Arbëri

Kompania ndërtuese thotë se s’ka informata për shembjen në Filologjik, Policia nuk inicion rast

 

Një pjesë e murit të objektit të Fakultetit të Filologjisë është shembur në orët e vona të së enjtes. E qysh mëngjesin e së premtes, një pjesë që përdoret nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore është rrethuar me shirita për ta parandaluar kalimin te pjesa e shembur. Kompania që është duke punuar në Filologjik, ndërkaq ka thënë se nuk ka informata rreth kësaj shembjeje.

Në brendinë e Fakultetit të Filologjisë, më saktësisht te pjesa që përdoret nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, janë vendosur shirita. Kjo është bërë për ta parandaluar kalimin në korridoret që çojnë te pjesa e objektit që u shemb mesnatën e së premtes.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ka treguar se menjëherë janë ndërmarrë masa. Ajo po ashtu ka dhënë hollësi për rrjedhën e rinovimeve në këtë objekt.