Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka vendosur mbi organizimin e mësimit plotësuar për nxënësit që kanë ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë COVID-19.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministrja, Arbërie Nagavci, mësimi plotësues do të fillojë nga 3 maji në objekte shkollore dhe do të vazhdojë deri në përfundim të vitit mësimor 2020-2021.
Organizimi i mësimit plotësues do të implementohet për nivelin e arsimit parauniversitar:
-Për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (klasa I-V), mësimi plotësues do të organizohet në lëndët e gjuhës amtare dhe matematikë.
-Për nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX) dhe të arsimit të mesëm të lartë (X-XII), mësimi do të organizohet në lëndët e gjuhës amtare, matematikë dhe shkenca natyrore.
“Drejtoritë Komunale të Arsimit do të dorëzojnë në Inspektoratin e Arsimit planifikimet e shkollave për mësimin plotësues deri me datën 28 prill 2021, ndërsa do të raportojnë dy herë brenda muajit për mbarëvajtjen e mësimit plotësues”, thuhet në njoftim.