3 perditesime
20:40

Kurti: “Non-paperat” vijnë nga Beogradi dhe Rusia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “non-paperat” që po qarkullojnë kohët e fundit nuk beson se vijnë nga kryeqytetet evropiane ose nga Shtetet e Bashkuara tw Amerikës.

Kurti ka thënë se ato vijnë nga Beogradi ose edhe nga Rusia, e cila, siç ka thënë, synon që ta përdorë Ballkanin Perëndimor për ta sulmuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Nuk besoj se autor të këtyre “non-paperave” janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht se jo SHBA-ja por as kryeqytetet evropiane. Besoj se kjo vjen nga Beogradi e mbase edhe nga verilindja. Është interes i federatës ruse që ta përdor Ballkanin Perëndimor që ta sulmojë BE-në dhe NATO-n. Unë përpiqem ditë e natë që të bind faktorin ndërkombëtar se çka është e drejtë dhe e dobishme”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se synimi i Beogradit është që ta hapë pakon e Ahtisarit dhe të gjitha çështjet brenda saj.

“Nën sulm ndodhet plani i Ahtisarit, synimi i Beogradit është që ta hap pakon e Ahtisarit dhe të gjitha çështjet që ishin aty brenda. Formula e suksesit e cila është edhe obligim moral e politik është që ne të mbrojmë pavarësinë e faktorët ndërkombëtar ta mbrojnë planin e Ahtisarit karshi Serbisë. Synimi i Serbisë është bosnjëzimi i Kosovës, që ta bëjë Kosovën shtet të dështuar. Synimi është që të sulmohet sovraniteti dhe integriteti territorial duke e hapur pakon e Ahtisarit. Plani i Ahtisarit është fëmijë i ndërkombëtarëve, atë duhet ta mbrojnë ndërkombëtarët ndërkaq unë po e mbroj Kosovën tonë të dashur, të pavarur”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

20:32

Kurti: Më shumë kemi marrë informata për dialogun nga Lajçaku sesa nga Hoti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në procesin e dialogut qeveria e tij nuk ka shumë informacione, pasi sipas tij, nuk ka dokumentacione.

Kurti, në një paraqitje direkte nga Brukseli në “Desku” të KTV-së, u shpreh se ish-kryeministri Avdullah Hoti nuk ka lënë asgjë në zyrën e Kryeministrit, dhe se informatat e dialogut i ka marrë më shumë nga ndërmjetësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Një qeveri e re do të thotë se do të ndodhë kapitull i ri. Edhe në Bruksel e kanë të qartë se me kryeministrin e ri, presidenten e re, Qeverinë e re dhe Ministren e Jashtme të re nuk mund të vazhdojë avazi i vjetër. Është e vërtetë që neve na mungon informacioni, sepse na mungon dokumentacioni. Procesi ka pasur shumë drafte, shumë marrëveshje dhe shumë hollësi, të cilat nuk i kemi gjetur tash kur jemi kthyer në zyrë. Ne po pajisemi me dokumente nga Bashkimi Evropian, qartazi deri tani kemi marrë më shumë informata nga ndërmjetësuesi Lajçak sesa nga ish-kryeministri që u rrëzua nga Kushtetuesja. Çdo herë që do të na shfaqet diçka që nuk e kemi ditur më herët, do t’i kemi rezervat tona. E kuptoj konfidencialitetin e bisedimeve, por konfidencialiteti i bisedimeve duhet të shoqërohet me transparencë. Qeveria e re nuk mund të marrë përsipër domosdoshmërisht zotimet e njëanshme, jo transparente të ekzekutivit të vjetër. Kemi rezervë të madhe ndaj zotimeve nga kryeministri paraprak, por kjo nuk do të paraqet problem shumë të madh. Me Qeverinë e re mund të flitet për kapitullin e ri”, deklaroi Kurti.

20:22

Më 18 maj, Kurti takohet në Bruksel me krerët tjerë të Ballkanit

Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se më 18 maj do të ketë darkë pune në Bruksel mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Duke shpjeguar përse nuk pranoi takim me Aleksandar Vuçiqin më 11 maj, Kurti ka thënë se ka propozuar qershorin si kohë më të përshtatshme për Qeverinë e Kosovës.

“Ishte paralajmëruar takimi, por s’ishte i konfirmuar me mua. Pa u pajtuar të gjithë normalisht se s’mund të kemi datë të takimit e as agjendë të saktësuar. Do të vij sërish më 18 maj në Bruksel, ku do të ketë darkë pune të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Borrelli, me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor. Sot shpreha qëndrimin tonë se në muaji maj s’është i përshtatshëm sepse kemi agjendë tjetër, por kjo mund të ndodhë në qershor si takim i parë në kapitullin e ri të bisedimeve. S’e di për Serbinë sa është i përshtatshëm por kemi shprehur gatishmëri për dialog parimor ku dialoguesit janë të barabartë. Zotimi ynë që të përgatitemi tregon seriozitetin dhe sinqeritetin tonë”, ka thënë Kurti.

20:20

Kurti: Javën e ardhshme vijnë vaksinat e tjera anti-COVID

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se javën e ardhshme do të mbërrijnë në Kosovë një pjesë nga 95 mijë vaksinat e premtuara nga Bashkimi Evropian për Kosovën.

Kurti, në një paraqitje direkte nga Brukseli në “Desku” të KTV-së ka deklaruar se aktualisht nuk ka informata se sa vaksina do të vijnë saktë në javën e parë të muajit maj.

“Ato të kontingjentit të parë janë harxhuar por kontinengjenti i radhës, do të vijë një pjesë e tyre në javën e ardhshme. Ky është një lajm i mirë për Kosovën mirëpo ne kemi nevojë edhe për më tepër vaksina në mënyrë që në fund të qershorit të vijë mërgata jonë në vendlindje”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, deri në fund të këtij viti, Kosova do të arrijë të vaksinojë 60% të popullatës.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar nga mesi i këtij muaji se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër pandemisë COVID-19.