Arbëri

Në Durrës nis stërvitja e madhe ushtarake e NATO-s

Në Portin e Durrësit të martën ka nisur stërvitja e madhe ushtarake ndërkombëtare, “Defender Europe 2021”.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama ka thënë se në këtë stërvitje, që do të ketë mbi 28 mijë trupa ushtarake, do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.

Ditë më parë në Durrës zbarkuan shumë automjete të ardhura nga Ushtria amerikane. Rreth 700 automjete të njësiteve nga Florida u shkarkuan në Durrës, ka raportuar Associated Press.

Ato do të përdoren në ushtrimet dyjavore e që do të organizohen në gjashtë baza në Shqipëri. Do të jenë 6000 trupa nga Amerika. Kjo është pjesë e stërvitjes “Defender Europe 21”, që është e fokusuar në parandalimin e agresionit dhe ndërtimin e gatishmërisë operacionale si pjesë e bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët.

Në Shqipëri do të ketë edhe anije ushtarake nga Britania e Madhe.

Me të arritur në Shqipëri, zyrtarët amerikanë kanë lavdëruar mikpritjen shqiptare, ushqimin e mirë dhe natyrën.

Majori Randall Moran ka thënë se mikpritja ka qenë “një nga miqësoret që kam përjetuar qe një kohë të gjatë”.

Stërvitja më e madhe e përjetuar ndonjëherë në rajon do të përfshijë 28 mijë trupa nga 27 shtete, përfshirë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009.