1 perditesime
14:41

MSH: Të pabazuara aludimet se dikush ka refuzuar vaksinimin apo ka përzgjedhur vaksinën

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se “aludimet nga kushdo qoftë se ka pasur refuzim të vaksinimit, apo pritje të përzgjedhjes së llojit të vaksinës nuk janë të bazuara”, në përgjigje ndaj thirrjes publike të PRAK-ut që profesionistët shëndetësorë që refuzuan vaksinën e AstraZenecas, të liheshin në fund të listës së vaksinimit të asaj të Pfizerit.

MSH-ja në një komunikatë ka thënë se personeli shëndetësor është në rrethin e atyre që përballen me virusit dhe se kjo është arsyeja që ata janë prioritet në vaksinim.

“Komiteti Kombëtar për vaksinim kundër COVID-19 u ka dhënë prioritet punëtorëve shëndetësor si kategori esenciale për menaxhim të situatës me pandeminë, krahas kategorive të tjera, që po ashtu, janë vaksinuar në fazën e parë si të moshuarit; të vendosurit në qendrat për të moshuar dhe punëtorët social që kujdesen për ta, të sëmurët kronikë në moshat e shtyra, etj., gjithnjë sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19”.

Ndërkaq, ka sqaruar pse punonjësit shëndetësorë nuk janë vaksinuar me dozën e AstraZeneca, e cila ka ardhur si vaksinë e parë në Kosovë.

“Në vijim të kësaj faze të vaksinimit, gjithnjë duke u bazuar në Planin e vaksinimit, punëtorët shëndetësor të cilët për shkaqe objektive nuk janë vaksinuar në fillim, Inspektorati Shëndetësor dhe të gjitha kategoritë shëndetësore që përbëjnë vijën e parë të frontit në luftën kundër COVID-19 dhe strukturat monitoruese, janë prioritet dhe do të vaksinohen, gjithashtu”, thuhet tutje.

09:24

PRAK: Punëtorët shëndetësorë që refuzuan të vaksinohen me AstraZenecan, vendosini në fund të listës

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që punëtorët shëndetësorë të cilët patën refuzuar të marrin vaksinën për COVID-19 të AstraZenecas, të hiqen nga lista me prioritet për marrjen e vaksinës së Pfizerit.

“Ju bëjmë thirrje publike që, të gjithë ata punëtorë që kanë refuzuar të vaksinohen kur e kanë patur radhën, të vendosen në fund të listës së pritjes. Secili duhet të merr konsekuencat e veprimeve të veta”, ka thënë shoqata.

PRAK ka thënë se e sheh me shqetësim procesin e vaksinimit për këtë arsye.

Ka shtuar se mossolidarizimi me kolegët të cilët patën dalë pa hezitim ta marrin dozën e AstraZenecas dhe dhënia e shembullit të keq te qytetarët përmes këtij veprimi, e prekë etikën mjekësore dhe e “vë në pikëpyetje epitetin ‘Hero’ të cilin ua dha shoqëria”.

Prioritizimin e punonjësve shëndetësore edhe me ardhjen e kontingjentit të dytë të vaksinave në Kosovë, ku shumë prej të cilëve patën refuzuar të vaksinohen, PRAK-u e ka parë si diskrimimin.

“Përderisa Kosova ka mungesë masive të vaksinave dhe në anën tjetër ka shumë grupe të rrezikuara të shoqërisë (të cilët po vdesin në mënyrë të vazhdueshme), të privilegjohet stafi shëndetësor në këtë mënyrë, është e pa drejtë, jo etike dhe jo humane”, thuhet në komunikatë.