Arbëri

Vonesat në vaksinim minojnë rritjen ekonomike të parashikuar nga Qeveria

Vonesat në vaksinim minojnë rritjen ekonomike të parashikuar nga Qeveria

Rritja ekonomike prej pesë për qind e parashikuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2022-2024 po shihet si e paarritshme nga ekspertët e ekonomisë. Kjo, pasi, sipas tyre, Kosova po vonohet në vaksinim të popullatës, gjë e cila mund të ndikojë në lëvizjen e lirë. Rritja, sipas tyre, varet nga ardhja apo mosardhja e diasporës

 

Projeksione të përafërta me ato të ish-Qeverisë Hoti për rritje ekonomike ka paraparë Qeveria Kurti. Ekzekutivi në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2022-2024, që ka siguruar KOHA, parasheh që rritja ekonomike të jetë 5 për qind apo vetëm 0.2 për qind më pak sesa që kishte paraparë Qeveria Hoti. Ky skenar është më optimist sesa ai i Bankës Botërore, sipas të cilit Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 4 për qind.

Por, sipas ekzekutivit dinamika e pandemisë, nevoja për rivendosjen e masave kufizuese dhe zhvillimet në aktivitetin ekonomik të sektorëve që kanë më shumë kontakte fizike, paraqesin pasiguri në projeksionet për vitin 2021.