1 perditesime
Arbëri

Basha akuzon Ramën për plagosjen në zyrat e PD-së: Do të marrë përgjigjen e merituar me votë

Basha akuzon Ramën për plagosjen në zyrat e PD-së: Do të marrë përgjigjen e merituar me votë
Foto: A2
21:00

Basha akuzon Ramën për plagosjen në zyrat e PD-së: Do të marrë përgjigjen e merituar me votë

Kreu i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ngjarjen në zyrat e kësaj në Kavajë, ku një i ri mbeti i plagosur pasditen e sotme.

Në një deklaratë për mediat nga Kavaja, Basha e konsideroi një atentat të kryeministrit ndaj PD-së dhe Aleancës për Ndryshim, por që do të marrë përgjigjen sipas tij, të merituar me votë të dielën e 25 prillit.

“Ngjarje e rëndë, atentat kundër PD-së e Aleancës për Ndryshim nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb, Kavaja fiton dhe Shqipëria fiton një njeri i cili ka humbur çdo kufi njerëzor dhe sot hesht ndërkohë që njerëzit e tij me dhunën e aktet e atentatit ndaj demokracisë tregojnë se këtij regjimi i ka ardhur fundi. Kërkojnë të frikësojnë Kavajën PD dhe koalicionin për ndryshim, kërkojnë të na mbyllin gojën nuk i kemi frikë do ta marrin përgjigjen e merituar me votë të dielën nga Kavaja”, ka thënë Basha.

Gjatë pasdites, mediat raportuan se një biznesmen pas konfliktit, plagosi një person që ishte brenda zyrës së PD-së në Kavajë.

Policia ende nuk ka arrestuar të dyshuarin, ndërkohë viktima po trajtohet në spitalin e Durrësit.

20:22

Një person plagoset brenda zyrës së PD-së në Kavajë

Një biznesmen në Kavajë ka plagosur një person brenda zyrës së Partisë Demokratike.

Policia ka dhënë detaje për sulmuesin dhe viktimën, që po kurohet në spitalin e Durrësit.

Fillimisht mediat njoftuan se biznesmeni qëlloi drejt zyrave të PD-së dhe plagosi një person brenda, por më pas Policia e Shqipërisë njoftoi se plagosja ndodhi pas një zënke dhe se biznesmeni 27-vjeçar ishte futur brenda zyrës dhe ka plagosur në këmbë shtetasin Bledi Okshtuni 27 vjeç.

Policia ka thënë se plagosja ka ardhur pas një konflikti për motive të ulëta. I dyshuari, Ndriçim Jonuzi, është ende në arrati.

Tensionet në Shqipëri këto ditë, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme kanë nisur të rriten.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është nisur drejt Kavajës, njoftojnë mediat në Tiranë.

Zgjedhjet do të mbahen këtë fundjavë, më 25 prill.