Arbëri

Prokuroria merr në pyetje gazetarët Andi Bushati e Armand Shkullaku

Drejtuesit e portalit “Lapsi.al”, Andi Bushati e Armand Shkullaku, janë ftuar për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), si pjesë e hetimeve të hapura mbi një databazë që dyshohet se është krijuar nga Partia Socialiste. Databaza thuhet se përmban emrat e 910 mijë votuesve të qarkut Tiranë, krahas të dhënave të shumta personale, përfshirë vendin e punës dhe prejardhjen familjare, në atë që duket se është një sistem masiv gjurmimi.

Nuk është bërë e ditur nëse prokurorët po hetojnë Partinë Socialiste apo portalin “Lapsi.al” që publikoi databazën.

Burime të paidentifikuara kanë bërë të ditur se SPAK-u po heton në bazë të nenit 122 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, një nen që në fakt nuk hyn në funksionet e SPAK-ut dhe që dënon si kundërvajtje penale rrjedhjen e të dhënave personale nga një zyrtar apo profesionist që ka për detyrë t’i ruajë ata. Andi Bushati deklaroi pas marrjes në pyetje se prokurorët i kanë kërkuar atij të tregojë burimin nga e ka marrë informacionin dhe se, sipas tij, portali “Lapsi” ka refuzuar ta japë me qëllim që të mbrojë burimin.

Bushati e përshkroi takimin me prokurorët si “të shkurtër”, ndërsa u kërkoi atyre të hetojnë në tërësi se si të dhënat personale të qytetarëve përfunduan në duart e një partie politike. Bushati, i cili ekspozoi ekzistencën e databazës që sipas tij është krijuar nga Partia Socialiste, beson se prokurorët vështirë se do të bëjnë punën e tyre.

“Nuk kam besim se Prokuroria do ta gjejë të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Kur krimi shkon lart, ai mbetet pa fajtor”, deklaroi ai.

Bushati dhe Shkullaku nuk ia kanë dorëzuar Prokurorisë Speciale databazën me të dhënat me qëllim për të mos dekonspiruar burimin. Megjithatë, SPAK-u i ka urdhëruar të mos e shkatërrojnë rrjetin me të dhënat e qytetarëve.

Më herët Prokuroria ka kërkuar nga AKEP-i (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare) të ndërhyjë për fshirjen e të dhënave personale të qytetarëve.

Publikimi i lajmit mbi databazën të dielën e kaluar shkaktoi zemërim në spektrin politik dhe mes publikut të gjerë në Shqipëri. Zyrtarët e Partisë Socialiste fillimisht pranuan se databaza ekziston, por se ajo është krijuar me të dhëna të ofruara vullnetarisht nga qytetarët dhe jo me të dhëna të vjedhura.

Vetë kryeministri Edi Rama pranoi se partia e tij ka një sistem për patronazhimin e çdo votuesi dhe e konsideroi këtë praktikë normale, ndërsa sugjeroi se databaza e partisë së tij është më komplekse, ndërsa ato që janë publikuar në media i konsideroi si ndoshta versione më të hershme.

Partia Demokratike në opozitë deklaroi se të dhënat kanë rrjedhur nga portali i shërbimeve qeveritare “E-Albania” te Partia Socialiste, ndërkohë që shumë qytetarë që kanë akses në databazë dëshmojnë se të dhënat e përfshira në të janë shumë të përditësuara dhe janë të dhëna që ata vetë i kanë dorëzuar në institucione të ndryshme publike, përfshirë “E-Albania” dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

“E-Albania” u përdor nga Qeveria e kryeministrit Edi Rama për të dhënë lejet e daljeve gjatë mbylljes së përgjithshme të pranverës 2020, që u bë me qëllim që të ndalohej përhapja e COVID-19. Në formularët e plotësuar, qytetarët dorëzonin të dhëna të ndryshme, përfshirë numrat e telefonit dhe adresat e e-mailit. Databaza përmban rreth 910 mijë rreshta me emrat, adresat, ditëlindjet, numrat personalë, të dhënat e punësimit dhe të dhëna të tjera. Për çdo votues, një zyrtar i partisë i cilësuar si “patronazhisti” është caktuar. Nëse do të dish se ku punon secili prej 910 mijë votuesve, një kërkim në databazë e nxjerr për pak minuta. Për secilin votues ka gjithashtu të dhëna se si ata kanë votuar në të shkuarën dhe se cila është preferenca e tyre aktuale. Në një kolonë të veçantë të titulluar “koment”, zyrtarët e partisë kanë vënë shënime për shumë nga votuesit, shënime që sugjerojnë për marrëdhënie korruptuese mes këtyre zyrtarëve dhe votuesve. Patronazherët kanë hyrë deri në të dhënat më private të mundshme të qytetarëve, duke u informuar edhe për sherret brenda familjes. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, një organizatë e të drejtave të njeriut në Tiranë, theksoi se monitorimi sistematik i votuesve nga një parti politike përbën dhunim të së drejtës për votim të fshehtë, dhe kjo është veçanërisht shqetësuese në rast se mbledhja e të dhënave bëhet pa lejen e votuesit.

Të premten 12 organizata të të drejtave të njeriut bënë thirrje te autoritetet të hetojnë çështjen, sepse dukshëm mbledhja e këtyre të dhënave është në shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Në gjuhën e ligjit ky rast përbën haptazi mbledhje, përpunim dhe përhapje të paligjshme të të dhënave personale dhe sensitive të afro 1 milion qytetarëve shqiptarë, pa pëlqimin e tyre”, shkruhet në deklaratën e këtyre organizatave.