Maas: Dialogu të përfundojë me njohje, duhen kompromise

- 17:01Maas: Dialogu të përfundojë me njohje, duhen kompromise
- 16:23Maas i prerë: Gjermania përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën – Vijat në harta të rrezikshme
- 15:19Maas lidh vizitën në Prishtinë e Beograd me vaksinat
- 14:32Ministri i Jashtëm gjerman mbërrin në Kosovë
- 08:16Shefi i diplomacisë gjermane, Maas, sot e viziton Kosovën
Maas: Dialogu të përfundojë me njohje, duhen kompromise
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke, teksa ka theksuar se në procesin e dialogut duhet të ketë kompromise deri në zgjidhjen përfundimtare.
“Natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe s’do të realizohet. Është normale që në dialogjet për normalizim, duhet të ketë dhe ka kompromise. S’dua të tërheq linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër, për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s’dua ta ngarkoj edhe më tej procesin, por në fund të procesit dëshiroj të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, ka deklaruar ai.
Çështjen e kompromiseve në dialog ditë më parë e përmendi edhe presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër drejtuar kryeministrit Albin Kurtit.
19:27 - Kurti takohet me Maas, pajtohen për hapa konkretë në bashkëpunimin mes Kosovës e Gjermanisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me dy zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.
Ministri gjerman ka uruar kryeministrin Kurti me rastin e marrjes së detyrës së udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës dhe ka ripërsëritur mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qeverinë e re.
Gjatë takimit i është dhënë mbështetje synimeve të Qeverisë për reforma në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ministri Maas deklaroi se gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte në krye të agjendës. Ai konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi siç tha, qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.
Temë e takimit ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për dialog dhe normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti theksoi se qeveria e re garanton mjedis të sigurt për investime, dhe se Kosova do të mirëpriste investimet e përbashkëta të mërgatës dhe investitorëve gjermanë.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministri Maas biseduan për hapat konkretë për bashkëpunimin e mëtejmë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë.

Maas i prerë: Gjermania përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën – Vijat në harta të rrezikshme
Heiko Maas, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, ka qenë i prerë sa i përket dy çështjeve që janë të ndërlidhura me Kosovën, në konferencën për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani. Ai është shprehur i qartë se Gjermania përkrah liberalizimin e vizave për kosovarët, ndërsa ka theksuar se zgjidhja e çështjes së rajonit përmes kufijve të ri është temë e rrezikshme dhe aspak realiste.
Maas është shprehur se në Kosovë së shpejti do të shtohen dozat e vaksinave kundër koronavirusit, ndërsa ka thënë se Gjermania mbështet Kosovën në luftën ndaj COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.
“Kur kemi biseduar rreth temave, e di se për qytetarët e Kosovës me rëndësi është liberalizimi i vizave. I kam shprehur presidentes edhe një herë që qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është i qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se ai duhet të jepet. S’është çështje vetëm e përmbushjes së kritereve, por edhe e asaj që BE-ja t’i përmbahet premtimit të dhënë. Ne gjatë presidencës sonë e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës gjatë presidencës sonë të BE-së. Do të angazhohemi edhe për çështje të tjera si njohja e patentë-shoferëve. Ne jemi para një zgjidhjeje”, ka thënë ai.
Si pengesë kryesore për zhvillimin e Kosovës në rrugën euroatlantike ai e ka parë dialogun me Serbinë. Ka ofruar mbështetjen e tij për këtë teksa ka thënë se asgjë nuk mund të zgjidhet përmes vizatimeve mbi harta.
“Dua të nënvizoj qartë që çështjet që janë shprehur se çështjet mund të zgjidhen me vizatime me vija në harta, i konsiderojmë jo vetëm jorealiste, por edhe të rrezikshme. E konsiderojmë të rrezikshëm edhe diskutimin për këtë. Jam i lumtur që kjo të futet shpejt në sirtar e të jetë pjesë e një dosjeje të kalueshme”, ka shtuar Maas teksa ka ofruar mbështetje për zotimet e Qeverisë së re të Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Osmani: Kosova i ka qëndruar lojale SHBA-së dhe BE-së duke mos pranuar vaksina nga Rusia
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se ndikimi rus në rajon është i pranishëm nëpërmjet Serbisë.
Osmani ka thënë gjatë konferencës së përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, se ndikimi rus në rajon bëhet nëpërmjet natyrës ekonomike, politike, ushtarake dhe vaksinave.
“Ndikimi rus në rajonin tonë vazhdon ë jetë i mundur nëpërmjet Serbisë. Është bërë në 4 fronte kryesore, i pari është ai i natyrës ekonomike, i dyti është ai i natyrës politike, i treti është i natyrës ushtarake dhe i katërti nëpërmjet vaksinave. Republika e Kosovës i ka qëndruar besnike orientimit të saj pro-perëndimor, i ka qëndruar lojale BE-së dhe SHBA-së duke mos pranuar vaksina nga Rusia. Nganjëherë duket sikur ndëshkohemi për shkak të një qasje të tillë por ne qëndrojmë stoik në këtë qasje dhe ne e rikonfimojmë orientimin tonë strategjik pro-perëndimorë. Bashkëpunimi ynë edhe sa i përket vaksinave është me shtetet e BE-së dhe SHBA-në”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, ndikimi rus mund të largohet nga Ballkani nëse Bashkimi Evropian e përkrah këtë rajon në procesin e integrimit.
“Sa më shumë që BE-ja e përkrah rajonin tonë në procesin e integrimit evropian aq më shumë do ta largojë ndikimin rus këtu, BE-ja ta mbajë fjalën sa i përket liberalizimit të vizave. Të refuzohen ide që nën emra të ndryshëm kanë për qëllim që ne të na lënë në paradhomë ose në pritje. Ne në esencë, në identitet jemi evropianë prandaj edhe hyrja jonë në BE është hyrje në vendin ku na takon dhe ku na ka takuar historikisht”, ka thënë Osmani.
Osmani ka folur edhe lidhur me dialogun me Serbinë duke thënë se Kosova do të zhvillojë dialog të bazuar në parime të qarta ndërkohë që ka shtuar se, ndryshimi i kufijve është një logjikë që i takon shekullit të kaluar.
“Çështja e tretë për të cilën diskutuam ishte procesi i dialogut me Serbinë. Në këtë kohë pandemie, qytetarët e Kosovës presin që të merremi në radhë të parë me menaxhimin e pandemisë dhe në radhë të dytë me pasojat ekonomike nga kjo pandemi e po ashtu me sundimin e ligjit. Dialogu me Serbinë është proces në të cilin Kosova ka qenë e përfshirë që nga fillimi. Republika jonë ka ofruar dorën e bashkëpunimit me Serbinë edhe pse Serbia akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe akoma nuk ka drejtësi për mijëra e mijëra viktima. Do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta, ku Republika e Kosovës nuk do të pranojë të hyjë në aventura të rrezikshme qoftë me ndryshim kufijsh, logjikë kjo që i takon shekullit të kaluar, qoftë me ndryshimin e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës, i cili do ta rrezikonte funksionalitetin tonë të brendshëm dhe një Kosovë jofunksionale nuk i duhet as Kosovës dhe as partnerëve tanë”, është shprehur Osmani.
Ajo ka bërë të ditur se me Maas është diskutuar edhe për përballjen e Kosovës me COVID-19 ku ka falënderuar ministrin gjerman për mbështetjen gjermane në këtë drejtim, ndërkohë që ka kërkuar bashkëpunim të mëtutjeshëm për ta ndihmuar Kosovën për sigurimin e vaksinave.
Osmani po ashtu ka thënë se në takimin me shefin e diplomacisë gjermane është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave.
“Presim nga shtetet e BE-së që ta përmbushin premtimin e tyre në raport me popullin e Kosovës. Janë bërë tashmë disa vite që kur KE-ja ka konfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. Ka ardhur që shtetet e tjera anëtarë që mund të kenë dyshime ta ndjekin shembullin e Gjermanisë në mënyrë që të gjitha ta përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës ndihen se nuk po trajtohen njësoj sepse procesi i liberalizimit për ne po trajtohet komplet ndryshe nga ajo se si është trajtuar për shtetet e tjera. Kriteret i kemi plotësuar që moti”, ka thënë Osmani.
Maas lidh vizitën në Prishtinë e Beograd me vaksinat
Kryediplomati gjerman Heiko Maas ka lidhur vizitën e tij të sotme në Prishtinë dhe atë që do ta ketë në Beograd të premten, me procesin e vaksinimit kundër COVID-19.
“Askush në Evropë nuk mbetet i paprekur nga suksesi dhe dështimi i fqinjëve të saj. Fakti që tani progresin e vaksinimit në BE mund ta ndajmë edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, është një moment kyç në luftën kundër virusit. Për këtë arsye sot dhe nesër jam në Prishtinë dhe Beograd”, ka shkruar Maas në Twitter.
Vizitën në Prishtinë, Maas, e ka nisur me takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ministri i Jashtëm gjerman mbërrin në Kosovë
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka mbërritur sot në Kosovë.
Ai është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Ai do të qëndrojë në Kosovë sot, e të premten do të niset për Beograd.
“Kjo vizitë do të shënojë një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë si dhe lehtësimin e rrugës së Kosovës drejt integrimeve Euro-Atlantike”, thuhet në njoftimin e MPJ-së në Twitter, pas mbërritjes së diplomatit gjerman në Kosovë.
Shefi i diplomacisë gjermane vjen në rajon në një kohë kur është rihapur tema e ndryshimit të kufijve, për çka Gjermania dhe vetë ministri Maas, janë deklaruar të prerë kundër çfarëdo ndryshimi.
Shefi i diplomacisë gjermane, Maas, sot e viziton Kosovën
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, sot do ta vizitojë Kosovën. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Maria Adebahr, Maas, do të diskutojë me zyrtarët e Kosovës e më pas edhe të Serbisë, edhe për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Shefi i diplomacisë gjermane do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, sot rreth orës 14:00, ku do të pritet nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.
Më pas kryediplomati gjerman do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, rreth orës 15:00, e nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ora 16:30.
Maas do të mbaj takim me ministren e jashtme Donika Gërvalla rreth orës 17:00.
Të premten Heiko Maas do ta vizitojë Beogradin.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komandantja supreme takon ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së

Suspendohet drejtori i RTK2

Osmani: Vuçiqi po përpiqet ta zhbëjë paqen, por nuk do ta lejojmë

Serbia nis tërheqjen e trupave ushtarake nga kufiri me Kosovën

Radoiçiq pranon ftesën e autoriteteve të Serbisë, u deklarua në cilësinë e qytetarit

Jamie Shea për grupin e armatosur: Ata nuk janë martirë, ishin aty për të shkaktuar trazira

Hovenier: Një apo disa struktura qëndrojnë pas sulmit në veri

U dorëzohen familjarëve trupat e tre të vrarëve në Banjskë

Drejtori i Kardiologjisë: Tendencat për njollosje me të pavërteta do të mbesin tentativë e mjerë

Shpërblimi vjetor për gazetari dhe letërsi “REXHAI SURROI” 2023

Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën
