Arbëri

Ekspertët druajnë se Serbia do të fitonte nga padia për gjenocidin

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës ka në plan që para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ta paraqesë një padi për gjenocid kundër Serbisë, për mizoritë e kryera në shqiptarë dy dekada më parë.

Albin Kurti e ka deklaruar këtë plan, në fjalën e tij të parë në Kuvend, pasi është zgjedhur kryeministër një muaj më parë.

“Do të ngremë padi ndaj krimit të gjenocidit të Serbisë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, është zotuar Kurti.

Burime të KOHËS thanë se ekzekutivi i ri ka angazhuar disa juristë, të cilët tashmë kanë nisur të punojnë në padi. Zyra e Kryeministrit nuk e ka konfirmuar këtë të dhënë gjatë ditës dhe as nuk ka ofruar informatat që i janë kërkuar mbi padinë.

Por, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, druan se Kosova do të dalë humbëse nga një ndërmarrje e këtillë. Shteti që akoma nuk është bërë pjesë e OKB-së, sipas tij, nuk mund të paraqesë padi para kësaj gjykate.

“Për të qenë palë në një procedurë të tillë, e para duhet të jetë anëtar i statutit të GJND-së, e që Kosova nuk është, dhe për vendet që nuk janë duhet vendimi i Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Hasani. “Por, edhe sikur të ishim ne anëtarë me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara, edhe atëherë kërkohet pëlqimi i palëve – duhet të ketë një marrëveshje për të dalë në gjyq, ose një klauzolë kompromisi”.

Serbia është tërhequr përfundimisht nga Kosova në vitin 1999, pas një lufte të përgjakshme gjatë së cilës vrau rreth 12 mijë shqiptarë e rreth 1 milion i dëboi për në shtetet fqinje. Për ta ndalur spastrimin etnik, NATO-ja intervenoi ushtarakisht.

Enver Hasani, që është edhe profesor i të drejtës ndërkombëtare, insiston se nëpërmjet GJND-së, Serbia do të mund të pastrohej nga krimet e kryera.

“Serbia do të dilte para botës me një vendim që thotë se ajo s’ka kryer gjenocid dhe ky do të ishte favori më i madh që do t’i bëhej shtetit serb dhe, e treta, kjo do të ishte një shuplakë e rëndë për aleatët tanë, të cilët e kanë sulmuar Serbinë mbi bazën e një zakoni të pashkruar regjional në Evropë dhe në sferën euroatlantike, që është përgjegjësia për të mbrojtur”, ka theksuar ai. “Do të thotë strukturat euroatlantike kanë detyrim për të ndërmarrë veprime, si në rastet siç ka ndodhur në Kosovë, për të parandaluar kryerjen e gjenocideve dhe spastrimeve etnike. Mbi bazën e kësaj ka ardhur deri tek intervenimi i NATO-s në Kosovë”

Kroacia dhe Serbia kishin paraqitur padi për gjenocid kundër njëra-tjetrës, për luftërat e zhvilluara gjatë viteve ’90, por GJND-ja dha verdiktin se asnjëra nuk kishin kryer krim të këtillë.

E njëjta gjykatë ka konstatuar se përbën gjenocid vrasja e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjë-Hercegovinës në Srebrenicë. Sipas GJND-së, Serbia nuk e kishte parandaluar, por ishte thënë të mungonin provat e mjaftueshme për ta bërë përgjegjës këtë shtet për gjenocidin.

Me Serbinë, Kosova e ka pasur edhe një betejë në GJND. Atë e fitoi në vitin 2010, kur kjo gjykatë dha verdiktin se shpallja e pavarësisë nuk ishte kundër të drejtës ndërkombëtare.