Arbëri

Qeveria inicion ndryshimin e Ligjit për zgjedhje lokale, pritet të hiqet balotazhi

Qeveria ka vendosur që ta ndryshojë një pjesë të legjislacionit për zgjedhjet. Do ta nisë me Ligjin për zgjedhjet lokale, ndryshimet e të cilit i ka listuar në Planin Legjislativ për 2021-n.

Është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ajo që e ka ndërmarrë këtë nismë.

“Qeveria e kaluar në vitin 2020 e ka ngarkuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta bëjë vlerësimin ex-post të Ligjit për zgjedhjet lokale. Në atë kohë është bërë vendimi dhe unë kam qenë kryesuese e grupit për vlerësimin ex post dhe kemi identifikuar disa elemente”, ka thënë Venera Çerkini, drejtoreshë e departamentit ligjor në MAPL.

Mes tjerash, nëpërmjet ndryshimeve synohet të hiqet balotazhi për kryetar të komunës; që nënkryetari ta çojë mandatin deri në fund në rast se pozita e kreut të komunës mbetet vakante; që t’i hiqet privilegji bartësit të listës për t’i marrë të gjitha votat e partisë; dhe që në listat e kandidatëve për asamblistë të ketë numër të barabartë të grave e burrave.

Në Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë kritikuar këtë nismë, të ndërmarrë pa konsulta me nivelin lokal.

“Komunat paraprakisht duhet të informohen e jo të vihen para aktit të kryer – vetëm të informohen se ky ligj do të amendamentohet. Pra, neve si Asociacion i Komunave të Kosovës kërkojmë transparencë më të madhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, sepse ky ligj i prek themelet e pushtetit lokal, themelet e demokracisë lokale”, ka thënë Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i AKK-së.

Ibrahimi konsideron të mos jetë koha tani për të iniciuar këto ndryshime.

“Viti 2021 është vit zgjedhor në nivelin lokal dhe nuk besoj që është mirë që në këtë vit të kemi amendamentim të një ligji të tillë, sepse po hyni në këtë vit në agjendën legjislative, atëherë domosdoshmërisht duhet të amendamentohet”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, janë ekspertët e legjislacionit zgjedhor që kërkojnë reforma gjithëpërfshirëse dhe jo të pjesshme.

“Dispozitat e ligjit për zgjedhjet lokale janë të ndërlidhura me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe kryesisht dispozitat që rregullojnë çështjet për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, referohen edhe për zgjedhjet lokale dhe kështu që ato dy ligje janë në një mënyrë organikisht të lidhura me njëra tjetrën. Dhe kohë nuk ka edhe nga aspekti përmbajtjesor, sepse ato duan ndryshim substancial të dispozitave të tyre, dhe e dyta, duhet një reformë elektorale për të krijuar mundësinë për një kod unik elektoral në Kosovë”, është shprehur Mazllum Bajraliu, profesor i Juridikut.

Në Ministri thonë se përnjëherësh do të punohet në të gjitha ligjet.

“Besoj që këto ligje do të punohen paralelisht, sepse ne jemi brenda një qeverie, brenda një kulmi. Prandaj, ne do të punojmë paralelisht me rastin kur të fillojë plotësim-ndryshimi edhe i ligjeve të tjera”, ka thënë Venera Çerkini, drejtoreshë e departamentit ligjor në MAPL.

Një dekadë më parë, ishte iniciuar një reformë zgjedhore që prekte edhe Kushtetutën, e edhe ligjet. Ndonëse për një numër ndryshimesh ishte mbërritur konsensusi, ato kurrë nuk janë vënë për miratim në Kuvend.