1 perditesime
13:51

Paralajmërohet arritja e disa marrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e dy qeverive

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Në takim u diskutua për koordinim më të mirë për të lehtësuar transportin rrugor dhe qarkullimin e mallrave dhe organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

“Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si model i fqinjësisë së mirë. Kryeministri Kurti dhe ministri Osmani biseduan për veprime konkrete dhe koordinim më të mirë mes dy qeverive, për të lehtësuar transportin rrugor dhe qarkullimin e mallrave. Po ashtu u dakorduan lidhur me hapat e mëtejmë rreth organizimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ku do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh mes të dy shteteve”, thuhet në komunikatë.

Osmani konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s

10:03

Maqedonia e Veriut e gatshme ta ndihmojë Kosovën drejt integrimit në BE

Raportet e jashtëzakonshme pozitive bilaterale mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë riafirmuar edhe një herë, kanë theksuar ministrat e Jashtëm nga të dyja shtetet në një takim që u zhvillua brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ministrja Donika Gërvalla ka thënë se rreth 30 marrëveshjet e lidhura me Maqedoninë e Veriut në shumë fusha, takimet e vizitat, përbëjnë model të fqinjësisë së mirë, ndërsa e vlerësoi atë partner strategjik për Kosovën.

Gërvalla ka thënë se ka nevojë për koordinim më të mirë mes dy qeverive për të lehtësuar qarkullimin e mallrave.

“Për të lehtësuar më tej qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve ka nevojë për koordinim më të mirë mes dy qeverive për lehtësimin e parimit kufitar. Kosova dhe Maqedonia janë duke lëvizur drejt të njëjtit cak, që është integrimi në BE”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se janë të gatshëm që t’ia vënë në dispozicion Kosovës njohuritë dhe përvojat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s e përkrahë plotësisht perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës, shpreha kënaqësinë që nga ky vit edhe pjesëtarë të armatës së Maqedonisë së Veriut të jenë pjesë e KFOR-it këtu. Ambicia jonë është integrimi i plotë i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si vend negocues me BE-në dhe eksperiencë të gjatë në këtë drejtim jemi të gatshëm t’i vëmë në dispozicion të Kosovës të gjitha njohuritë dhe përvojat tona të deritanishme”, ka theksuar Osmani.

Osmani ka shtuar se mbështet përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në rajon, dialogun me Serbinë dhe rrugëtimin drejt BE-së të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Republika e Maqedonisë së Veriut mbështet përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në rajon. Mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe vlerëson se qëllimi final i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe rrugëtimi evropian i gjithë rajonit”, tha ai.