Arbëri

Kurti dërgoi komentet në Kushtetuese pas ankesës së Listës Serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dorëzuar komentet në Gjykatën Kushtetuese pas kërkesës së parashtruar nga 11 deputetë, që u ankuan për udhëheqjen e vetëm një ministrie.

Qeveria ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të nxjerr aktgjykim me të cilin e shpall kërkesën të pranueshme, të konstatojë se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe të refuzojë kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme.

“Qeveria e Kosovës, në komentet e saj, konsideron se duhet referuar dispozitave kushtetuese të cilat përcaktojnë procedurën për zgjedhjen e qeverisë, dhe atyre që garantojnë të drejtat e pakicave për përfaqësim në kuadër të saj, me qëllim që të vlerësohet nëse vendimi i kontestuar është nxjerr sipas procedurës së paraparë më kushtetutë dhe nëse i njëjti është për nga përmbajtja në përputhje me Kushtetutën”, njoftoi kryeministria.

Qeveria ka ritheksuar se përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës janë konsultuar, dhe propozimi i tyre është marrë parasysh në lidhje me emërimin e ministrit që përfaqëson komunitetin serb në Qeverinë e Kosovës.

“Në këtë rast, Qeveria e Kosovës në argumentet e saj, konsideron se përfaqësimi i garantuar nga Kushtetuta e Kosovës për përfaqësuesit e pakicës serbe është respektuar me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, rrjedhimisht, zgjedhja e saj është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

Në fund thuhet se Qeveria konsideron se kjo çështje nuk ka asnjë paqartësi, andaj kërkesa për mbajtjen e seancës dëgjimore nuk është e justifikuar dhe se e njëjta duhet të refuzohet.

Lexoni letrën e plotë: