Surroi e sheh më të mundshëm anëtarësimin në NATO se në OKB
- 21:13Surroi e sheh më të mundshëm anëtarësimin në NATO se në OKB
- 20:47Surroi: Aq shumë dëme janë shkaktuar nga qeveritë e kaluara sa që vështirë të rehatohen të gjitha
- 20:33Surroi për Qeverinë Kurti: Pritjet janë të mëdha sa që s’do të pritet 100-ditëshi për t’ia tërhequr vërejtjet
- 20:23Surroi fajëson edhe ndërkombëtarët për korrupsionin në Kosovë
Surroi e sheh më të mundshëm anëtarësimin në NATO se në OKB
Sipas publicistit Veton Surroi, Kosova e ka më të mundshëm anëtarësimin në NATO sesa në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se në OKB do të jetë i vështirë pranimi i Kosovës përderisa ekziston e drejta e vetos te Rusia dhe Kina. Sa i përket NATO-s ka thënë se kërcënimi që kjo organizatë sheh nga Rusia mund të bëjë që shtetet anëtare të NATO-s të pranojnë Kosovën.
Duke thënë se ka në botë ka nisur një rikonfigurim i raporteve diplomatike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë qasje të re për Bashkimin Evropian dhe përafrimi i tyre kundrejt Rusisë, Surroi ka thënë se Kosova duhet të bazohet në “atë që është e mundshme”.
“E kemi parë në mënyrë të gabueshme (dialogun) sepse kemi parë që sa herë është nënshkruar një marrëveshje ‘ka qenë historik’ e që do t’ia japë Kosovës mundësinë e hyrjes në OKB. S’di pse duhet të mendohet se përnjëherë ky proces do ta kënaqë Rusinë e Kinën që kanë të drejtën e vetos. Duhet të bazohemi në atë që është e mundshme. Ajo që është e mundshme dhe e dëshirueshme është që të jemi pjesë e NATO-s. Duhet t’i adresojmë problemet që kemi me 4 shtetet e NATO-s që s’e kanë njohur, duke filluar nga Spanja”, ka thënë ai në “Deskun” e KTV-së.
Sipas tij, Kosova duhet të kërkojë që dialogu i Brukselit të shndërrohet në dialog euroatlantik me përfshirjen në të të SHBA-së e që në rrugën drejt anëtarësimit në NATO të mos ketë pengesa nga Serbia e Rusia.
“NATO-ja është më e kapshme në kuptim të realitetit. Po të ulesh me ministrin e Jashtëm të Spanjës tregon se Rusia është shndërruar në forcë rrezikuese të Ballkanit Perëndimor dhe duke rrezikuar edhe zgjedhjet në SHBA, janë elemente të kapshme... Pengesa kryesore është se ka shtete që s’duan të merren fare me këtë. Ideja është kjo që Rusia si një shtet dhe Putini që ia ka zgjat mundësinë vetes që të jetë në krye të Rusisë edhe për 15 vjet nëse ka shëndet, kjo nënkupton që kemi të bëjmë me përllogaritje afatgjate që në perspektivën e Moskës, janë pjesë të një loje shahu. Për Putinin Kosova është si Serbia, si Ukraina, si Krimeja si Gjeorgjia. I sheh si pika të konfrontimit me Perëndimin”, ka deklaruar më tej ai.
Sa i përket idesë të fundit që ka qarkulluar për këmbime territoresh në Ballkan, Surroi ka thënë se kjo i përshtatet Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq për shkak se “humb fokusi nga tema kryesore e dialogut që Kosova të jetë e barabartë me Serbinë”.
Surroi ka thënë se çështja e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem duhet të konsiderohet e mbyllur.
Libri i ardhshëm i Surroit për Kosovën në kulturën e luftës e jo të paqes
Publicisti Surroi ka dhënë detaje për librin e tij të ri:
Është një përpjekje për t’iu rikthyer vendimeve që kemi marrë në vitet 90-ta, ku janë mbështetur ato se kanë qenë vendime strategjike dhe pjesë e asaj është pse në mënyrë të vetëdijshme nuk kemi dashur të hyjmë në luftë si Kosovë dhe pse ka qenë e vlefshme që njëra prej gjërave më të vlefshme që kemi bërë aso kohe.
