3 perditesime
23:39

Ymeri: Kosova duhet të lëshojë pe në diçka në dialog që të marrë diçka tjetër

Visar Ymeri nga Instituti “Musine Kokollari” ka thënë se Kosova duhet të diskutojë se çfarë çmimi është e gatshme të paguajë për të marrë njohjen nga Serbia.

Ymeri ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se është mirë që miqtë ndërkombëtar e thonë të njëjtën gjë, se dialogu duhet të vazhdojë dhe se duhet të ketë një marrëveshje përfundimtare e që kjo është njohja e Kosovës nga Serbia.

“Kosova duhet të lëshojë pe në diçka për të marrë diçka tjetër. Nuk duhet t’ia veshin një konotacion negativ fjalës kompromis sepse kompromisi në politikë është i pashmangshëm. Ne duhet të shkojmë në këtë dialog vetëm me qëllimin për ta marrë njohjen nga Serbia. Duhet të diskutojmë se sa do të kushtonte për ne ose çfarë çmimi do të ishim të gatshëm për të paguar për njohjen nga Serbia. Ata e shohin se përfundimi i procesit të dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Njohjen  nga Serbia nuk besoj se do ta marrim ndryshe veç se me insistim dhe trysni nga bashkësia ndërkombëtare”, është shprehur Ymeri.

Ai ka kërkuar “qasje tjetër nga Qeveria Kurti për dialogun”.

23:32

Ymeri: Qeveria duhet të përgjigjet pse nuk e ka vendosur ende reciprocitetin siç pati premtuar

Analisti Visar Ymeri ka thënë se shumë prej gjërave të cilat Lëvizja Vetëvendosje “i ka mbrojtur me pasion” vitin e kaluar, sot Qeveria Kurti nuk është se po i zbaton dhe nuk po merret fare me to.

“Tërë kohës prej se është rrëzuar Qeveria Kurti 1, LVV-ja e ka kritikuar Qeverinë Hoti për mënyrën se si e ka menaxhuar pandeminë duke thënë se në kohën tonë kemi pasur zero raste e tash shih sa raste u bënë. Tash i kemi 30 ditë në pushtet dhe nuk po munden t’i bëjnë në zero raste. Kështu që, VV-ja duhet të na tregojë se ose e paska kritikuar pa vend Qeverinë Hoti, ose janë duke dështuar edhe këta si Qeveria Hoti”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur reciprocitetin, për të cilin u shpreh se Qeveria duhet të japë një përgjigje serioze se pse nuk po e vendos siç kishte premtuar e nuk po merret me të.

“Çështja tjetër, mos të harrojmë që një prej shkaqeve që u rrëzua qeveria ishte reciprociteti. Ky është prej elementeve që do duhej të diskutohej më shumë, jo a të vendoset reciprociteti apo jo, por pse lejoi të rrëzohej një qeveri për këtë çështje duke e konsideruar çështje më të rëndësishme të barazisë të Kosovës me shtetet tjera dhe tash kur erdhi me 50 për qind të votave nuk po e vendos reciprocitetin. Duhet përgjigje serioze për këtë nga qeveria nëse ka heqë dorë nga të qenit Kosova e barabartë apo paska qenë vetëm premtim elektoral”, ka shtuar Ymeri.

“Përgjigja më e rëndësishme është pse u dashtë të humbim një vit prej rrëzimit të qeverisë prej Qeverisë Kurti 1 dhe me shku prapë në zgjedhje e me rrezikuar shëndetin tonë dhe me ardhë një qeveri e cila tash karshi reciprociteti mendon si ka menduar LDK-ja vitin e kaluar”, shtoi ai në Interaktiv të KTV-së.

23:22

Ymeri për Qeverinë Kurti 2: Ka një ngathtësi në kryerjen e punëve

Visar Ymeri nga Instituti “Musine Kokalari” ka thënë se po vëren një ngathtësi në Qeverinë Kurti 2 sa i përket kryerjes së punëve emergjente.

