3 perditesime
21:08

Ekspertët paralajmërojnë sfida të mëdha nëse Kosova tenton paditjen e Serbisë për gjenocid

Dy sfida të mëdha e presin Kosovën në rast se tenton të padisë Serbinë për gjenocid, sipas dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Avni Puka. Ndërkaq, sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, përmendja e shpeshtë e gjenocidit, por mospuna për të kryer punë po shkakton zhgënjim te familjarët e viktimave në Kosovë.

Për paralajmërimin e Qeverisë Kurti për paditjen e Serbisë për gjenocid, Puka ka thënë se Kosovën e pret një rrezik i lartë nëse i hyn kësaj rruge.

“Nëse flasim për peshën, koncepti mbi gjenocidin dhe formulimi i tij mbi aktet ndërkombëtare, gjenocidi përcaktohet si krim që kryhet me qëllim për të shfarosë në tërësi apo pjesërisht një grup etnik, racor e kombëtar ose fetar. Në krye të piramidës së krimeve është gjenocidi. Pesha e tij është e madhe”, ka dhenë ai shpjegimin për gjenocidin. Sipas tij, nëse Kosova i hyn rrugës së paditjes së Serbisë, i duhet të ketë një vlerësim të mirëfilltë e të thellë se si duhet të vazhdohet. Si raste që kanë dështuar ka përmendur Kroacinë, por edhe Bosnjën që iu pranuan vetëm disa elemente, “por jo edhe padia që të paditet shteti”.

“Janë dy sfida të larta. Standardi i lartë për të pranuar padi për gjenocid dhe në rastin e dytë ne s’jemi anëtare e OKB-së. Në kuptimin procedural shtete anëtare s’e kanë problem. Për ne sfida e parë është ta tejkalojmë këtë që të jemi palë. Apo krejt këtë mund ta bëjë një shtet i tretë. Pastaj është sfida e të provuarit. Duhet ta mendojmë tani e jo kur të arrijmë aty. Në çfarë baze mund ta provojmë se ka pasur gjenocid. E nëse konstatohet apo refuzohet kosto mund të jetë shumë e lartë në aspektin diplomatik e politik. Duhet të mendohet tani, pa e kontestuar pretendimin që të diskutojmë për këtë apo që të shkojmë për të. Aktualisht ky është rreziku që duhet të mendohet tash pasi mund të ketë situatë aspak të favorshme. Kjo mund t’i vështirësonte gjërat për Kosovën”, ka thënë ai në emisionin Desku në KTV.

Ndërkaq, sipas Blakajt, çështja e gjenocidit është përmendur zakonisht vetëm në fushata apo zgjedhje. Ai ka thënë se kjo ngjallë shpresë te komuniteti i viktimave, e që pasohet me zhgënjim.

“Nëse përmendet gjenocidi nga ana tjetër s’bëhet asgjë, që të mblidhen provat e dokumentimet mund të sillen vetëm dëme. Sepse zhgënjimi i viktimave vazhdon. Pala tjetër krijon njëfarë rezistence dhe kjo sigurisht s’dërgon te pajtimi në të ardhmen”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se pranimi i provave apo dokumentimi i viktimave duhet të pranohet nga të gjitha palët dhe kjo do të mund të lehtësonte ballafaqimin me të kaluarën.


Blakaj: Në dialog të imponohet tema e bashkëpunimit juridik, kryesit e krimeve në Serbi të paqasshëm për Kosovën

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, ka thënë se në dialog duhet të kërkohet bashkëpunimi juridik me Serbinë. Ai ka thënë se këtë gjë ua ka rekomanduar edhe institucioneve të Kosovës që në dialog të kërkohet përfshirja e kësaj.

Blakaj ka thënë se duhet të insistohet, sidomos në rastet kur “provat janë të gatshme që të kërkohet përgjegjësi penale që ata që janë fajtorë të procedohen para gjykatës”.

“Në dialog ta imponojnë edhe temën e bashkëpunimit juridik. Problemi është pse ka kaq pak drejtësi për viktimat në Kosovë, është edhe politik. Serbia nuk e njeh Kosovën e as institucionet e Kosovës. Shumica e atyre që kanë kryer krime ndaj civilëve shqiptarë, janë në Serbi të paqasshëm nga organet e drejtësisë në Kosovës dhe atyre u janë krijuar kushtet për mosndëshkueshmëri”, ka thënë ai.

20:55

Blakaj thotë se është bërë pak nga ana e Kosovës për evidentimin e krimeve të luftës

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, ka thënë se sfidë për Kosovën është se nuk ekziston një instancë e cila i evidenton dhe i dokumenton të gjitha të dhënat për krimet e luftës.

Ai ka thënë se Instituti për Krime Lufte kishte nisur një punë të tillë, porse nuk ka pasur përkrahje nga institucionet.