Kemi të bëjmë me idenë e një pyetje të cilën e kemi sot: pse ende jetojmë në kulturë të luftës por nuk jetojmë në kulturë të paqes. Ne jemi shpërblyer si Kosovë, jemi çliruar, në është dhënë ndihmë e jashtëzakonshme për t’u pavarësuar. Kemi qenë një popull që ka ndenjur përballë një agresori të armatosur.
Ne duhet t’i kthejmë fëmijët tanë në dimensionin e kulturës së paqes.
Surroi: Aq shumë dëme janë shkaktuar nga qeveritë e kaluara sa që vështirë të rehatohen të gjitha
Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, ka thënë se aq shumë dëme janë shkaktuar në Kosovë nga qeveritë e kaluara të pasluftës, sa që vështirë do të jetë që të rregullohen të gjitha problemet në një afat të shkurtër kohor.
Duke aluduar në qeverinë aktuale, Surroi ka deklaruar në “Desku” të KTV-së, se mençuri është të shikohet se çka mund të bëhet në realitet.
“Aq shumë dëme janë bërë nga qeverisjet e kaluara saqë është vështirë të gjenerohet menjëherë një lloj dinamizmi i cili i rehaton të gjitha këto probleme prandaj mençuria është që të ulet dhe të shihet se çka mund të bëhet në formë realiste, dhe çfarë rezultati mund të prodhohet dhe në cilën kornizë kohore. Është si në shah, çdo kush që ulet të luajë në shah i din lëvizjet, por ai që zgjedhë lëvizjet e duhura është ai që fiton”, ka thënë Surroi.
Duke folur për qeverinë “Kurti II”, publicisti Surroi ka thënë se ky pushtet ka gjasa shumë të mëdha të përkrahjes së mëtutjeshme, duke mos bërë atë që kanë bërë pushtetet e kaluara.
Sipas tij, për nga natyra, Lëvizja Vetëvendosje është lëvizje anti-korruptive mirëpo siç ka thënë, nuk mjafton për të gjeneruar rritje në të ardhmen vetëm duke mos bërë atë që kanë bërë qeveritë e kaluara.
Surroi për Qeverinë Kurti: Pritjet janë të mëdha sa që s’do të pritet 100-ditëshi për t’ia tërhequr vërejtjet
Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, ka thënë se populli i Kosovës ka aq shumë pritje në Qeverinë Kurti 2 saqë nuk do ta presë 100-ditëshin për t’ia tërhequr vërejtjet.
Surroi ka deklaruar se ilustrimi më i mirë për këtë është shkuarja e zyrtarëre qeveritarë në Shqipëri për fushatë zgjedhore në fundjavë.
“Krahasuar me Qeverinë Kurti 1, ajo u ballafaqua me një sfidë të panjohur dhe ndërmorën masa serioze, rigoroze, të konsultuara me ndërkombëtarët, ishte veprim i matur dhe i mençur. Ajo që ishte indikative dhe që e ilustron në pjesë të madhe një iluzion të ri kësaj force politike, Vetëvendosjes dhe popullatës, është se pritshmëritë janë aq të mëdha, saqë nuk do t’i pritet 100-ditëshi për t’ia tërhequr vërejtjen. Ilustrimi ishte i thjeshtë me fushatën e Vetëvendosjes në Shqipëri me ndërmarrjen e masave anti-COVID këtu. Në masë të madhe ishte deklarim i përgjithshëm, se jo vetëm që ky pushtet nuk ka kohë të merret me ato rregullime, por është në një shtet tjetër”, u shpreh ai.
Surroi tregoi se edhe pro kosovarët që janë në Shqipëri, nuk e kanë parë me sy të mirë vizitën e VV-së atje.
“Nuk i kanë dhënë shumë rëndësi, fillimisht e kanë shikuar me ndrojtje më duket. Edhe për njerëzit që janë pro kosovarë, nuk shihet me sy të mirë domethënë është një energji që duhej të shpenzohej pak më mirë”, vijoi Surroi.
