Arbëri

Qeveria s’tregon çfarë planifikon të diskutojë në takimin me Vuçiqin

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se çfarë planifikon të diskutojë në takimin që do ta ketë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq.

Një takim i tillë e i cili do të jetë i pari që nga koha kur Ekzekutivin është duke e udhëhequr Albin Kurti është paralajmëruar se do të zhvillohet muajin tjetër.

Në një përgjigje nga Ekzekutivi kanë thënë se për takimin do të flasin kurdo që caktohet ai.

“Tani për tani nuk ka ndonjë plan për një takim me z. Vuçiq. Për takimin e parë, mund të flasim kur të caktohet ai. Në mesin e javës së ardhshme, kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel ku do të takohet me përfaqësues të lartë të BE-së”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Për takimin detaje nuk kanë dhënë as nga BE-ja. Zëdhënësi për Politike të Jashtme, Peter Stano, shkurt ka thënë se për të do të flasin kur të jetë e përshtatshme.

“Unë mund të flas vetëm në emër të HRVP dhe të konfirmoj takimet që ai ka planifikuar. Takimet e tij për javën e ardhshme do të bëhen të ditura të premten. Kur bëhet fjalë për Dialogun - asnjë takim nuk është planifikuar për javën e ardhshme. Ne do të bëjmë të ditur një takim të tillë kur është e përshtatshme”, është shprehur ai.

Nga shoqëria civile, thonë se nga takimi i parë mes Kurtit e Vuçiqit pritet të qartësohen parimet, si dhe formati i procesit dialogues.

Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, thotë se temat e takimeve do të varen edhe nga ndërmjetësuesi i bisedimeve.

“Njohja reciproke, personat e zhdukur, dëmshpërblimet e luftës, integrimi i serbëve brenda sistemit kushtetues së Kosovës janë ato pikat e mëdha apo temat e mëdha që ky dialog duhet të konstruktohet dhe të vihet theksi mbi to por shpesh siç e thash edhe më parë do të varet edhe nga ndërmjetësuesi Lajcak edhe nga pala tjetër se si do ti qasen dialogut”, ka thënë Fetahu.

Të mërkurën është konfirmuar se gjatë javës së ardhshme drejt Brukselit do të udhëtojnë edhe kryeministri Albin Kurti edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Që të dy gjatë vizitës së tyre në ditë të ndryshme do të takohen me përfaqësues të Bashkimit Evropian, por që është mohuar se do të ketë edhe një takim mes tyre.