Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar presidentja Vjosa Osmani. Ajo është duke kërkuar nga Kushtetuesja interpretimin e një pike të nenit që lidhet me emërimin e dy anëtarëve të KQZ-së. Por, emërimi i vetëm 8 anëtarëve nga 10, sa duhet gjithsej, e kërkesa drejtuar Kushtetueses është duke u kritikuar nga shoqëria civile. Njohësit e punës së institucioneve në vend konsiderojnë se veprimi i presidentes Osmani do të ndikojë negativisht në funksionalitetin e KQZ-së.
Me kritika janë përcjellë vendimi i presidentes Vjosa Osmani për emërimin e një pjese të anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor e kërkesa e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Dy ditë më parë, Osmani ka emëruar 8 nga 10 anëtarë, sa do të duhej t’i emëronte gjithsej. Për emërimin e dy anëtarëve të tjerë, ajo i është drejtuar gjykatës për interpretim.
Ky veprim i presidentes është konsideruar i panevojshëm e në dëm të funksionalitetit të KQZ-së nga shoqëria civile.
Albert Krasniqi nga Demokraci Plus thotë se Kushtetuta e Kosovës është e qartë sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së.
“Gjykata Kushtetuese nuk është zyrë ligjore e presidencës për t’iu ofruar sqarime sa herë që ata kanë paqartësi, sa herë të kanë nevojë. Ato duhet t’i shtjerrin brenda organeve brenda Presidencës, e jo pa pasur një vendim të kërkojnë sqarim prej Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Krasniqi.
Njëjtë vlerësojnë edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës. Eugen Cakolli nga KDI-ja thotë se emërimi i anëtarëve është dashur të bëhet më herët.
“Kjo procedurë është dashur të kryhet edhe më herët, meqenëse afati 60-ditor ka përfunduar të rrjedhë shumë më herët për rrjedhojë është dashur që këto procedura të kryhen e të mos vijmë në situatën aktuale, kur nuk kemi KQZ në kohën kur potencialisht do të kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve lokale, të cilat do të duhet të mbahen në vjeshtë të këtij viti”, është shprehur Cakolli.
Në anën tjetër, nga Zyra e Presidentit kanë bërë të ditur se nga Kushtetuesja kanë kërkuar përgjigje në disa pyetje.
Në mesin e tyre, si bëhet emërimi i anëtarëve në KQZ në rast se njëri grup parlamentar ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhje dhe si përcaktohet caktimi i anëtarëve në rastin kur komunitetet joshumicë kanë numrin e njëjtë të deputetëve.
“Pyetjet e drejtuara Gjykatës Kushtetuese janë: Lidhur me caktimin e anëtarëve shtesë në KQZ në rastet kur në Kuvend janë më pak se gjashtë (6) grupe parlamentare nga komuniteti shumicë, cili është kuptimi i nocioneve “grupi” a “grupet” në ndërlidhje me fjalën “mund”, i përcaktuar në fjalinë e dytë të paragrafit 4 të Nenit 139 të Kushtetutës? Në mungesë të ndonjë rregulle të shkruar që rregullon specifikisht mënyrën për të emëruar anëtarët shtesë në KQZ nga “grupi” a “grupet”, cili është kriteri mbizotërues për të vendosur nëse dy (2) anëtarët shtesë në KQZ në rastin konkret, duhet të emërohen nga grupi më i madh parlamentar apo nga disa grupe parlamentare, e në veçanti kur njëri grup parlamentar i ka fituar mbi 50% të votave në zgjedhje? Në rast se nuk ekzistojnë kritere mbizotëruese, a mbetet një çështje e tillë në diskrecion të presidentes, sipas kuptimit të fjalës “mund”, siç përcaktohet në Nenin 139(4)? A duhet të reflektohet parimi i proporcionalitetit (numri i deputetëve të një grupi parlamentar në raport me të tjerat, sipas rezultatit zgjedhor) për të vendosur nëse dy (2) anëtarët shtesë në KQZ, i përkasin vetëm një grupi apo disa grupeve parlamentare? Sa u përket komuniteteve joshumicë, në rastet kur ato kanë numër të njëjtë deputetësh, si përcaktohet radha e caktimit të anëtarëve të KQZ-së, sipas paragrafit të fundit të Nenit 139, paragrafi 4, të Kushtetutës?”, ka bërë të ditur Bekim Kupina nga Zyra e Presidentit.
Më tutje nga Presidenca kanë bërë të ditur se anëtarët e emëruar janë, Sami Kurteshi e Alim Rama nga Vetëvendosje, Arianit Elshani nga PDK-ja, Florian Dushi nga LDK-ja, Ibrahim Selmonaj-AAK, Gordana Laban Zuviq -Lista Serbe, Rifat Krasniç nga KDTP e Fazli Stollaj -IRDK.
Betimi i tyre do të bëhet të mërkurën më 19 maj, derisa për emërimin e dy anëtarëve të tjerë do të pritet përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.
Por, nga kjo gjykatë përveç konfirmimit të kërkesës së Zyrës së Presidentes, nuk ka dhënë detaje se kur do të kthejnë përgjigje.
“Zyra e Presidentit të Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të mërkurën, më 12 maj 2021. Kjo kërkesë tashmë është regjistruar në regjistrin e lëndëve të Gjykatës. Vendimi do të merret në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës”, ka thënë Kushtetuesja.
Sipas Kushtetutës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga 11 anëtarë. 10 prej tyre janë përfaqësues nga grupet parlamentare dhe kryetari i cili zgjidhet mes gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.
-
Nga: Valbona Bytyqi
-
14 maj 2021 21:20
-
Shpërndaje në: