Arbëri

Licencimi i hidrocentraleve çon në procedurë disiplinore drejtorin e ARPL-së, Gani Berisha

Berisha dyshohet se ka bërë shkelje të rënda të detyrës, paligjshmëri dhe neglizhencë në punë, abuzim me detyrën zyrtare, presion mbi Komisionin për Leje Ujore, mosmbrojtje të resurseve ujore, mosinkasim të mjeteve nga ambalazhuesit e ujit dhe moseliminim të gjetjeve të auditorit. Por, ai ka mohuar se ka bërë një gjë të tillë

Shtatë pretendime për shkelje të detyrave të punës i janë listuar drejtorit të Autoritetit Rajonal për Pellgje Lumore, Gani Berisha. Për këto, ndaj Berishës është iniciuar procedurë disiplinore dhe gjatë javës së ardhshme pritet të merret vendim për hapat e tjerë.

Nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë konfirmuar për KOHËN se lënda është në fazën e shqyrtimit.

Sipas MMPHI-së, komisionit i janë dërguar dokumentet përkatëse që evidentojnë një varg shkeljesh.

Berisha dyshohet se ka bërë shkelje të rënda të detyrës, paligjshmëri dhe neglizhencë në punë, abuzim me detyrën zyrtare, presion mbi Komisionin për Leje Ujore, mosmbrojtje të resurseve ujore, mosinkasim të mjeteve nga ambalazhuesit e ujit dhe moseliminim të gjetjeve të auditorit.

KOHA ka raportuar për shumicën e këtyre pretendimeve për shkeljeve të detyrave nga ana e Berishës.

Por, Berisha ka mohuar se ka bërë një gjë të tillë. Ai përmes telefonit ka konfirmuar se është dërguar në Komision disiplinor, por thotë se këto pretendime nuk qëndrojnë.

“Është e vërtetë që është krijuar një komision. Unë ka 20 vjet që punoj në Ministri, çka është zyrtare, çka është në rrugë institucionale, e kam pritur dhe kam pranuar me qetësi e me gjakftohtësi, ai e kryen punën e vetë unë ndihem i pafajshëm, nuk kam koment më shumë. Në këtë rast derisa është duke punuar komisioni, nuk kam qëndrim për këtë”, ka thënë Berisha.

Berisha po dyshohet se gjatë licencimit të “Lumbardhi 2” ka bërë presion mbi anëtarët e komisionit. Por, kjo është mohuar nga Berisha.

KOHA kishte raportuar se si udhëheqësi i lëndës për “Lumbardhi 2” kishte dhënë dorëheqjen, pasi kishte kërkuar që të bëhet ekspertizë, shkaku i kompleksitetit të lëndës dhe devijimit të projektit nga hapat fillestarë.

Burime të KOHËS brenda Ministrisë kanë thënë se zyrtarët e Ministrisë që lëshuan këtë leje, dyshohet se nuk e kanë vizituar fare vendin e ngjarjes. Sipas këtij burimi, shkaku i kushteve të vështira atmosferike ata e kanë vizituar vetëm objektin e hidrocentralit ku ndodhen turbinat, por jo edhe vendin e marrjes së veprës së ujit, rreth 2 kilometra më lart.

Ndërkohë, ZRRE-ja në nëntor të vitit të kaluar ka licencuar dy hidrocentrale të tjera të KELKOS-it, pasi ato janë pajisur me leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Puna e tyre është pezulluar përkohësisht, shkaku i procedurave gjyqësore që po zhvillohen pas padive nga shoqëria civile kundër këtyre licencave.

Vendimi për leje ujore për hidrocentralin “Lumbardhi 2” është aprovuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore dhe është nënshkruar nga sekretari Fatos Qerimi.

Vendimi u mor pasi më parë u lëshuan dy leje mjedisore për dy hidrocentralet e tjera të KELKOS-it në atë pjesë, “Deçani” dhe “Bellaja”.

Por, përkundër kësaj leje është dhënë. Nga Ministria nuk kanë bërë të ditur se çfarë do të ndodhë me ato vendime nëse vërtetohen pretendimet për shkelje.

Pos kësaj, Ministria ka themeluar edhe një Komision që po merret me shqyrtimin e mënyrës së licencimit të hidrocentraleve.

Berisha po fajësohet edhe për mosinkasimin e taksës për shfrytëzimin e ujit nga kompanitë e ambalazhimit, ku çdo vjet buxheti humb miliona euro shkaku i kësaj.

Kjo ministri asnjëherë nuk ka dërguar vendimet financiare për këto kompani, me arsyetimin se operatorët ekonomikë nuk kanë raportuar paraprakisht për sasinë e shfrytëzuar të ujit të ambalazhuar, ashtu siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.

Shkeljet zinxhirore, të bëra nga MMPH-ja që nga viti 2006, kishte tentuar që t’i amnistonte në atë kohë kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj. Ai në një mbledhje më 3 tetor të vitit 2017, kishte marrë vendim që të aprovonte faljen e borxheve për këto kompani, përmes ndryshimit të një neni të Udhëzimit administrativ për strukturën e pagesës së ujit. Borxhi i tyre, sipas një raporti të Komisionit Ndërministror për Ujëra, supozohet të jetë 59 milionë euro.

Por, më pas ai kishte hequr dorë nga falja e borxhit për ambalazhuesit, duke e ndryshuar vendimin paraprak, ku nga pika e parë e vendimit ai ka hequr fjalën “aprovohet falja e borxheve” dhe e ka zëvendësuar atë me “aprovohen lehtësirat për ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit administrativ, për strukturën e pagesave të ujit”.

Edhe pse kanë kaluar mbi 2 vjet nga ky vendim, kjo Ministri nuk ka arritur që të bëjë zgjidhje. Ajo ka tentuar që përmes ndryshimit të udhëzimit administrativ, sipas kërkesës së vendimit të Qeverisë për lehtësira për kompanitë e ambalazhimit, të bëjë zgjidhje për arkëtimin e kësaj takse.