Arbëri

KMDLNJ-ja kërkon që një i paraburgosur të dërgohet jashtë vendit për shërim

KMDLNJ-ja ka kërkuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe gjykata kompetente që i paraburgosuri me inicialet T.M 37 vjeç të transferohet jashtë vendit për trajtim shëndetësor.

Sipas një njoftimi për media thuhet se monitorues të KMDLNJ –së kanë vizituar të paraburgosurin, T.M., 37 vjeç, me banim në Prishtinë e që po trajtohet në QKUK për faktin se në Burgun e Dubravës nuk ka mundësi të trajtohet sa dhe si duhet.

“Familja e T.M. i është drejtuar KMDLNJ-së me një deklaratë të cilës i ka bashkangjitur një dosje mjekësore me të cilën vërteton se gjendja shëndetësore e tij është e rëndë, me tendencë të përkeqësimit nëse nuk i ofrohet ndihma e duhur mjekësore dhe se këto shërbime, përkatësisht analiza/biopsi nuk bëhen në QKUK apo në ndonjë spital privat në Kosovë përveç në Shkup, ku është trajtuar për një kohë të gjatë” thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ-ja thotë se i paraburgosuri T.M. është vetëm me një veshkë dhe atë e ka të transplantuar, andaj e ka një gjendje delikate shëndetësore e cila kërkon trajtim profesional e që, në vendin tonë dhe në rrethanat aktuale nuk mund t’i ofrohet.

“Për analizën/biopsinë, i paraburgosuri T.M. duhet të shkojë në një spital privat në Shkup e që, për shkak se është i privuar nga liria dhe nën hetime e ka të pamundur ta bëjë këtë, pa lejen e gjykatës”, thuhet në reagim.

KMDLNJ-ja kujton se ka mandat të kërkojë që të paraburgosurit t’i ofrohet mundësia për trajtim të nevojshëm shëndetësor në mënyrë që t’i mos i rrezikohet jeta, e cila e drejtë është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria.