Arbëri

IAP: Kritere diskriminuese për pranimin e fëmijëve në institucione parashkollore

Foto: Reuters

Udhëzimi Administrativ për Përfshirjen e Fëmijëve në Institucione Parashkollore në Kosovë nuk është i qartë, konciz dhe normat përkatëse të tij, janë kundërthënëse ka konstatuar një raport i Avokatit të Popullit.

Ky udhëzim sipas Avokatit të Popullit nuk ka konsistencë si dhe nuk është në pajtim me parimet bazë dhe autorizimet që dalin nga Ligji për Edukimin Parashkollor dhe me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, siç janë: barazia, gjithë përfshirja dhe zhvillimi i gjithanshëm i personalitetit të fëmijëve.

Sipas një njoftimi të këtij institucioni është vërejtur se kërkesa për kontratën e punësimit tё prindërve, e vendosur nga disa komuna gjatë publikimit tё konkurseve për pranim në institucione parashkollore, si dhe vërejtja e tyre se aplikimet pa këto dokumente nuk do tё shqyrtohen është në kundërshtim më Udhëzimin Administrativ Nr. 19/ 2016.

“Për më shumë ky kriter nuk është në pajtim me parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike. Avokati i Popullit konstaton se kërkesa për prindërit që të paraqesin kontratat e punës për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore është diskriminuese dhe trajtim i pabarabartë para ligjit” thuhet më tutje në raport.

Udhёzimi në fjalë sipas këtij raporti nuk ofron siguri juridike, alternativa tё qarta dhe tё përballueshme pёr fëmijët me dëmtime tё rënda, nё mënyrë qё ata t’i gëzojnë tё njëjtat tё drejta si tё gjithë fëmijët e tjerë, më specifikisht tё drejtën e fёmijёve pёr arsim, për mos diskriminim dhe për interesin mё tё mirё tё tyre.

Avokati i Popullit gjithashtu vërejti se vendosja e këtij prioriteti nga disa komuna ka ardhur nga mungesa e kapaciteteve dhe e burimeve pёr ta akomoduar numrin e madh tё aplikimeve me gjithë vullnetin e tyre pёr t’i pёrfshirё tё gjithё fёmijёt pa dallim.