Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, ka uruar myftiun Naim Tërnava me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Gjergji në urim ka thënë se shpreson që këto rrethana të pazakonta të krijuara nga pandemia të largohen e t’i kthehemi jetës normale.
Ai ka uruar duke thënë që në këtë festë të mbizotërojë ndër ne paqja, falja dhe pajtimi.
“Fort i nderuar Kryemyfi. Në këtë ditë feste do të doja të vija personalisht për të uruar Ju dhe bashkësinë Islame në Kosovë për festën e Fit ër Bajramit, por mjerisht rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë Covid-19, edhe kësaj radhe nuk po e lejojnë këtë gjë. Shpresoj shumë që kjo rrethanë e pazakontë të largohet, e së shpejti do të arrijmë t’i kthehemi jetës së rëndomtë, shërbimit të plotë dhe punës së përbashkët për të mirën e vendit tonë. Edhe pse në rrethana të vështira , besoj shumë që besimtaret e besimtarët e të dyja besimeve tona janë bërë më të fortë në fe dhe kanë kuptuar më mirë se sa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Festimi i Bajramit le t’ju begatojë shpirtërisht e Zoti me mëshirën e Tij, të t’ju pranojë sakrificën e agjërimit që e keni ushtruar gjatë muajit të Ramazanit. Ju uroj që në këtë festë ju dhe besimtarët Tuaj të jeni përplot dashuri, dhe të mbizotërojnë ndër ne paqja, falja dhe pajtimi. Me fat Fitër Bajrami!”- thuhet në urimin.