Arbëri

Pensionistët të pakënaqur me vendimin për shtesat

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar vendimin e djeshëm të Qeverisë për shtesat e ndara për skemat pensionale dhe sociale. Ai ka thënë se për kategoritë e pensionistëve me 75 dhe 90 euro do të aplikohet një shtesë në mënyrë që shuma totale e pensionit të jetë 100 euro. Tani e tutje familjet me asistencë sociale nuk do të marrin dyfish mbështetje, por vetëm 30 për qind. Kundër vendimit ka dalë Federata Sindikale dhe Shoqata e Pensionistëve, Invalidëve dhe të moshuarve të Kosovës.



Pensionistët nuk e kanë pritur mirë lajmin se për dallim nga tre muajt e kaluar disa prej tyre do të marrin më pak të ardhura.

Disa prej pensionistëve shprehen të zhgënjyer me Qeverinë Kurti që nuk i ka vazhduar shtesat në vlerë të njëjtë, kurse të tjerët thonë se Ekzekutivi është duke luajtur me ta.

“Duhet patjetër jo vetëm pensionet por edhe rrogat duhet me i rritë... Unë s’po muj me zatetë se në gojë i thom. Kurtit në gojë i kisha thanë s'po të vjen marre. Ne ta dhamë votën, u çuam krejt mbi 50 i ke marrë. Unë për vete s'jom i kënaqur deri më tash veç ishalla ndryshon”, ka thënë pensionisti Sheremet Fushtica.

“Kjo është lojë, her po t'i qes 30 euro e her po t'i heqi. Ka njerëz të varfër”, është shprehur Faik Sheqiri.

“Mos me kanë me ma ndihmu fëmijët që i kam në Amerikë, për pension temin kishim mbaru, veç kafe, duhan e barna nuk na dalin”, ka deklaruar Bajram Zemaj.

Qeveria ka mohuar akuzat për ulje të mbështetjes për këto kategori.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se vendimi i Qeverisë paraprake pas muajit prill nuk kishte planifikuar vazhdimin e dyfishimit të ndihmës sociale dhe shtesat prej 30 eurosh për pensionistët që marrin më pak se 100 euro.

Ai ka shtuar se Qeveria ka ndarë 8.5 milionë euro për të mbështetur skemat e pensioneve nën 100 euro dhe familjet në asistencë sociale.

“Sa u përket shtesave për pensionet bazike, Qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars). Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi. Ministria ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro - e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro - të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro”, ka thënë Murati.

Murati ka shtuar se këto shtesa do të vazhdojnë gjatë tërë vitit, ndonëse në vendim thuhet se ato vlejnë vetëm për muajt prill, maj dhe qershor.

Vendimin e Ekzekutivit e vlerëson të pamatur dhe befasues Federata Sindikale e Pensionistëve

“Ka qenë një shtesë e përkohshme, tash kjo qeveri në vend se atë atë ta bëjë stabile dhe të përhershme plus ta shtojë që është shumë pak. Mendoni çka mund të bëjë pensionisti me 120 euro, nuk i dalin as për barna”, është shprehur Sylejman Meta, kryetar i Federatës Sindikale të Pensionistëve.

Të mërkurën Qeveria ka pezulluar ndarjen e shtesave për mësimdhënësit, inspektorët e AUV-it, Doganës, ATK-së dhe zjarrfikësve.

Ky vendim, që përmban kosto afro 3.6 milionë euro, është pezulluar me arsyetimin se do të trajtohet së bashku me inspektorët e tjerë të dy niveleve sipas vlerësimit të rrezikut ndaj ekspozimit në terren, që planifikohet të bëhet gjatë muajit maj.