në. që të shuhet AKP duhet së paku dy ligje të ndryshohen. Pra duhet me ndryshu këto ligje por ne nuk kemi aso iniciative dhe nuk po shohim prezantim të mirëfilltë se si Qeveria e sheh të ardhmen e kësaj çështjeje. Këto probleme që po paraqiten kanë të bëjnë me mendësi, mënyra se si po arsyetohet është e gabuar. Po e shkarkojmë bordin sot se paskan me i marrë 20 mijë euro mëditje, po të ishte qëllimi ky është dashtë të kërkohet suspendimi deri në një zgjidhje por nuk është qëllimi ai. Nga prezantuesi u pa që nuk ka qëllim me e ndalë keqpërdorimin por me e kapë atë, me ndërru bordin me i çu disa bordista të vetë”, ka thënë ai

15:14

Komisioni për Ekonomi i propozon Kuvendit shkarkimin e Bordit të AKP-së

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2020 dhe i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës mosmiratimin e tij, ka thënë kryesuesi i këtij komisioni, deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

“Të mos miratohet raporti vjetor i AKP-së për 2020, të shkarkohet Bordi i AKP-së dhe Qeveria t’i propozojë Kuvendit përbërjen e re të Bordit. Unë e kam ndarë opinionin tim nga Komisioni. Komisioni me shumicë votash përkundër ndarjes së mendimit ka propozuar rekomandimet që i përmenda më lartë”, ka thënë Shala, në vazhdim të seancës së Kuvendit.

Ndërkohë Mimoza Kusari-Lila, që është u.d. e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se është domosdoshmëri ndërprerja e funksionimit të bordit aktual të AKP-së.

“Ndërprerja e funksionimit të bordit në përbërjen aktuale është domosdoshmëri për t’i hapur rrugë një bordi profesionist, i cili brenda këtij viti do ta përmbyllë aktivitetin e AKP-së, do t’i përcjellë rastet që kanë të bëjnë me procesin e likuidimit apo kontesteve që karakterizojnë procesin e privatizimit si dhe do të sigurohen që asetet e mbetura të pa likuiduara dhe privatizuara të kthehen në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se qëllimet që i ka kryeministri, Albin Kurti dhe ajo që po prezantohet sot ka dallim si nata me ditën.

“Mandatin e tyre kryeministri s’mund ta ndërrojë me një email po do të duhej të procedohej ligji. Ky bord që ju do ta votoni nesër apo pasnesër nuk do të mund ta kryejë këtë mandat të përmbylljes së punës së AKP-së, sepse nuk e lejon ligji dhe kur del përtej kornizave ligjore ata bëjnë vepër penale. Mandati i AKP është i qartë nuk mund ta zhbëjnë AKP-në”, ka thënë ai.


Kuvendi nisi me vonesë në mungesë të kuorumit, Konjufca: Mos t’i përmendi mëditjet se mbushet salla

Kuvendi i Kosovës nuk ka filluar vazhdimin e seancës plenare e paralajmëruar që nga ora 14:30, raporton Ekonomia Online.

Punimet nuk kanë nisur me kohë ngase në sallë nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca në formë shakaje tha se “Po pritoj me përdor fjalinë heqja e mëditjeve se nuk i zënë salla pastaj”.

Paraditen e së enjtes seanca e Kuvendit është përcjell me debate të ashpra pozitë-opozitë, kure në pjesën e mbetur do të debatohet për gjendjen e arsimit gjatë pandemisë, bordet e AKP-së dhe ARKEP-it etj.

11:46

Kurti sqaron deklaratën për kriminelët: Të tillë ka edhe në veri

Kryeministri Albin Kurti ka sqaruar deklaratën e tij lidhur me vendndodhjen e krimineleve të luftës.

Ai ka thënë se në Bruksel nuk e ka përmendur për herë të parë çështjen e kriminelëve të luftës.

Kurti ka thënë Serbia po e din për kë e ka pasur fjalën gjithashtu edhe Brukseli, duke shtuar se nuk po e dinë pse po lajmërohen disa në Kosovë.

“Unë besoj që kriminelë të luftës nuk ka veç në Serbi por ka edhe në veri, ka edhe në Bosnjë prandaj nuk kam folur me shtete. Unë këtu shoh një lloj paaftësie për ta bërë kritikën dhe rreziku më i madh i qeverisë sonë është mungesa e kritikës, nuk kemi rrezik tjetër. Kemi problem të madh me ju sepse jeni të paaftë me bo kritikë. Më lejoni ta shprehi ndihmën time për bashkëpunim edhe në këtë drejtim. Jam i gatshëm t’u jap ide. Unë nuk bëj ofertë pa kërkesë. Por prandaj unë ofroj bashkëpunimin tim që të kërkoni ide për të ma bërë mua kritikën. Me të vërtetë në muajt edhe vitet në vijim rreziku me i madh i qeverisë sime do të jetë mungesa e kritikës”, ka thënë ai.


