Mbi 190 projektligje është duke synuar të hartojë e miratojë Qeveria e Kosovës brenda këtij viti.
Pjesë e agjendës legjislative të ekzekutivit janë më shumë se 100 projektligje të reja, derisa të tjerat plotësim/ndryshime të ligjeve në fuqi.
Ky plan i Qeverisë është duke u konsideruar ambicioz e vështirë i zbatueshëm në praktikë brenda 6 muajve e gjysmë sa kanë mbetur deri në përfundim të këtij viti.
Agnesa Haxhiu, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës thotë se procedurat e gjata për hartimin e projektligjeve fillimisht e pastaj edhe të shqyrtimit në Kuvend, pamundësojnë që të përmbushet agjenda e paraparë.
“Ajo çka do të duhej të bëhej në fakt ndoshta do të ishte mirë një planifikim më pak ambicioz por në përshtatje me rrethanat aktuale. Edhe me aspektin kohor edhe rrethanat politike edhe situata me pandemisë duhet me u përshtatë aq sa është e mundshme me u përfundu që mandej edhe qeveria edhe kuvendi të mos dalin keq kur të bëhet edhe matja e performancës edhe progresi që ka shënuar në programet e tyre”, tha Haxhiu.
Por, më shumë se sa afatet kohore nga Lëvizja Fol thonë se është e rëndësishme që hartimi i projektligjeve të bëhet në mënyrë të duhur e jo vetëm sa për të përmbushur si synim të vendosur.
“Një agjendë e tillë legjislative për neve është problematike vetëm nëse kjo agjendë legjislative duhet të kryhet me patjetër dhe pa përfshirje të opozitës që nënkupton ky 61 vota që i ka Qeveria mundet me shfrytëzu dhe kapitalizu këtë mundësi që shumë prej nisma legjislative me shku në procedura edhe më të shpejta pa e pasur një diskutim publik”, thotë Erblin Hoxha nga “FOL”.
Në mesin e projektligjeve që kabineti qeveritar planifikon të hartojë e miratojë këtë vit është edhe ai për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, për pagat në sektorin publik, për Qeverinë e Kosovës e për Financimin e Subjekteve Politike.