Arbëri

Të enjten seancë në Kuvend, diskutohet për arsim dhe rrymën në veri

Descriptive Text

Të enjten do të mbahet seancë plenare në Kuvend, ku ndër pikat në rend dite do të jetë debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, si dhe shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi e Tregti në lidhje me kërkesën e KOSTT-it për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Një nga rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje, që do të shqyrtohet në seancë është edhe autorizimi i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, që me mjete vetjake t’ua paguajë shpenzimet e rrymës qytetarëve në katër komunat veriore, për gjashtë muajt e ardhshëm.

“Autorizohet N.P. KOSTT të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), sipas zgjidhjes së prezantuar dhe miratuar në Komisionin funksional duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetjak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”, thuhet në rekomandim.

Seanca e Kuvendit do të fillojë nga ora 10:00.

Pikat e rendit të ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19,

5. Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.