Tahiri-Kurtit: Po e luan një lojë që do të kushtojë ty dhe Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e Kuvendit i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se është duke luajtur lojë që do t’i kushtojë gjithë Kosovës.

“Je ka e luan një lojë që do të kushtojë ty edhe fatkeqësisht Kosovës. Ne jemi këtu për të kritikuar, ne qasjen e kemi konstruktive, por qasja jote është shumë joserioze. Me këtë qasje je tu e dëmtu vendin shumë”, ka thënë Tahiri.


Tahiri-Kurtit: Nga paaftësia juaj për të qeverisur jeni kthyer te kritikat drejtuar opozitës

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka thënë kryeministrit Albin Kurti se nga paaftësia për të qeverisur është kthyer me kritika drejtuar opozitës.

“Nga paaftësia juaj për të qeverisur jeni kthyer tek kritika e opozitës. Por nuk ka këtu paaftësi të opozitës ka paaftësi të Qeverisë. Ajo sa i përket deklarimit tuaj në Bruksel është marre. Ata kriminelë mund të fshihen kudo, por ata janë kriminelë të Serbisë. Drejtori i Doganave, meqë e përmende si storie të suksesshme, qysh ndodhi që shpedicionin e kamionit me 400 kilogramë kokainë me bë djali i vëllait të drejtorit që po e lavdëron ti. Në rrethana normale ky drejtor është dashur të shkarkohet menjëherë”, ka thënë Tahiri.

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 14:30.

11:32

Kurti: AKP duhet dhe do të shuhet, andaj na duhet shkarkimi i Bordit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e gjithë kjo që po ndodh në Kuvend, është përpjekje për të përmbushur zotimet e dhëna gjatë fushatës.

Kurti ka mbrojtur futjen e raporteve për AKP e ARKEP në rend të ditës me procedurë të përshpejtuar. Sipas tij, AKP duhet të shuhet dhe për këtë duhet një bord i ri.

“Me AKP dhe ARKEP ne u dalim zot premtimeve tona për qytetarët. 50.28 për qind kanë votuar për fitoren tone, një fitore e paparë për Kosovën e pasluftës dhe kemi thënë që AKP do të shuhet dhe AKP do të shuhet, por që të shuhet AKP është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet Bordi se ka vjedhur shume, e ne nuk do t’i lejojmë. Janë paguar për të vjedhur merreni me mend. Janë paguar me rrogat më të larta në vendin tonë për të keqën më të madhe që e kanë sjellë në Kosovën e pasluftës. Kjo është arsyeja që na duhet një bord i ri që mision e ka shuarjen e AKP-së.


Haradinaj për Qeverisë Kurti: Po jepni sinjale se jeni Qeveria më e korruptuar se të gjitha të tjerat

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës thotë ka thënë se Qeveria Kurti po jep sinjale se është qeveria më e korruptuar se të gjitha qeveritë e kaluara.

Haradinaj foli edhe për subvencionet e fermerëve dhe vreshtarëve dhe kërkoi nga qeveria që të bëjë pagesën e ratës së dytë ndaj tyre.

“Unë i kam bërë një shkresë ministrit Peci dhe kam kërkuar nga ju që të më sqaroni a do të mundeni me pagua ratën e dytë të subvencioneve të cilën e ka paraparë Qeveria Hoti me pakon e rimëkëmbjes ekonomike e cila është pritë të kryhet në muajin prill, ndërsa shumë fermerë e vreshtarë po e presin pakon tjetër të asaj pako, dmth ratën e dytë, dhe kërkojmë nga ju të na tregoni kur do të mundeni me kry këtë dhe si do të shkojë kjo, sepse është me rëndësi si do të procedohet me këto pagesa për fermerët dhe vreshtarët”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se qeveria Kurti po bashkëpunon me ata biznesmenë për të cilët vazhdimisht ka akuzuar të gjitha qeveritë e kaluara, veçmas kur Haradinaj ishte kryeministër.