Sipas Surroit, përfshirja e Vetëvendosjes në fushatën zgjedhore në Shqipëri është gabim, duke treguar platformën që partitë politike e kishin arritur në vitet 90’ për të mos krijuar struktura politike që kalojnë kufijtë shtetëror.
“Unë kam qenë një prej hartuesve të platformës politike të viteve '90. Patëm marrë një vendim që nuk do të krijojmë struktura politike që kalojnë kufijtë shtetërorë. Nuk do të bëjmë veprime të njëjtë si Kroacia me Malin e Zi dhe Bosnjën. Kishte tendenca për ta shtyrë LDK-në që të ketë një lloj patronati ndaj PDK-së. E gjithë udhëheqësia e LDK-së ishte kundër kësaj ide, ishim kundër idesë të kishim parti klienteliste edhe në Maqedoni, por ramë dakord që lëvizja kryesore ishte në Kosovë, kështu që në masë të madhe iu kemi përmbajt atij vendimi. Kemi bërë mirë, mendoj unë. Mendoj se duhet të kemi një marrëveshje të tillë edhe sot. Parimi duhet ruajtur, që të mos ketë përzierje të tilla”, u shpreh publicisti i njohur kosovar.
Surroi fajëson edhe ndërkombëtarët për korrupsionin në Kosovë
Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, ka thënë se deklarimet e para të politikës së re të jashtme të Kosovës, që në arenën ndërkombëtare po shprehen se në Kosovë ka krim e korrupsion nuk duhet parë si risi. Sipas tij, risi do të konsiderohej po që se liderët e rinj thonë se në krim e korrupsion kanë gisht edhe ndërkombëtarët.
Në emisionin “Desku” në KTV, Surroi ka deklaruar se është vështirë të jepet një vlerësim për Qeverinë Kurti 2, në pak kohë që kur ka marrë qeverisjen. Sipas tij, duhet dhënë kohë për konsolidim të Qeverisë e që ekipi i ri të marrë veten.
“Njeriu mund të kritikojë, të nxjerrë me pincetë pjesë që i pëlqejnë apo jo. Duhet unifikuar narracioni në Kosovë mes pushtetet e opozitës. Është fakt se Kosova nga Bashkimi Evropian është i përshkruar si shtet i kapur. Të thuash se ka hajni e korrupsion nuk është ndonjë risi. Do të ishte risi të thuhet se në Kosovë ka hajni e korrupsion jo vetëm falë partive të cilat kanë prirë deri më sot, por edhe falë sistemit që në masë të madhe ishte i vendosur nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Ka pasur dhe ka korrupsion dhe ka pasur dhe ka shtet të kapur jo vetëm pse ka pasur iniciativë të këtillë të forcave politike që kanë menaxhuar krimin dhe politikën njëkohësisht, por sepse këtë e kanë toleruar apo ishin pjesë e një marrëveshje të heshtur mes aktorëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë. Çështja është si të fillosh rrëfimin. Mund të thuash se ka krim e korrupsion, por a do të vazhdosh të thuash se është fryt i punës apo mospunës së përbashkët”, ka thënë ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Franca: Kosova e Serbia t’i kthehen dialogut me qasje kompromisi

Situata në veri - Vuçiqi në takim me ambasadorët e QUINT-it, BE-së, Rusisë dhe Kinës

Gazetarja e KOHËS pengohet nga protestuesit në Leposaviq

Tre ushtarë të KFOR-it të plagosur me armë zjarri

AGK-ja dënon sulmet ndaj veturave të KOHËS dhe televizionit T7

KFOR-i fton Kosovën e Serbinë të marrin përgjegjësi për situatën në veri

Demolohet vetura e KOHËS në Zveçan

Peci nuk shkon sot në ndërtesën e Komunës së Zveçanit

LIVE: Dita e tretë e protestave në veri, KFOR-i bën thirrje për shtensionim

Begaj: Askush s’mund t’i vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Kosovës

Tensionet në veri anulojnë aktivitetin e “Defender Europe 2023”
