Arbëri

Rama: Mini-Schengeni nënkupton heqje kufiri mes shqiptarëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrojtur sërish idenë e Mini-Schengenit Ballkanik duke thënë se një propozim i tillë do të nënkuptonte heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas tij, ideja e parë për Shengenin Ballkanik kishte ardhur nga ish-kryeministri shqiptar Fatos Nano, ndërsa ka shtuar se ishte vetë Rama që e ka rifutur si ide. Ai ka kritikuar sërish Kosovën që nuk pranoi të jetë pjesë e diskutimeve rajonale në Ballkan për këtë çështje.

“Unë e kam rifutur sepse u krijuan kushtet. Nuk e kanë pranuar. Shengeni rajonal nënkupton heqje kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, por sa ta marrin vesh ata të Kosovës do të kenë kaluar vite dhe do të ketë humbur kohë Kosova dhe shqiptarët”, ka thënë Rama në “EuroNews Albania”.

Rama ka deklaruar se për Kosovën dialogu me Serbinë duhet të jetë prioritet që të ngrihet në aspektin ekonomik dhe social.

“Për mua e ardhmja e Kosovës pa kurajën dhe vendosmërinë për të mbaruar dialogun është e mjegullt jo në sensin e pavarësisë por në sensin e kapaciteteve që mund të vihen në dispozicion për ta ngritur Kosovën në nivel tjetër në aspektin ekonomik dhe social”, ka shtuar ai.

Rama sërish ka refuzuar të flasë për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Ka thënë se këtë do ta bëjë pas zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.