“Qeveria Kurti e ka nis keq me korrupsionin. Ministra nga kjo qeveri kane akuzuar lidhur me Nexhat Krsniqin nuk bënë të bashkëpunojmë me ata sepse janë baba të krimit, dhe si rezultat i presionit të këtyre deputetëve që sot janë ministra, kanë ndodh edhe shkarkime. Tani nuk e di nëse Nexhat Krasniqi i ka larë gjynahet dhe është bërë burrë i mirë, se tani ai nuk është më baba i krimit dhe është në punët e ministrit Liburn Aliu cili i kryen funksionet e veta, njeriu për të cilin ka dëgjuar e tërë Kosova, e i cili ka qenë temë për të cilin shumë herë jam detyruar të jap sqarime si kryeministër i Kosovës, ndërsa tani nuk po arrijë ta kuptoj nëse ka ndryshuar Nexhat Krasniqi apo Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj para deputetëve ka treguar një fotografi në të cilën shihet zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi bashkë me pronarin e një kompanie të cilës i ka dhënë tenderë menjëherë pas ardhjes në pozitë.

“Në fotografi kam zëvendësin e ministrit Aliu, Hysen Durmishi I cili shihet në një drekë pune me sipërmarrësin e punëdhënësit e tij të mëhershëm para se me u bë zëvendësministër. Nuk dua t’ia përmendi emrin, shihet që janë duke hëngër drekë, pra në momentin që ka hy në ministri, puna e parë pra tenderin e parë e ka marrë kjo kompani”, tha Haradinaj.

Ai i tha kryeministrit Kurti të ketë kujdes sepse po përcjell sinjale se kjo qeveri është më e korruptuara se të gjitha ato të kaluara.

“Unë e kuptoj se disa tema janë të vështira, çështjen e reciprocitetit unë e kam thënë se po të isha unë nuk e bëj sepse mendoj që kemi hyrë me një etapë të re, kur ka qenë taksa kemi pasur një situatë ndryshe. Tani jemi në një etapë të re dhe ju nuk po e bëni, por të paktën mos i zhgënjeni qytetarët sepse në këtë çështje ju kanë pritë dhe vërtetë duhet të jeni të kujdesshëm, dhe nuk duhet të jepni sinjale që ju jeni më të korruptuar se të gjithë të tjerët që kanë qenë deri sot”, përfundoi Haradinaj.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e tij vazhdon të jetë për reciprocitet dhe se ajo që do ta bëjnë është ta zbatojnë.

“Se ne jemi për reciprocitet nuk do mend ajo që do të bëjmë është ta zbatojmë dhe e gjithë përpjekja jonë është t’i shohim mundësitë për ta zbatuar atë. Kosova tash ka drejtor të ri të doganave. Për ta zbatuar reciprocitetin për të cilin jemi zotuar kemi nevojë t’u bëjmë ballë barrierave sporadike e sistematike e kjo na tregon që na duhet kohë të përgatitemi që të mos dështojmë në zbatim. Pse mund të dështojmë sepse jemi qeveria e parë që e kemi vendosur reciprocitetin dhe zyrtarët nuk janë të trajnuar për të. Sa për votat e opozitës edhe në këtë aspekt nuk kam nevojë. Sa i përket dialogut lokal. Ne konsiderojmë që dialogu me me pakicat duhet të jetë dialog për zhvillim e jo për pajtim unë nuk besoj që komunitet në Kosovë duhet të pajtohen”, ka thënë ai.

Image
11:09

Tahiri-Kurtit: Pse s’patët guxim t’i tregoni Bërnabiqit kush ka kryer krime

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti, pse nuk kishte guxim t’i tregonte kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq se kush ka kryer krime.

“Ju zgjeruat hartën dhe në kuadër të krimeve e vendosët edhe Republikën e Kosovës. Po ju pyes prapë kush janë kriminelët e luftës në Republikën e Kosovës që duhet të largohen nga institucionet?”, ka pyetur ai.

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi ka pyetur kryeministrin se çfarë dëshirojnë të arrijnë me dialogun me serbët lokalë.

Ndërkaq deputetja Time Kadrijaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti para zgjedhjeve deklaronte se reciprociteti me Serbinë do të jetë çështje javësh e kurrsesi muajsh.

“Derisa para disa ditëve ministrja Rozeta Hajdari tha se nuk kam dashur ta sjellë menjëherë reciprocitetin. Cila është e vërteta. Lëvizja Vetëvendosje gjatë historisë së saj ka trumbetuar shumë për reciprocitet tash janë akomoduar në karriget e tyre. Kjo ka vetëm një epilog mashtrim dhe hipokrizi ndaj qytetarëve të Kosovës. Ditët e javët kanë kaluar zoti Kurti kanë kaluar më shumë se dy muaj e ende nuk kemi reciprocitet”, ka thënë ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se procesi i privatizimit është bërë barrë e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Paramendoni është shitur toka në Mirushë të Malishevës për 11 euro ari, e njëjta tokë për shpronësim është përdorë për 1 mijë euro për ari. Çdo dite që operon ky bord është rrezik shtesë për asetet që i kanë mbetur shtetit”, ka thënë ai.

