2 perditesime
11:02

Votohen ndryshimet e tri neneve që lehtësojnë zbatimin e Ligjit për Gjykimin në Mungesë

Pas disa diskutimeve, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsion, ka votuar ndryshimet e tri neneve të Kodit të Procedurës Penale për lehtësimin e zbatimit të Ligjit për Gjykimin në mungesë nga ana e Prokurorisë.

Votimi erdhi pasi deputetë nga pozita dhe opozita diskutuan rreth nevojës dhe mënyrës së ndryshimit të këtyre neneve.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë se ndryshimi ka të bëjë me eliminimin e disa pengesave për Prokurorinë Speciale, derisa deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se procesi i përshpejtuar nuk është forma e duhur.

10:48

Pozitë dhe opozitë nuk bien dakord për ndryshimin e neneve rreth gjykimit të krimeve në mungesë

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit është duke e shqyrtuar kërkesën urgjente të Ministrisë së Drejtësisë për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Pjesë e këtij ndryshimi të Kodit është ndryshimi i tre neneve që kanë të bëjnë me gjykimin e krimeve në mungesë.

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar që është me rëndësi që procesi i gjykimit në fillojë sa më parë dhe të vendoset drejtësi

“Ky ndryshim ka të bëjë me eliminimin e disa pengesave për Prokurorinë Speciale që lidhet me gjykimin ne mungesë për krimet e luftës në Kosovë. Disa kritere të përcaktuara kanë krijuar pengesa që kanë quar në moszbatim të gjykimit në mungesë. Është me rëndësi që procesi i gjykimit të fillojë sa më parë dhe të vendoset drejtësi për aq sa është e mundur. Besoj që secili prej nesh e kupton rëndësinë e ndryshimeve që kërkohen sado teknike por të rëndësishme për Prokurorinë”, ka deklaruar Rrustemi.

Ndërkohë, deputetja Blerta Deliu-Kodra e ka cilësuar si qasje ad hoc inicimin e kësaj çështjeje, duke thënë se qasja e përshpejtuar nuk është e duhura.

“U tha që kjo qasje e ndryshimit ad hoc konsideroj që është qasje jo e duhur dhe jo profesionale, aq më pak kur flasim për një çështje të tillë kur kërkon trajtim profesional. Ky ndryshim duhet të bëhet brenda projekt-kodit dhe kjo qasje e përshpejtuar nuk i shkon këtij komisioni ndonëse thatë që volumi është i vogël prej vetëm tre nenesh. Konsideroj që nuk duhet të kemi nguti për ligje të tilla që kanë peshë”, ka thënë ajo.

“Prita që kjo çështje të mos na ndajë më vjen keq për këtë diferencim në qëndrim. Ne jemi vonë nuk bëhet fjalë për nxitim e nguti. Kërkesa konsiston në ndryshim teknik por me efekte të rëndësishme. Nuk mendoj që duhet t’i jepet konotacion politik kësaj çështjeje”, ka shtuar tutje Rrustemi.

Ndërsa Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk duhet të ngutemi pasi që me urgjenca të tilla nuk po arrijnë të bëjnë ligje të duhura.

10:27

Komisioni për Legjislacion diskuton ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit është duke mbajtur mbledhjen e radhës ku është ndër të tjera do të shqyrtohet kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Anëtarët e këtij komisioni nga opozita kërkuan nga deputetët e pushtetit që të mos i befasojnë me ndryshime të ligjeve siç ishte rasti i Ligjit për Zgjedhje.

“Ne do të kemi shumë punë kur Qeveria ta sjellë agjendën legjislative, do të kemi shumë angazhim por kërkoj prej jush të mos kemi situata të tilla sikur me ligjin për zgjedhje. Sepse, duhet punë për hartime e ndryshime të ligjeve”, ka deklaruar Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Temën për ndryshimit e Ligjit për Zgjedhje e ka përmendur edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra. Ajo tha se duhet bashkëpunuar edhe me shoqërinë civile në këtë komision.

“Ne kemi parë në ligjin për zgjedhje sa ka qenë e zëshme shoqëria civile. Prandaj mendoj që është rast i mirë që organizata Democracy Plus do të bashkëpunoj me ne por është e rëndësishme që edhe anëtarë të tjerë ta kenë mundësinë që të punojmë bashkë në komisionin për legjislacion”, tha ajo.

Kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, ka thënë se komisioni do të zhvillojë bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile.