Arbëri

Hoti për rënien e rasteve me COVID-19: Po kryhen teste aq sa po ka kërkesa

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se në Kosovë po kryhen testime për COVID-19 aq sa po ka kërkesa.

Këtë deklaratë, Hoti e bëri në “Express Intervista” të KTV-së i pyetur në lidhje me rënien e numrit të rasteve pozitive ditëve të fundit në Kosovë.

“IKPSHP-ja por edhe shtatë qendrat rajonale të shëndetit publik bëjnë teste aq sa ka kërkesa dhe persona të dyshuar që janë të spitalizuar dhe për të cilët konfirmohet mer analizë nëse janë të prekur me COVID apo jo, personat e kontaktit dhe kategoritë e tjera. Këtyre ditëve ka pasur rënie të interesimit, por në kuadër të mostrave që testohen neve na intereson përqindja e atyre që dalin pozitiv dhe përgjithësisht kemi parë që ka pasur një rënie mirëpo kjo duhet të përcjellet në një kohë më të gjatë”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë, se pavarësisht rënies së rasteve pozitive, nuk duhet të krijohet komoditeti dhe të mos respektohen masat duke shtuar se edhe vaksinimi do të kontribuojë në rënien e mëtutjeshme të rasteve pozitive.

Sa i përket vaksinave, Hoti ka thënë se duke filluar nga java e ardhshme, çdo javë do të vijnë kontingjente të reja të tyre.

“Duke filluar nga java e ardhshme çdo javë do të ketë kontingjente të vaksinave që do të arrijnë duke filluar nga java e ardhshme. Do të ketë një rritje dhe intensitet i procesit të vaksinimit”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se në fazën e dytë sipas planit të vaksinimit, do të vaksinohen personat e moshave nga 65-70 vjet, të sëmurët kronikë pavarësisht moshave, mësimdhënësit, FSK-ja dhe të tjerë që janë të përfshirë në përballjen me pandeminë.

“Synimi jonë është që me dozat e reja ta ulim pragun e moshës së atyre që do të vaksinohen. Në fazën e dytë parashihet vaksinimi i personave 65-70 vjeç, të sëmurët kronikë me mosha më të reja. Në fazën e dytë janë të paraparë të vaksinohen edhe mësimdhënësit, FSK-së dhe ata që janë të përfshirë drejtpërdrejtë në menaxhimin e pandemisë”, është shprehur ai.

Hoti ka shtuar se kushtet për ruajtjen e vaksinave që mbërrijnë në Kosovë janë krijuar dhe se Kosova tashmë ka mundësi të ruajë deri në 1 milionë doza të vaksinave.

Duke folur për vaksinimin e personelit shëndetësor, Hoti ka thënë se pothuajse gjysma e tyre tashmë kanë marrë dozën e parë të vaksinës qoftë AstraZeneca apo Pfizer.

“Në bazë të planit të vaksinimit kemi 13,500 profesionistë shëndetësorë. Prej tyre, jo të gjithë janë mjekë ose infermierë pasi ka edhe punëtorë të atyre që njihen si shërbime mbështetëse dhe nëse themi që i kemi vaksinuar në fazën e parë rreth 5000 atëherë i bie se rreth gjysma e mantelbardhëve janë vaksinuar. Ne besojmë se me fazën e re të vaksinimit me Pfizer do ta mbyllim fazën e vaksinimit të personelit shëndetësor”, ka thënë Hoti.