11:02

Futen në rend të ditës raportet për AKP dhe ARKEP

Deputetët kanë votuar që të shmangen procedurat dhe të futen në rend të ditës raportet për AKP-në dhe ARKEP-in.

Paraprakisht, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza kusari-Lila, e ka quajtur të nevojshme futjen në rend të ditës pikën për AKP-në dhe ARKEP-in, gjë që është kritikuar nga opozita, meqë sipas saj, nuk është gjë urgjente dhe mund të shkojë në Kuvend në procedurë të rregullt.

10:42

Opozita kundërshton propozimet që të futet pika për shkarkimin e bordit të AKP-së

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare të Kuvendit me dy propozime atë të raportit vjetor të AKP-së dhe emërimi i anëtarëve të bordit të ARKEP-it.

“Propozoj dy pika shtesë të rendit të ditës. Propozoj futjen në rend të ditës të dy rekomandime të miratuara në Komisionin për Ekonomi, i pari ka të bëjë me raportin vjetor të AKP-së dhe tjetri për anëtarët e bordit të ARKEP-it" ka thënë shefja e GP të VV-së Mimoza Kusari Lila.

Por futja e këtyre dy pikave është kundërshtuar nga partitët e tjera. Ferat Shala nga PDK e ka quajtur të ngutshëm këtë veprim të Vetëvendosjes.

“Konsideroj që Komisioni e ka përmbyllur me sukses te gjithë atë që është i thirrur Komisioni. Nuk e di pse po bëhet kjo nguti kur ende nuk është procesuar raporti i rregulltë për Kryesi të kuvendit. Unë kam ndarë opinionit tim dhe pse duhet të hyjë sot si pikë e rendit të ditës pa procedurë pa pritur mendim. Në Komision kanë dalë të dhëna shqetësuese për thirrjen e kryeministrit qe i ka bërë AKP-së për ndaljen e procedurave. Emaili i kryeministrit në ditën që i është drejtuar bordit për ndërprerje të procesit ka shkuar në një ditë të rëndësishme që mbi 1000 hektarë t’i kthehen agjencisë. Unë kam kërkuar raport shtesë pse bash atë ditë 15 minuta para vendimmarrjes kryeministri ka kërkuar ndërprerje të procesit të vendimmarrjes. A ka pas informacion kryeministri çka është duke ndodhur në AKP kur e ka dërguar atë email apo pse kur ky vet në program e ka kthimin e pronave pse e ka ndërpre atë proces” ka thënë Shala.

LDK gjithashtu e ka quajtur të paarsyeshme futjen e këtyre dy pikave në rend të ditës.

“Kërkesa për të futur në rend dite pika të tilla është e paarsyeshme, si grup parlamentar po na përsëriten situatat kur çështjet po vijnë me urgjencë në sallë. Ky imponim po më duhet i paarsyeshëm. Nuk ka ndonjë situatë të jashtëzakonshme që sot të merremi me urgjencë me cështjen e ARKEP-it dhe AKP-së. Është jo serioze të trajtohen këto tema në këtë formë. Asnjë deputet se ka ditur që do të trajtohen këto tema në këtë formë. Ne e kundërshtojmë, mund të thirrni një seancë tjetër brenda procedurave”

Ndërsa Besnik Tahiri nga AAK këtë veprim e ka quajtur kontrabandim.

” Synimi dhe qëllimi për të shtyer përpara këtë agjendë të kapjes së institucioneve rend me rend, ne jemi kundër dhe kërkojmë që kjo të bëhet në një seancë tjetër" ka thënë Tahiri.

08:13

Sot në Kuvend diskutohet për organizimin e arsimit gjatë pandemisë

Sot do të mbahet seancë plenare në Kuvend me fillim nga ora 10:00.

Në Seancë do të jenë disa pika të rendit të ditës. Do të shqyrtohet Raporti vjetor i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, e do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Bordit të RTK-së. Po ashtu edhe do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Ndër tjera do të ketë edhe debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në gjendjen e pandemisë.

Rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

4. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2020,

5. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

6. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media,

7. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

8. Debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Të fundit