“Janë disa shoqata që kanë dokumentuar por problemi është se nuk ka koordinim në mes të organizatave, institucioneve që i mbledhin të dhënat. Nuk është asnjë vend i centralizuar ku dikush mund t’i gjejë të gjitha të dhënat, edhe për dëmet materiale, edhe për kategoritë e ndryshme të viktimave. Ndoshta kjo është dashtë të ishte punë e Institutit në të kaluarën, ka punuar për 5-6 vite dhe ka nxjerrë disa publikë, por nuk është as afër nga ajo që është pritë. Si duket nuk ka pasur asnjë përkrahje serioze ky institut nga institucionet e tjera, nuk ka pasur as resurse”, ka thënë ai.

Blakaj ka thënë se duhet pranuar fakti se “fare pak është bërë” për evidentimin e të dhënave për krimet në Kosovë.

20:35

Dekani i Juridikut në UP konsideron se Kosova ka ngecur mbrapa në dokumentimin e krimeve të luftës

“Adresimi i krimeve të luftës, gjykimi i tyre e drejtësia për viktimat është temë që është dashur të diskutohej pak pas vitit 2000”. Kështu e ka përshkruar ngecjen e Kosovës në dokumentimin e krimeve të luftës dhe gjykimin e tyre, dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Avni Puka.

Në emisionin Desku në KTV, Puka ka thënë se Kosova i ka pasur të gjitha mundësitë përmes shumë juridiksioneve të shumta që të hetojë e gjykojë krimet e luftës. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai ka thënë se shteti ka ngecur mbrapa duke bërë shumë pak për këtë çështje.

“S’besoj se historia njeh më shumë juridiksione që formalisht kanë pasur kompetencë për të hetuar e gjykuar krime të luftës. Duke filluar nga Tribunali i Hagës që kishte për juridiksion edhe territorin e Kosovës, pastaj kemi pasur UNMIK-un, EULEX-in, sistemin e drejtësisë, dhomat e specializuara për krimet e luftës në Serbi, e gjykata Speciale këtu. Me gjithë këto mundësi jemi në një stad ku për adresimin e krimeve të luftës është bërë shumë pak”, ka deklaruar ai.

“Jemi mbrapa me dokumentim të krimeve të luftës, hetim e gjykim. Jemi shumë larg edhe në standardet e rajonit e lëre me vendet tjera, që qoftë edhe nga drejtësia ndërkombëtare nga shumë perspektiva i ka trajtuar shumë më seriozisht. S’është afati kohor që mund të diskutojmë, por trajtimi i drejtësisë për viktimat ka dimension edhe kulturor. Adresimi i krimeve të luftës duhet të jetë bazë për ndërtimin e së ardhmes”, ka shtuar më tej Puka.

20:29

Blakaj: Në Kosovë janë respektuar më pak ligjet e luftës, civilët janë targetuar qëllimshëm

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, ka thënë se në Kosovë në krahasim me vendet e rajonit ku janë zhvilluar luftëra, janë respektuar më pak ligjet e luftës dhe civilët janë targetuar qëllimshëm.

“Nëse bëjmë një krahasim me luftërat gjatë shpërbërjes në ish-Jugosllavi, në Kroaci dhe Bosnjë, përqindja e civilëve të vrarë e të zhdukur është më e madhe në Kosovë. Mund të nxjerrim një konkluzion se në Kosovë më pak janë respektuar ligjet dhe zakonet e luftës dhe civilët janë targetuar në mënyrë të qëllimshme”, ka thënë si në Deskun e KOHËS.

Blakaj ka treguar të dhënat të cilat Fondi ka arritur t’i mbledhë përgjatë viteve për të vrarët dhe të zhdukurit nga lufta dhe pas luftës, në një periudhë dy vjeçare.

“Në Fondin për të Drejtën Humanitare po i evidentojmë të vrarët dhe të zhdukurit. Ne kemi marrë një periudhë kohore prej 1 janarit 98 deri më 31 dhjetori 2000. Në këtë periudhë ne kemi regjistruar 13,535 njerëz që janë vrarë apo janë zhdukur. Shumica prej tyre deri nga 10 qershori 99, pas vitit 99 deri më 2000 janë diku rreth 1 mijë persona që janë shumica të komunitetit serb e rom por ka edhe shqiptarë. Rreth 10 mijë e 800 prej tyre janë shqiptarë, 2200 serbë dhe janë disa qindra të komuniteteve të tjera. Aty janë të përfshirë të gjithë, jo vetëm civilët, pra aty janë edhe pjesëtarët e UÇK-së”, ka treguar Blakaj.

Blakaj ka shtuar se mbi 80 për qind e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë kanë qenë civilë shqiptarë, të cilët nuk kanë qenë pjesë aktive e luftës.

“Tek shqiptarët mbi 80 për qind janë civilë që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt, ndërsa tek serbët kjo përqindje është diku 52-3 për qind civilë dhe pjesë tjetër 47 për qind janë pjesëtarë të ushtrisë së Jugosllavisë. Rreth 75 për qind të të gjithë të vrarëve dhe të zhdukurve në Kosovë kanë qenë civilë”, përfundoi Blakaj.