5 perditesime
11:43

Nis vendosja e rrethojave te “1 Tetori”, qytetarëve u thuhet të kthehen prapa

Pas krijimit të tollovive në sallën “1 Tetori”, tashmë ka filluar vendosja e rrethojave për ta mbajtur rendin për vaksinimin e qytetarëve.

Nga ky moment, të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen po kthehen prapa dhe po lajmërohen se të shtunën herët në mëngjes mund të vijnë për ta marrë numrin për të pritur në radhë. Ndërkohë, tollovi vazhdon të ketë brenda sallës ku të moshuarit po presin të vaksinohen.

Image
10:10

Të moshuarit mbi 65 vjeç futen brenda “1 Tetorit” pas tollovisë së shkaktuar para sallës

Tollovia e madhe që është krijuar sot para qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po vaksinohen personat mbi moshën 65 vjeç, ka shtyrë organizatorët e kësaj qendre që t’i fusin brenda ata për të pritur të ulur, në ulëset e kësaj salle.

Siç shihet edhe në fotot e KOHËS, të moshuarit mbi 65 vjeç tashmë kanë zënë vendet e tyre në karriget e sallës “1 Tetori” për të pritur radhën e cila ka nisur të mbahet përmes numrave.

Zyrtarë të opozitës kanë reaguar sot lidhur më tollovinë e shkaktuar në këtë qendër vaksinimi, duke drejtuar gishtin drejt Qeverisë “Kurti II” se nuk e ka organizuar mirë vaksinimin.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se radhët e gjata janë shkaktuar pasi në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” po vazhdojnë të vijnë edhe të moshuar nga komunat e tjera, ndonëse nga sot, vaksinimi për këto grup-mosha bëhet në QKMF-të e secilës komunë.

Vaksinimi i personave mbi 65 vjet ka nisur të mërkurën që shkoi pas mbërritjes së kontingjentit të ri të vaksinave AstraZeneca.

09:39

Opozita kritikon Qeverinë për tollovinë në qendrën “1 Tetori”

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria nuk ka ditur të organizojë procesin e vaksinimit, duke shkaktuar pritje të gjata dhe tollovi para qendrës “1 Tetori” në Prishtinë. Hoxhaj thotë në këto kushte ekziston rreziku që të infektohen me koronavirus personat që po presin të vaksinohen.

“Kjo është pasqyra e një qeverisje pa plan e program. Pa dije e përvojë për të ndihmuar qytetarët e saj. E dhimbshme. Shumë e dhimbshme”, ka thënë Hoxhaj.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tollovinë e krijuar e ka cilësuar si papërgjegjësi të Qeverisë, duke thënë se ky është akt i dërgimit të të moshuarve në përballje me jetën.

“Një Qeveri e tërë në gjumë”, ka thënë në Facebook.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas tollovisë së krijuar sot para qendrës së vaksinimit në “1 Tetori”.

Haradinaj, ka thënë se kërkuar reflektim duke thënë se këto pamje prekin ndërgjegjen e secilit.

“Këto pamje na thërrasin të gjithëve për reflektim. Këto pamje prekin ndërgjegjjen e secilit. Ju lutem mos i trajtoni kështu qytetarët e Kosovës! Reflektoni!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se tollovia e krijuar është skandal i Qeverisë dhe se turma do të sjell valë të re të infeksionit.

“Kjo turmë do të sjell valën e re të infeksionit me covid, pa distancë, tollovi, shtyerje, lodhje. Qytetarët nuk e meritojnë një trajtim të tillë”, ka shkruar ajo.

09:31

MSH-ja bën me dije se në “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se tollovia e shkaktuar para qendrës së vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë ka ndodhur si pasojë e ardhjes së qytetarëve nga komunat e tjera.

“Grumbullimet e krijuara sot para sallës ‘1 Tetori’, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre”, sipas njoftimit të MSH-së.

Ministria ka lutur qytetarët e komunave të tjera që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen.

“Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, vijon MSH.

Ndryshe, në sallën “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve konform Planit Shtetëror të vaksinimit.

09:10

Radhë të gjata për vaksinim te “1 Tetori”, Policia detyrohet të intervenojë

Pas një ditë pushimi për shkak të festës së Fiter Bajramit, ka rifilluar vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 65-vjeç.

Mirëpo, gjatë ditës së sotme, aty janë krijuar radhë të gjata, duke shkaktuar tollovi të madhe para hyrjes së sallës, ndërkohë që për këtë, Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë, raporton Ekonomia Online.

Disa nga të moshuarit thanë se janë duke pritur që ta marrin vaksinën qe më shumë se dy orë.

Image
07:56

Vazhdon sot vaksinimi i personave mbi 65 vjeç

Vaksinimi i personave mbi 65 vjet do të vazhdojë sot në Prishtinë por edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komuna të tjera të Kosovës.

Vaksinimi për personat mbi 65 vjet ka nisur të mërkurën që shkoi ndërkohë që është zhvilluar fillimisht vetëm në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Personat mbi këtë moshë mund t’i drejtohen qendrave të vaksinimit duke filluar nga ora 08:00 deri në ora 19:30, deri më 16 maj.

Të mërkurën në Kosovë kanë arritur edhe 38 mijë e 400 doza të vaksinës “AstraZeneca”.

Këto vaksina janë pjesë e ndihmës për Kosovën, nëpërmjet programit COVAX, nga i cili mekanizëm edhe në mars Kosova i pranoi 24 mijë doza.

Pos vaksinave nga COVAX-i, Kosova ka pranuar javë më parë edhe rreth 8 mijë doza të vaksinës Pfizer, si donacion nga Bashkimi Evropian. Siç është bërë e ditur nga UNICEF-i, edhe 100 mijë doza të vaksinës Pfizer do të mbërrijnë në Kosovë deri në fund të muajit maj.