Tentim për fshirje të trashëgimisë kulturore serbe e fabrikim të identitetit e ka konsideruar Qeveria e Serbisë letrën e përbashkët të institucioneve në vend drejtuar UNESCO-s, ku ndër të tjerash është kërkuar që të mos cilësohen të rrezikuara katër monumentet ortodokse në Kosovë. Në reagimin e Ministrisë serbe të Kulturës dhe Informimit thuhet se përshkrimi i gjendjes së trashëgimisë kulturore është dëshmi se e njëjta është duke u përdorur për qëllime politike. Në anën tjetër, njohësit e konsiderojnë çështje jo të lehtë, por të rëndësishme, gatishmërinë e vendit për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara
Pa u bërë 24 orë nga publikimi i letrës që tre krerët institucionalë të Kosovës ia adresuan UNESCO-s, ka reaguar Qeveria e Serbisë. Ministria e Kulturës dhe Informimit e Serbisë, me gjuhën e zakonshme të përdorur karshi Kosovës, ka shpërthyer në akuza se Kosova është duke u tentuar “ta fshijë nga faqja e dheut trashëgiminë kulturore të Serbisë”.
Në reagimin afro njëfaqësh thuhet se kërkesa e Kosovës që UNESCO t’i largojë katër monumentet nga Lista e Trashëgimisë Kulturore në rrezik është “vazhdimësi direkte e dhunës, në shënjestër të së cilës ka qenë kjo trashëgimi”.
Sipas Ministrisë serbe të Kulturës dhe Informimit, nisma e Kosovës për kulturën është e motivuar politikisht dhe përmes saj synohet të uzurpohen tradita dhe trashëgimia serbe në Kosovë.
“Hipokrizia e cinizmi me të cilën përshkruhet gjendja e trashëgimisë kulturore në Kosovë e Metohi paraqet dëshmi shtesë për gatishmërinë e keqpërdorimit të trashëgimisë kulturore në qëllimet politike ditore. Prishtina flet për atë që e paraqet si gjendje të mirë të trashëgimisë kulturore në Kosovë e Metohi, e ajo pjesë e trashëgimisë kulturore ia doli t’u mbijetojë djegieve, thyerjeve e përdhosjeve, jo falë brengës së Prishtinës, por falë sakrificës së popullit serb, shtetit të Serbisë dhe denoncimit të përhershëm të këtyre sulmeve te bashkësia ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e palës serbe, derisa ai përmbyllet me “përkushtimin” e Ministrisë për “mbrojtjen e trashëgimisë dhe vlerave kulturore nga uzurpimi, falsifikimet dhe llojet e tjera të dhunës”.
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se së bashku me presidenten Vjosa Osmani e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i kanë shkruar UNESCO-s.
Letra, e cila i është drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 21 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, përmban katër kërkesa. E para, që Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren të largohen nga kategoria “në rrezik”. Një kërkesë e tillë, sipas njoftimit nga kryeministri Kurti, është bërë “pasi rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006, kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara.
Kërkesë tjetër është ndryshimi i terminologjisë që përdoret në raportet dhe dokumentet e UNESCO-s, ku ndër të tjerash në vend të Republikës së Kosovës thuhet “Provinca Autonome e Kosovës”, e “Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë” në vend të institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.
Krerët e institucioneve në vend kanë kërkuar po ashtu edhe nisjen e procesit që Kosova të jetë përgjegjëse për katër monumentet ortodokse në vend të Serbisë, siç është aktualisht. Kjo pasi, siç thuhet në letër, Serbia nuk ka asnjë kontroll real apo juridik mbi to dhe rrjedhimisht nuk mund t’i përmbushë detyrimet e saj karshi UNESCO-s.
Krejt në fund, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës kanë shprehur gatishmërinë e vendit për anëtarësim në UNESCO, për të cilën gjë krerët e institucioneve besojnë se është e drejtë e mohuar para disa vitesh si rezultat i mungesës së votave të mjaftueshme në vitin 2015.
Por, anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, Sali Shoshi, udhëheqës i fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore Pa kufij”, e konsideron çështje jo të lehtë. E ka vlerësuar të duhur komunikimin me institucionet ndërkombëtare, ku, sipas Shoshit, duhet të adresohen shqetësimet e shteteve mike të cilat mund të ndihmojnë në këtë proces.
“Në votimin e kaluar kemi vërejtur shtete sikurse Polonia dhe Japonia të cilat, përkundër që e njohin shtetësinë e Kosovës, nuk e kanë përkrahur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Në lidhje me këtë, mendoj që institucionet përkatëse duhet të bëjnë një analizë në lidhje me këtë dhe t’i adresojnë shqetësimet e mundshme të këtyre vendeve, në mënyrë që ta fitojnë përkrahjen e tyre”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, mënyra më e mirë për t’i adresuar shqetësimet e mundshme të secilit vend mik, anëtar i UNESCO-s, është rritja e angazhimit dhe përkushtimit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke aplikuar standarde ndërkombëtare. Shoshi ka kritikuar institucionet në vend për qasjen e tyre karshi trashëgimisë kulturore.
“Deri më sot, Kosova ka bërë shumë pak për t’i identifikuar, mbrojtur dhe integruar asetet e trashëgimisë kulturore në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Kosova duhet të tregojë se është vend në të cilin qytetarët e saj e gëzojnë të drejtën për qasje në kulturën e tyre”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Kosova vazhdon të jetë peng i moratoriumit njëvjeçar për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, derivat ky i marrëveshjes së arritur në Washington.
Sipas Besnik Vasollit, njohës i proceseve integruese, marrëveshja e 4 shtatorit duhet të respektohet, por e njëjta nuk duhet të jetë pengesë për institucionet e vendit.
“Serioziteti i shteteve varet me respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe obligimeve që i kanë marrë, pa marrë parasysh cili pushtet ka qenë në atë kohë. Unë mendoj se Kosova obligimet që i ka marrë duhet t’i respektojë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk mund të bëhemi gati dhe të përgatitemi për aplikim në këto organizata, të cilat janë shumë të rëndësishme”, ka thënë Vasolli.
Ka bërë thirrje që anëtarësimin në këto organizata – konkretisht në UNESCO – institucionet në vend të mos e shohin si çështje politike dhe si e tillë të kërkohet të trajtohet edhe nga ndërkombëtarët.
Gjuhën e njëjtë Serbia e ka përdorur karshi Kosovës edhe dy ditë më parë, kur institucionet kërkuan kthimin e artefakteve të vjedhura më ‘98-‘99. Në reagimin e saj, Qeveria e Serbisë, një kërkesë të tillë, ndër të tjerash, e ka cilësuar si “shtrembërim faktesh e falsifikim”, si dhe “konfirmim të kërcënimit ndaj trashëgimisë kulturore”.
Muzeu Kombëtar i Kosovës, Ministria e Kulturës dhe ajo e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më 20 maj i dërguan letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik të Beogradit dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi, duke kërkuar kthimin e mbi 1240 artefakteve.
“Ato duhet të kthehen sa më parë në vendin e tyre të origjinës. Për ta realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë”, thuhej ndër të tjerash në letër.
Në reagimin e bërë më 20 maj, “lidhur me kërkesën e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë për ‘kthimin e artefakteve’, Ministria e Kulturës dhe Informacionit kishte shkruar se ky është “padyshim një tjetër keqpërdorim në serinë e abuzimit të kulturës për të promovuar pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe Metohisë dhe fabrikim i legjitimitetit të rremë të institucioneve”.