3 perditesime
23:36

Kokaina e sekuestruar do të shkatërrohet

Drejtori i Drejtorisë Antidrogë në Policinë e Kosovës, Bahri Shala, ka thënë se janë në diskutim se çfarë do të ndodhë me këtë sasi të kokainës së sekuestruar.

Sipas tij, do të tërhiqen mostrat nga secili kilogram dhe pastaj do të merret urdhëresa për shkatërrim, edhe pse sipas tij, kushtet fizike në dhomat e dëshmive të Policisë janë shumë të sigurta.

Shala ka thënë se është derë e blinduar dhe është në një thellësi që nuk mund të kalohet lehtë.

“Është edhe sigurimi i Policisë që rrejnë vazhdimisht e bëjnë siguri. Po për shkak të vendit e hapësirës jemi në tentativë që proceduralisht të shkatërrohet sa më shpejtë. Në çdo paketim do të tërhiqet nga një mostër, nga krejt sasia duhet të tërhiqen 400 mostra”, ka thënë ai.

23:30

Shala: Kosova nuk ishte destinacioni i vetëm i ngarkesës së drogës

Drejtori i Drejtorisë Antidrogë në Policinë e Kosovës, Bahri Shala, ka thënë se Kosova si territor është i vogël që të ketë një sasi kaq të madhe të kësaj substance.

Ai ka thënë se në Kosovë 1 kilogram kokainë kushton 50 mijë euro.

“Është mbi 50 mijë euro për një kilogram, varësisht prej marrëveshjes që e bëjnë të dyshuarit. Gjithë kjo ngarkesë është e tejkaluar në bazë të kërkesave të Kosovës për konsum. Te transporti ndërkombëtar ka mundësi që atje është më lirë. Mund të jetë përkohësisht Kosova si destinacion për shkak të destinacionit gjeografik. Është hera e parë që ka si destinacion Kosovën. Jemi në proces të verifikimit. Nuk po besojmë që janë vetëm qytetarët tanë të involvuar në këtë krim”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se ka qenë në risk për institucionet që të lihet shpërndarja e kësaj sasie.

23:20

Shala: Droga e sekuestruar nuk ishte e përzier me mishin

Drejtor i Drejtorisë Antidrogë në Policinë e Kosovës, Bahri Shala, ka thënë se kokaina e cila ka ardhur në Kosovë nga Brazili ka qenë në një kontejner i cili barte mish.

Sipas tij, kjo substancë nuk ka qenë e përzier me mishin.

Ai ka thënë se deri te vendimi për ndërhyrje nga Policia ka ardhur për shkak se të dyshuarit kanë vendosur ta shkarkojnë ngarkesën.

Shala ka thënë se brenda kontejnerit ka pasur paketime të mishit dhe kokainës por të njëjtat nuk kanë qenë të përziera me njëra-tjetrën.

Sipas tij, gjatë intervenimit personat e dyshuar kanë shkarkuar vetëm paketimet me kokainë.

“Disa persona janë arrestuar në vendin e ngjarjes e disa të tjerë në lokacione të tjera. Ne do të kërkojmë edhe nga Brazili për origjinën e vendit se si ka ardhur deri te futja e kokainës në Kosovë. Sipas vendbanimeve, kemi realizuar bastisje në Prishtinë, Lipjan, Gjilan, Pejë dhe Obiliq”, ka thënë ai.

Shala ka shtuar se deri në këtë fazë janë siguruar prova për shtatë persona si të implikuar, porse gjatë hetimit mund të rritet numri i personave të dyshuar.

Ai ka thënë se nuk e dinë se nga e kanë marrë mediat e Shqipërisë informacionin për ardhjen e drogës në Kosovë.

 

23:10

Shala: Droga u zbulua në Itali dy javë më parë

Drejtori i Drejtorisë Antidrogë në Policinë e Kosovës, Bahri Shala, ka treguar se droga e llojit kokainë e sekuestruar sot në Kosovë, është detektuar fillimisht në një port të Italisë, më 3 maj.

Shala në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se droga është zbuluar se në një nga kontejnerët që vinin nga Brazili.

“Nga aty ka nisur operacioni. Policia italiane përmes mjeteve të sofistikuara ka zbuluar se dyshohet për drogë të llojit kokainë dhe se destinacion kishte Kosovën. Fal një bashkëpunimi të policive dhe prokurorive të tri vendeve, Kosovë-Shqipëri-Itali, është bërë i mundur ky operacion”, ka thënë Shala.

Ai ka treguar se kamioni që u zu me drogë sot, është futur në Kosovë të shtunën dhe po atë ditë është parkuar në afërsi të një firmë private.

“Gjithë kohës ka qenë në përcjellje. Edhe kur është parkuar ka qenë në përcjellje fizike deri më sot, kur është finalizuar operacioni edhe me ndalimin e disa personave të dyshimtë”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës sot ka sekuestruar rreth 400 kilogramë kokainë, ndërkohë ka ndaluar shtatë persona të dyshimtë për këtë. Vlera e drogës, sipas Policisë, vlerësohet rreth 20 milionë euro.