Arbëri

Qeveria themelon Komitet Ndërministror për përzgjedhjen e projektit për Kompleksin “Adem Jashari”

Qeveria e Kosovës ka themeluar Komitet Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Këtë mekanizëm, sipas një postimi në Facebook të kryeministrit Albin Kurti, do ta udhëheq vetë ai.

“Do ta udhëheq personalisht, për ta trajtuar me seriozitetin e merituar këtë proces. Anëtarë të këtij komiteti janë ministra të linjës, përfaqësuesi i familjes Jashari, kryetari i komunës së Skënderajt, drejtorë të instituteve, muzeve dhe agjencive përkatëse, përfaqësuesi i shoqatës së arkitektëve dhe përfaqësuesi i OVL të UÇK-së. Ndërkohë, një ekip profesionistësh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur vlerësimin e gjendjes së kullave në këtë kompleks. Varësisht nga të gjeturat dhe rekomandimet e profesionistëve tanë, kemi gatishmërinë e plotë të ndërmarrim ndërhyrje emergjente sanuese në këto struktura të neglizhuara për kohë të gjatë”, thuhet në postimin e Kurtit.

Sipas tij, në afatin më të afërt do të mbahet takimi i parë i komitetit për t'i diskutuar dhe votuar vendimet e rëndësishme në emër të mbrojtjes, zhvillimit dhe promovimit të kompleksit i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim.