Arbëri

Osmani merr pjesë në Samitin e presidentëve të rajonit në Slloveni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në takimin e 10-të të procesit Brdo-Brijuni me pjesëmarrjen e presidentëve të shteteve të rajonit, duke përfshirë presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilët janë nikoqirë të takimit.

Temat që do të diskutohen në takimin në Brdo afër Kranjit janë: rëndësia e procesit Brdo-Brijuni në 10-vjetorin e tij, adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe plani investues i BE-së, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve te Ballkanit Perëndimor, thuhet nga Presidenca

“Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t`i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces. Në margjina të takimit, Presidentja Osmani do ta zhvillojë takime bilaterale me presidentët e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet nga zyra e presidentes.

Osmani më 13 maj ka pritur në takim në Prishtinë, presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, në funksion të parapërgatitjes për takimin e Brdos.