Ymeri në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje e ka ditur që nga vjeshta e vitit të kaluar se do të jetë fituese e zgjedhjeve, dhe në krejt këtë periudhë, sipas tij, nuk e kanë përgatitur veten të qeverisin.

“Për 30 ditë nuk kemi plan qeverisës, as nuk kemi plan emergjent. Kemi një parti që i ka fituar 50 për qind të zgjedhjeve, dhe e kanë ditë që do të jenë fitues që nga vjeshta e vitit të kaluar. Në krejt këtë periudhë nuk e kanë përgatitur veten se si do të qeverisin. Më aktive ka qenë Qeveria Kurti 1 sesa që është tash Kurti 2. Kjo ngathësi po vërehet në mungesë të planit dhe vizionit për të reaguar në një situatë si kjo”, u shpreh ai.

Ymeri ka deklaruar se krejt kjo po ndodh për shkak të mungesës së përvojës dhe përzirjes së ideologjive brenda partisë, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Mendoj që është mungesë e përvojës dhe kjo lëvizje e Vetëvendosjes prej një organizimi politik që dirigjon në një ideologji në një lëvizje karshi daljes prej asaj ideologjie dhe përzirjes së shumë njerëzve që kanë vlera e mendime të ndryshme politike, kanë shkaktuar një situatë që nuk ka më një teh goditës politik brenda Vetëvendosjes. Kur ke kaq shumë kundërthënie brenda grupit, dhe mundohesh për t’ia bërë qejfin të gjithëve, përfundon duke bërë asgjë. Nuk është ajo Lëvizje që ka pasur një plan dhe referencë. Kur e do pushtetin më shumë se idenë, përfundon duke e ruajtur pushtetin e duke hedh poshtë idenë“, deklaroi Ymeri.

23:12

Ymeri: Murati po mundohet të largojë vëmendjen nga çështja e shtesave për pensionistët

Visar Ymeri nga instituti “Musine Kokalari” ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati, me publikimin e pjesshëm të listës së bizneseve përfituese nga Pakoja e Rimëkëmbjes nga Qeveria Hoti, ka dashur ta largojë vëmendjen nga vendimi i tij për shtesat për pensionet.

Qeveria të mërkurën vendosi që shtesat për pensionistët të jenë 10 euro në muaj, pasi kaloi afati i caktuar nga ish-Qeveria për shtesat prej 30 eurosh. Ky vendim u kritikua ashpër nga pensionistë e opozita.

Të enjten, fokusi u hodh te një listë prej 50 kompanive të cilat kishin përfituar më së shumti nga 60-milionë euroshi i subvencionuar nga Qeveria Hoti. Ministri Murati postoi në Facebook listën e 50 përfituesve më të mëdhenj, duke nxitur debat për profilin e përfituesve. Megjithatë, nga ky buxhet kishin përfituar mbi 35 mijë biznese. Edhe pse u arsyetua për transparencë, Murati u kritikua përse s’publikoi listën e plotë.

“Së pari mendoj se momenti është i çuditshëm për kohën e postimit pasi po merrte kritikat për shtesat për pensionet. Në këtë drejtim mendoj se publikimi ka qenë në një mënyrë për të shmangur vëmendjen në drejtim tjetër. S’po kuptoj saktë çfarë ka dashur të thotë ministri Murati. E kuptoj transparencën, por pse e pjesshme. S’shoh të keqe pasi ka qenë ndihmë për bizneset në bazë të numrit të punëtorëve. Me sa e di unë kriteri i vetëm ka qenë numri i punëtorëve, dhe një përqindje e pjesshme e pagave. Këtu ndërmarrjet me numrin më të madh të punëtorëve janë kompani që merren me shitje, tregti”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Me ndryshimin për shtesat në pensione, Ymeri ka thënë se Qeveria po mundohet të jetë “më shumë konservatore karshi shpenzimeve, sesa progresive karshi krizës”.